Banka britanike Barclays, ish-drejtuesi i saj dhe tre zyrtarë të tjerë akuzohen për mashtrim, duke shënuar rastin e parë që bankierë të lartë vihen përballë akuzave
Zyra e Mashtrimit (SFO) ka akuzuar Barclays, një ndër bankat më të mëdha në botë, ish-drejtorin ekzekutiv (John Varley) dhe tre drejtues të tjerë të lartë për mashtrim mbi mënyrën se si kanë shtuar miliarda paund fonde. Roger Jenkins, Thomas Kalaris dhe Richard Boath – tre bankierët – akuzohen për mbledhjen e 11.8 miliardë paund fonde gjatë kulmit të krizës financiare të vitit 2008.
Në atë kohë, Barclays mori miliarda paund nga Katari me një lëvizje që i mundësoi bankës të shmangë marrjen e një programi shpëtimi nga taksapaguesit.
SFO deklaroi se akuzat lidhen me përfitimin e dy fondeve, të cilat banka i ka marrë në qershor dhe tetor të vitit 2008 dhe një hua prej 3 miliardë dollarësh të marrë nga Katari, duke vepruar nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave në nëntor të 2008-s.
Të katërt janë akuzuar, së bashku me bankën, për mashtrim me përfaqësim të rremë në lidhje me mbledhjen e fondeve në qershor 2008. Ndërsa ish-drejtuesi i saj John Varley, Jenkins dhe banka janë akuzuar për mashtrim me përfaqësim të rremë në lidhje me mbledhjen e fondeve në tetor 2008.