Bankat tregtare kanë rritur mbajtjen e likuiditeteve të tepërta tek Banka e Shqipërisë, sidomos në euro. Sipas të dhënave nga grafiku i mëposhtëm, i publikuar nga BSH, bankat kanë depozituar në Bankën e Shqipërisë rreth 38 miliardë lekë deri në shtatorin 2018, nga më pak se 5 miliardë lekë që ishin në fund të 2013.
Bankat tregtare kanë rritur mbajtjen e likuiditeteve te Banka e Shqipërisë sidomos në valutë, edhe pse interesi i ofruar është negativ.
Ekspertët e bankave shpjeguan se shkak për këtë rritje është bërë efekti i masave makroprudenciale që rrjedhin nga një rregullore e Bankës Qendrore që penalizonte bankat për mbajtjen e fondeve të tepërta jashtë vendit, pasi konsiderohen si 100% me risk.
Kjo masë që rrjedh nga rregulloret e BSH-së i detyron bankat që, nëse i çojnë likuiditetet e tepërta në valutë jashtë, të bëjnë shtesë në kapital që do të ishte kosto për to.
Mbajtja e cash-it të tepërt në valutë te Banka e Shqipërisë, edhe pse me interes në negativ, shihet si mënyra më e leverdishme nga bankat. Të dhënat nga tregu bëjnë të ditur se edhe pas shtatorit 2018, zotërimet e bankave te Banka Qendrore sidomos për likuiditetet në valutë ka qenë të larta. Efektet në këtë rritje kanë dhënë edhe masat për deeuroizimin e që tentojnë të shtrëngojnë kredinë e bankave në valute.
Teksa në banka janë rritur depozitat në euro, kredia nuk ka ndjekur të njëjtat ritme. Në fund të 2018-s, kursimet në monedhë të huaj arritën në 53.9% të totalit, duke shënuar nivelin më të lartë historik. Efektin kryesor në rritjen e valutës në banka e kanë dhënë depozitat pa afat të bizneseve, që u rritën me rreth 120 milionë euro, ose 22.4%.
Rritja e depozitave në euro nga njëra anë dhe frenimi i kredisë nga ana tjetër ka gjeneruar likuiditete të tepërta në banka që aktualisht po mbahen te Banka e Shqipërisë.
Rritja e mbajtjes së likuiditeteve në Bankën Qendrore nisi në mars në vitin 2015 kur nisën e efektet e rregullores.
Gjithashtu, nëpërmjet një rregullore të posaçme, Banka e Shqipërisë ka vështirësuar edhe kreditimin e bizneseve jashtë vendit nga bankat vendase.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.