Raporti i punësimit amerikan siguron se bankat qendrore më të mëdha në botë do të lëvizin në drejtime të kundërta gjatë muajve të ardhshëm. Rritja e fortë e punësimit në SHBA po e udhëheq Rezervën Federale drejt rrugës së rritjes së normave afatshkurtra të interesit në 2015, ndërsa Banka Qendrore Europiane, Banka Popullore e Kinës dhe Banka e Japonisë po diskutojnë nëse masat e reja të parave të lehta janë të garantuara përballë rezultateve zhgënjyese të prodhimit ekonomik dhe presionit mbi inflacionin.
Dy zyrtarë të lartë të Fed – zëvendëskryetari i Fed Stanley Fischer dhe presidenti i Fed të Nju Jorkut, William Dudley -thanë se ata po konsideronin rritjen e normës vitin e ardhshëm, teksa tregu amerikan i punësimit po përmirësohet. Me SHBA-në, pozicionuar drejt rritjes së saj më të mirë të vendeve të punës në 15 vjet, kjo bindje ka të ngjarë të forcohet, por zyrtarët nuk duket se do të nxitojnë për t’u hedhur në veprim sepse inflacioni i SHBA është ende shumë më poshtë 2% të synuar të Fed dhe rritjet e pagave mbeten modeste. Z. Dudley tha se ai e perceptonte mesin e vitit 2015 si pikën më të mundshme për të rritur normën referencë afatshkurtër të Fed nga afër zeros.
Sfida e radhës për Fed është të vendosë se çfarë sinjali të dërgojë në lidhje me normat pas takimit të politikave më 16-17 dhjetor. Çështja e madhe në axhendë është nëse do të duhet braktisur premtimi në deklaratën e politikës së FED se normat do të qëndrojnë afër zeros për një ‘kohë të konsiderueshme’.
Zyrtarët e Fed kanë debatuar që nga shtatori, nëse do të duhet t’i ‘hanë’ ato fjalë dhe se si t’i zëvendësojnë ato. Tregu ka të ngjarë ta ndërmarrë një veprim të tillë si shenjë se rritjet e normave po afrohen. Zoti Fisher tha në një konferencë të Wall Street Journal se ‘është e qartë se ne jemi duke iu afruar’ thyerjes së premtimit, dhe raporti i së premtes e nxiti Fed akoma dhe më afër kësaj. Z. Dudley ka thënë se Fed ende mund të tregtohet ‘i duruar’ ndaj rritjes së normave gjatë muajve në vijim. Komentet e tij sugjerojnë që Fed të tregohet i duruar teksa zyrtarët vlerësojnë nëse presioni mbi çmimet e mallrave dhe inflacionin global përbëjnë kërcënim për Amerikën.
Teksa Fed ecën drejt rrugës së rritjes së normave, bankat e tjera qendrore po lëvizin në drejtim të kundërt. Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, po merr në konsideratë nisjen e një programi të ri të blerjes së obligacioneve, i njohur si lehtësimi sasior vitin e ardhshëm, përballë inflacionit që qëndron pranë zeros në Eurozonë. Guvernatori i BOJ, Banka e Japonisë, Haruhiko Kuroda, po shqyrton çfarë mund të bëjë tjetër banka e tij qendrore për të rritur inflacionin japonez në objektivin e saj prej 2%, përballë ndasive të brendshme dhe një recesioni të shkaktuar nga rritjet e taksave në fillim të këtij viti. PBOC e Kinës ndërkohë ka reduktuar normat, teksa ekonomia e Kinës po ngadalësohet.