Duket e pabesueshme, por bankat zvicerane do të rikthehen në “tregun” amerikan. Pavarësisht çështjeve të ngritura nga Irs, agjencia amerikane e taksave që akuzon më shumë se 20 institucione huadhënëse zvicerane si bashkëpunëtorë në evazionin fiskal të shkaktuar nga mijëra qytetarë amerikanë, “Ubs”, “Crédit Suisse & Co” do të tentojnë sërish që të menaxhojnë pasuritë e milionerëve me pasaportë amerikane. Natyrisht, të atyre që ia kanë dalë të mbijetojnë pa dëme nga kriza financiare dhe janë në kërkim të ndonjë investimi të sigurt për kapitalet e tyre. Çështja është se nëse në vitin 2008 ishin vetëm pesë banka zvicerane që punonin me autorizimin e Komisionit të Sigurisë dhe të Bursës së SHBA-së, sot ky numër llogaritet në 34. “Në fund të vitit 2012, bankat zvicerane menaxhonin një pasuri që llogaritej në 14,1 miliardë dollarë, por që në perspektivë mendohej se do të arrinte në 100 miliardë”, shpjegon e përjavshmja e Cyrihut “NZZ am Sonntag”.
Megjithatë, përpara sesa t’ia dalin mbanë, do të duhet që të “lajnë duart” nga një e kaluar aspak pozitive dhe larg çdo truku që mund të synojë mashtrimin e sistemit amerikan të taksave. Një çështje e cila shkaktoi prerjen e mandatit të arrestit për 24 drejtues zviceranë pasurish nga Departamenti i Drejtësisë në Uashington. Rasti i fundit është ai i Raoul Weil, ish-numri tre i bankës “Ubs” që më datën 19 tetor përfundoi në burgun e Bolonjës pikërisht pasi ishte shpallur në kërkim nga amerikanët.
Për të mbyllur çështjet e lëna përgjysmë dhe për t’iu kthyer sërish punës përtej oqeanit, zviceranët janë të gatshëm të paguajnë disa miliardë dollarë gjoba, sikundër parashikohet edhe në marrëveshjen e arritur mes Bernës dhe Uashingtonit. Por, është një çmim që ia vlen “barra qiranë” të paguhet, pasi në të kundërt nuk do të ketë më licencë amerikane dhe si rrjedhim do të hiqet mundësia e operimit në tregun e dollarit. E gjithë kjo do të thoshte mbyllje, sikur është rasti i dy institucioneve private, “Wegelin” në San Gallo dhe bankës “Frey” në Cyrih. Një sinjal në kah të kundërt vjen nga Dallasi ku është krijuar banka “Vontobel”. “Këtu po lindin pasuri të reja kjo edhe falë shfrytëzimit të gazit të prodhuar nga argjila dhe ne nuk dëshirojmë ta humbasim këtë shans”, bën me dije një nga drejtuesit e këtij institucioni. Tregu amerikan është i mbushur me klientë dhe duke pasur parasysh se bankat zvicerane janë duke lëvizur më shumë drejt menaxhimit të aseteve sesa ndaj “investment banking” është e pashmangshme që të mos tentojnë ta rimarrin, thotë profesor John Baron Adesi, në Universitetin e Luganos. Sipas tij, “ndryshe nga sa ndodhte në të kaluarën, kur bankat prireshin që të thithnin kapitalin në Zvicër, tashmë ato janë më të orientuara për të ofruar shërbimet e tyre në vendin ku jetojnë konsumatorët. Ai thotë se së fundmi kjo gjë mund të ndodhë edhe me Italinë, me të cilën Berna është duke përgatitur nënshkrimin e një marrëveshjeje. E pra, duket se koha e sekreteve bankare po perëndon, pasi nëse do të vazhdohet kështu atëherë, sipas profesorit, kjo do të ishte një vetëvrasje e sigurt. Megjithatë në fund të fundit, nuk bëhet fjalë për mosekzistencën e sekretit bankar, por për taksim të koordinuar të kapitalit.