Flet Prof. Spiro Brumbulli, kryetar i Shoqatës së Bankave
Sistemi bankar pritet të jetë më agresive këtë vit, në drejtim të kreditimit të ekonomisë. Prof. Spiro brumbulli, kryetari i Shoqatës së Bankave thotë se bankat janë të përgatitura dhe në pritje për të mbështetur një rritje më të konsiderueshme të biznesit se në këto vitet e fundit. Ai pret që normat e interesit të kenë cikël rritës, kryesisht në gjysmën e dytë të vitit, kreditë me probleme të mbahen nën kontroll, ndërsa përfitueshmëria e sistemit bankar të vijë drejt përmirësimit.
Cilat janë pritshmëritë që ka sektori bankar për vitin 2017? A parashikohet një rritje e aktivitetit bankar?
Viti 2017 është projektuar të jetë një vit që të vazhdojë trendin rritës të ekonomisë duke ngjallur më shumë optimizëm dhe besim në konsolidimin e një ekonomie që di të prodhojë më mirë dhe të eksportojë më shumë. Institucionet përgjegjëse të hartimit të politikave buxhetore, fiskale dhe monetare kanë parashikuar një vit me një rritje rreth 3.8 për qind. Kjo do të thotë se ka hapësirë për më shumë biznes dhe për gjallërim të mëtejshëm të ekonomisë. Nëse ka zhvillim të biznesit, ka edhe mundësi për më shumë mbështetje nga ndërmjetësit financiarë.
Bankat janë të përgatitura dhe në pritje për të mbështetur një rritje më të konsiderueshme të biznesit se në këto vitet e fundit. Për fat të mirë, bankat kanë likuiditet dhe në kushtet e mjedisit me interesa të ulëta huadhënia është aktiviteti që do të siguronte fitim. Këto vitet e fundit janë karakterizuar nga kërkesë e dobët e biznesit për hua. Kryerja e disa reformave në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe të shtetit do të krijojë kushte më të mira për të nxitur kërkesën për kredi.
Bankat kanë konsoliduar procedurat e tyre të huadhënies duke përfshirë në to edhe riskun e rritur për shkak të normës së lartë të kredive me probleme. Kujdesi i bankave është që huat e reja të mos krijojnë kredi të këqija të reja.
Në këto kushte dhe në këtë mjedis ekonomik, ka optimizëm dhe gatishmëri për më shumë dhe më mirë. Mos harrojmë që jemi në një vit elektoral dhe kjo mund të shtyjë në kohë projekte qoftë të biznesit vendas, qoftë edhe të biznesit të huaj. Do të dëshironim që ky efekt të jetë sa më minimal dhe të mos shtyhet në kohë për shkak të rezultatit të zgjedhjeve.
Sa i përket kredisë, mendoni se kredia e re do të ketë një zgjerim përgjatë këtij vitit?
Kredia e re përafërsisht ka ruajtur të njëjtën rritje edhe këto vitet e fundit si në vitet me rritje shumë të lartë të huadhënies. Mesatarja mujore e kredisë së re luhatet te 20 miliardë lekë. Jepet kredi e re, por portofoli i huas nuk rritet më si më parë. Kjo do të thotë se kemi kredi afatshkurtra që maturohen dhe rihapen. Pra, kemi problem strukturor të portofolit të huas. Duhet që të ketë më shumë hua për periudha afatmesme dhe afatgjata dhe të zgjerohet baza e kredikërkuesve. Kjo do të rezultonte në rritje edhe të portofolit të huas.
Po pritshmëritë për depozitat cilat janë?
Depozitat vazhdojnë të rriten. Muaji nëntor 2016 në krahasim me vitin 2015 shënon rritje prej 3.3 për qind. Industria bankare nuk ka vuajtur nga depozitat. Edhe pse në kushtet e një ambienti me norma interesi jo tërheqëse, sërish depozitat mbeten në trend pozitiv rritës. Bankat nuk kanë qenë në kërkesë për fonde, sepse janë të furnizuara shumë mirë dhe problemi i tyre është përdorimi i këtyre fondeve.
Në këto vite është konstatuar një prirje e individëve për të lëvizur drejt alternativave me norma interesi më tërheqëse. Përpjekjet kanë qenë më të larta se sa janë plotësuar në fakt, sepse kërkesa për fonde të tilla ka qenë e kufizuar dhe konkurrenca e lartë. Bëhet fjalë për investimet në letrat me vlerë të qeverisë. Në mungesë edhe të alternativave të tjera, mbajtja e kursimeve pranë bankave është alternativa më e sigurt, edhe pse jo më joshësja nga pikëpamja e fitimit të interesave siç ka qenë më parë. Bankat janë vendi më i sigurt për ruajtjen e parasë. Qytetarët nuk ndryshojnë këtë qëndrim, prandaj depozitat do të vazhdojnë të rriten.
Cilat janë parashikimet për interesat e kredisë dhe depozitave gjatë 2017-ës, do të ketë një trend rritës apo rënës të tyre?
Normat e interesit përcaktohen, së pari, nga norma bazë dhe, së dyti, nga kërkesa dhe oferta për një produkt të caktuar. Norma bazë është atribut i Bankës së Shqipërisë dhe nga deklaratat e tyre kuptohet se 6-muori i parë i vitit nuk pritet të ketë ndryshime. Mbetet të presim për 6-mujorin e dytë në varësi edhe të inflacionit në vend.
Kërkesa dhe oferta janë përcaktuese në produkte të veçanta. Për shembull, u rritën normat e dhënshmërisë (yield-i) për letrat me vlerë të qeverisë për shkak të presionit të ofertës. Ose, nëse do të rritet kërkesa për hua dhe bankat do të duan më shumë fonde, atëherë do të rritet norma e interesit për depozitat.
Në përgjithësi, nga analizat e bëra nga institucionet përgjegjëse dhe nga deklaratat e Bankës së Shqipërisë, niveli aktual konsiderohet si niveli më i ulët; vështirë të ketë ulje nga ky nivel, me përjashtim të ndonjë situate të paparashikuar. Rritja e normave të interesit është ajo që pritet, por kur do të ndodhë, mbetemi ta shohim. Më e mundshmja është nga gjysma e dytë e vitit.
Cilët janë sektorët e ekonomisë që bankat kanë pritshmëri pozitive?
Bankat janë të hapura kundrejt kërkesave të biznesit dhe individëve. Por sektorët që kanë përparësi nga qeveria, janë sektorë që shikohen me përparësi edhe nga bankat. Për shembull, agro-përpunimi dhe turizmi. Po kështu projekte të tjera të partneritetit privat – publik, kur janë projekte me leverdishmëri ekonomike. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, kudo ku ato paraqiten, janë objekt i bankave. Me përparësi gjithashtu janë prodhimi dhe shërbimet. Individët janë si gjithmonë një prioritet tjetër.
Si parashikohet fitimi i bankave?
Marrë shkas nga fakti që në vitin 2016 disa banka bën pastrim të librave të tyre, viti 2017 pritet të jetë më i mirë nga pikëpamja e fitimit, por sërish larg aspiratave të aksionarëve. Kthimi mbi kapitalin parashikohet të rritet në krahasim me 2016, por do të mbetet akoma në nivel të ulët. Sigurimi i fitimit është sfida kryesore e bankave. Në kushtet e mjedisit me norma interesi pothuajse zero dhe të mungesës për hua, fitimi do të vijë vetëm nga portofoli ekzistues i huas dhe nga të ardhurat e tjera jo nga interesi. Prandaj rritja e kredisë është substanciale për vetë bankat. Pa rritje të kredisë, vështirë të ketë rritje të fitimit.
Sa i përket kredive me probleme, mund të presim një ulje të këtij portofoli?
Kreditë me probleme janë shqetësim i industrisë bankare dhe më gjerë në këto vitet e fundit. Niveli i tyre sillet nga 18 në 24 për qind. Bankat kanë pastruar nga librat e tyre kredi me probleme dhe procesi vazhdon. Por rruga më e mirë për të ulur kreditë me probleme është rritja e portofolit të huas, pra rritja e kredive të reja. Ajo që shpresojmë të kryhet më mirë, është procesi i shqyrtimit ligjor dhe ekzekutimit të kolateralit për një kredi me probleme. Ndryshimet ligjore që u kryen gjatë vitit të kaluar, besojmë se do të rregullojnë këtë proces.
Cilat janë kërkesat e bankave për autoritetet publike gjatë këtij viti?
Me autoritetet publike sektori bankar ka marrëdhënie institucionale bashkëpunuese. Ajo që ne si Shoqatë kërkojmë të bëjmë në interes të industrisë bankare, por edhe të institucioneve përkatëse publike, është identifikimi i problemeve tatimore që janë të patrajtuara në legjislacionin ekzistues sipas praktikave më të mira botërore. Ne do të synojmë që të ndërmerret nisma ligjore për rregullimin e tyre në bashkëpunim me Ministrin ë Financave. Po ashtu bashkëpunime të tjera do të kemi me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për financimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, për përmirësimin e klimës së biznesit, me Ministrinë e Drejtësisë për zbatimin e paketës ligjore për uljen e NPL-ve, me Bankën e Shqipërisë për rritjen e kreditimit, e kështu me radhë. Do te jetë një vit i larmishëm dhe me shpresën që bashkëpunimet të forcojnë marrëdhëniet në të mirë të zgjidhjes së problematikës dhe klimës së bërjes biznes.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.