Flasin: z. Christian Canacaris, CEO i Raiffeisen Bank; z. Seyhan Pencapligil, Drejtor i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) dhe Kryetar i Shoqatës së Bankave; Artan Santo, Drejtor i Credins Bank; Z. Hubert de Saint Jean, menaxher i përgjithshëm i Societe Generale Albania; Flutura Veipi, Drejtuese e Bordit Drejtues, ProCredit Bank, Shqipëri; Gazmend Kadriu, Drejtor i Përgjithshëm i Union Bank; CEO i First Investment Bank, Bozhidar Todorov; Drejtori i Përgjithshëm të Veneto Banka, dr. Lucio Gaita
Flet z. Christian Canacaris, CEO i Raiffeisen Bank
Rritja e kredisë do jetë më e lartë se në 2012-n; kreditë e këqija do të ulen
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës tuaj në 2012?
Pavarësisht një viti të vështirë, për shkak të krizës së eurozonës, sistemi bankar është i shëndetshëm. Fitimet janë më të larta krahasuar me 2011-n. Sistemi është i mirë-kapitalizuar.
Përsa i përket bankës tonë, ne jemi ende banka më fitimprurëse në Shqipëri.
Si e prisni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës tuaj në vitin 2013, sidomos për sa i përket rritjes së kredisë dhe trendit të kredive me probleme?
Me masat që banka qendrore planifikon të zbatojë, unë besoj se do të shohim një rritje më të lartë të kredisë në krahasim me 2012-n. Lidhur me nivelin e kredisë me probleme, unë mendoj se duhet të fillojmë të shohim një ulje në vitin 2013.
Përsa i përket bankës tonë, ne do të vazhdojmë të japim hua për klientët tanë, duke marrë gjithnjë në konsideratë cilësinë e kërkesës.
Ne do të japim hua vetëm për projektet dhe klientët e mirë.
Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?
Sfida më e madhe është që të shohim një ulje të nivelit të kredive me probleme si dhe të kemi një proces efecient të ekzekutimit të kolateralit.
E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, të rrisim kredinë për bizneset dhe individët.
– – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – –
Sistemi bankar mund të shkojë në një proces konsolidimi
Flet z. Seyhan Pencapligil, Drejtor i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) dhe Kryetar i Shoqatës së Bankave
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës tuaj në 2012?
Ecuria e sistemit bankar në vitin 2012 nuk ishte e kënaqshme porsa i përket rritjes dhe përfitueshmërisë. Totali i aktiveve në sistem u rrit me 6%, ndërsa fitimi total i kombinuar i të gjitha bankave ishte vetëm 27 milionë euro, duke i korresponduar më pak se 3% kthyeshmëri nga kapitali aksioner. Për herë të parë në këtë shekull, ka më shumë hua me probleme në sistem, sesa ka kapital. Lajmi i mirë është se të gjitha këto hua janë të mirëkolateralizuara dhe me miratimin nga Parlamenti të amendimeve të fundit të Kodit Civil dhe Kodit të Procedurave Civile, ky kolateral do të jetë i lehtë për t’u ekzekutuar. Ne presim që të gjitha palët në këtë Parlament të mbështesin këto amendamente dhe të mos i shohin ato me syze politike, por me qartësi ekonomike.
BKT kishte një ecuri shumë të mirë në 2012-n dhe shumë më të mirë se sistemi, si në termat e rritjes ashtu dhe të përfitueshmërisë. Aktivet tona totale u rritën me 23%, ndërsa fitimi neto ishte 20 milionë euro, ose 70% i fitimit total të sistemit.
Si e prisni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës tuaj në vitin 2013, sidomos për sa i përket rritjes së kredisë dhe trendit të kredive me probleme?
Në opinionin tim, aktiviteti huadhënës në sistemin bankar në 2013-n mund të gjallërohet, ndërsa raporti i huave me probleme nuk do të përkeqësohet. Megjithatë, unë mendoj se tendencat, si e kredisë ashtu dhe e huave me probleme do të jenë më të mira në 2013, megjithatë shumë varet nga procesi elektoral dhe rezultatet e tij.
Në këto kushte, ne si BKT kemi planifikuar që të kemi një rritje të moderuar të madhësisë së bilancit dhe portofolit të huave, duke synuar që të ulim nivelin e huave me probleme dhe të rrisim përfitueshmërinë.
Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?
Në afatin e shkurtër, mund të them se sfida më e madhe është që ai të kthehet te përfitueshmëria, në mënyrë që pjesa më e madhe e bankave të bëhen fitimprurëse, që të mbështesin zgjerimin e tyre të mëtejshëm.
Në afatin e mesëm, sistemi bankar mund të shkojë në një proces konsolidimi, përmes shkrirjeve dhe blerjeve, në mënyrë që të bëhet më solid dhe të ketë një rritje të qëndrueshme. Disa banka thjesht nuk kanë shkallën ose nivelin kritik për të qenë të vetëqëndrueshme të vetme.
– – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – –
Sërish rritje e ulët e kreditimit, por huaja me probleme do ndalet
Flet Artan Santo, Drejtor i Credins Bank
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe bankës tuaj gjatë vitit 2012?
Viti 2012 ishte një vit i vështirë për ekonominë vendase e për rrjedhojë, edhe sistemi bankar mbajti një peshë të konsiderueshme në administrimin e një situate që ishte realisht e rrallë. Siç edhe shifrat janë bërë të njohura, përgjatë vitit nuk pati të njëjtat ritme kreditimi si disa vite më parë, e për rrjedhojë edhe të këtij fakti, treguesi i kredive me probleme vazhdoi gjatë gjithë vitit të kishte tendencë rritjeje, duke kapur shifrën rreth 23% në fund të vitit.
Megjithatë, në tërësinë e tij, sistemi bankar mbeti likuid, i mirëkapitalizuar dhe i aftë për të përballuar situatën ekonomike prezente tashmë. Rritja e depozitave gjatë vitit, ndonëse me ritme më të ulëta se në vitet e mëparshme, tregoi edhe një herë se sistemi bankar gëzon besim të plotë te shoqëria dhe se është një nga kolonat mbështetëse të ekonomisë shqiptare.
Sigurisht që edhe Credins Bank, si një ndër aktorët kryesorë në këtë sistem, ndjeu të njëjtat simptoma në aktivitetin e saj, duke ngadalësuar ritmet e rritjes në krahasim me vitet e mëparshme kryesisht për shkak të mungesës së kërkesës për kredi nga ana e bizneseve të mira, por edhe të rritjes së kujdesit në mirëmenaxhimin e portofolit ekzistues. Megjithatë, me krenari mund të them se jemi sërish me një rritje prej më shumë se 10% të portofolit të kredisë, duke qenë të renditur tashmë bindshëm si banka e tretë në treg për sa i përket portofolit të kredisë dhe ndërkohë me një tregues të kredive me probleme sa gjysma e atij të tregut në përgjithësi.
Si e prisni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës tuaj në vitin 2013, sidomos për sa i përket rritjes së kredisë dhe trendit të kredive me probleme?
Viti 2013 mendoj se do të jetë sërish një vit i karakterizuar nga një rritje e ulët e kreditimit, por mendoj se për sa i përket treguesit të kredive me probleme, ai do të ndalë rritjen e tij. Ky është një vit zgjedhor që në periudhën e parë të tij do të karakterizohet nga një stopim i investimeve të reja apo rritjes së biznesit. Megjithatë paketa e masave të marra së fundmi nga Banka e Shqipërisë, për t’i dhënë përparësi rritjes së kreditimit nga ana e bankave dhe gjithashtu për të përmirësuar treguesin e kredive me probleme do të japë shumë shpejt efekt. Mendoj se do të jenë masa, të cilat jo vetëm zbatohen për herë të parë në Shqipëri, por janë edhe nisma që nuk kanë precedent në rajon, për probleme dhe zgjidhje të kësaj natyre në marrëdhënie mes sistemit bankar, gjyqësorit dhe biznesit. Sigurisht që për t’u bërë funksionale kjo paketë, sidomos për sa i përket treguesit të vonesës, do të duhet edhe impenjimi i qeverisë shqiptare e madje i politikës në përgjithësi, në mënyrë që të bëhen të mundura, së pari shlyerja e detyrimeve ndaj biznesit, por gjithashtu edhe ndryshimet e nevojshme në procedurën gjyqësore në lidhje me ekzekutimin e kolateralit.
Për Credins e shoh këtë vit sërish me një rritje të portofolit të kredisë. Ne kemi përcaktuar tashmë si sektorët e zhvillimit strategjik të bankës energjinë e rinovueshme, eficencën e energjisë, si dhe bujqësinë dhe pikërisht në këta sektorë do të përqendrohet edhe rritja jonë. Ndikimi i bankës sonë në këta sektorë të ekonomisë shqiptare ndoshta nuk do të jetë vendimtar, por do të shënojë një hop cilësor në zhvillimin e tyre. Në kuadër të saj, nga ana jonë u nënshkrua këto ditë edhe me IFC, marrëveshja për financimin prej 10 milionë eurosh, për sektorin e energjetikës në energjinë e rinovueshme dhe eficencën e energjisë.
Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?
Në radhë të parë, sfida do të konsistojë në përmirësimin e cilësisë së portofolit të kredisë dhe kjo duhet të arrihet qoftë nëpërmjet ekzekutimit të kolateralit, qoftë nëpërmjet ristrukturimit apo edhe fshirjes së kredive nga bilanci.
Sigurisht, që pjesa më e madhe e kredive me vonesë kanë ardhur si pasojë e mungesës së likuiditetit në treg dhe mungesës së shpenzimit nga ana e konsumatorëve, por një pjesë jo e vogël e tyre kanë ardhur dhe si pasojë e keqmenaxhimit të bizneseve, e mungesës së kulturës së biznesit dhe e mungesës së largpamësisë dhe dëshira për një fitim të shpejtë e biznesmenëve tanë. Pikërisht edukimi i tyre, futja e kulturës së punës me bankën, e analizës së tregut dhe hartimit profesional të biznes-planeve, futja e kulturës së “Drejtimit të mirë”, nëpërmjet komiteteve e strukturave të ndryshme vendimmarrëse tek biznesi, do të jetë një nga sfidat parësore të bankave në nivel afatmesëm. Dy vitet e kaluara treguan qartë këto dobësi të biznesit shqiptar, kështu që përpara sistemit bankar si sektori më i konsoliduar, më i kontrolluar dhe transparent bie edhe barra e ndikimit përmirësues mbi biznesin shqiptar. Ky sigurisht që nuk është një rol normal për një sistem bankar apo financiar në përgjithësi, por duket që në Shqipëri duhet të jemi ne që duhet ta luajmë një rol të tillë.
Nga ana tjetër, si pjesë e funksioneve parësore të sistemit, do të jetë mbështetja e ekonomisë në zhvillimin e saj. Jemi në një fazë ku edhe Shqipëria do të ketë gjithnjë e më të qartë se cilat do të jenë fushat parësore të zhvillimit të saj ekonomik, në kuadrin e zhvillimit rajonal e atë paneuropian. Për rrjedhojë, edhe sistemi bankar do të gjejë vetveten, në përparësitë duke evidencuar mendoj, akoma më shumë, rolin që do të luajë agrobiznesi, energjia dhe turizmi.
– – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – –
Kriza nuk ka mbaruar ende
Flet Z. Hubert de Saint Jean, menaxher i përgjithshëm i Societe Generale Albania
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës tuaj në 2012?
Evolucioni i sistemit bankar gjatë vitit 2012 ka qenë mjaft interesant, i ndikuar si nga faktorët e brendshëm ashtu dhe ata të jashtëm. Kriza financiare, që ka qenë e pranishme në Eurozonë, ka qenë një nga frenuesit kryesorë, teksa pjesa më e madhe e bankave në Shqipëri janë me kapital të huaj, duke u përballur në këtë mënyrë direkt me shqetësimet me të cilat mund të jenë përballur bankat mëmë, ose shtetet ku ato ndodhen.
Duke folur në përgjithësi, bankat tregtare në Shqipëri kanë pasur një ecuri të ngadaltë në kahun e kredidhënies, por ato kanë parë një zhvillim pozitiv në rritjen e depozitave. Duhet theksuar që situata e likuiditetit është një aspekt shumë pozitiv i sistemit bankar shqiptar. Raporti i huave ndaj depozitave në sistemin bankar është rreth 60%, që tregon një situatë shpresëdhënëse të teprisë së likuiditetit. Ky likuiditet, i përkthyer në hua ndaj biznesit dhe individëve mund të ndikojë në mënyrë vendimtare mjedisin e rritjes ekonomike në vend. Nga ana tjetër, bankat janë shumë të ndjeshme ndaj rrezikut. Në këtë kuptim, duke marrë në konsideratë nivelin e lartë të huave me probleme në sistemin bankar, bankat tregtare kanë shtrënguar kriteret e huadhënies dhe llogaritjes së rrezikut, çka i ka detyruar bankat që të mos japin hua lehtë me teprinë e likuiditetit, që është krijuar nga rritja e depozitave. Niveli i lartë dhe në rritje i kredive me probleme ka qenë faktori kryesor që ka ndikuar në ngadalësimin e huadhënies dhe i ka shtyrë bankat që të bëhen shumë përzgjedhëse, ndërkohë që janë përqendruar më shumë në ristrukturimin dhe mbledhjen e detyrimeve. Niveli i lartë i informalitetit, ngrirja e ndërtimit dhe vonesat në legalizimin e kolateralit kanë ulur gjithashtu kërkesën, veçanërisht në tregun e kredive për shtëpi, duke u bërë pengesë për financimin në këto fusha.
Një ndikim negativ në ekonomi, që është ndier dhe në sistemin bankar, është transmetuar nga emigrantët, veçanërisht ata që punojnë dhe jetojnë në Itali dhe Greqi, që kanë qenë vendet që kanë vuajtur më shumë gjatë 2012-s. Rënia në ekonominë e këtyre tregjeve ka ndikuar direkt remitancat, si rrjedhojë dhe aftësinë paguese të huamarrësve shqiptarë. Nga ana tjetër, ka pasur gjithashtu shumë faktorë të brendshëm, që kanë ndikuar në mënyrë të pafavorshme rritjen, veçanërisht në huadhënie, që vazhdon të jetë shtylla kryesore e sistemit bankar në Shqipëri.
Një nga pikat thelbësore për secilën bankë është që të gjejë ekuilibrin midis rrezikut dhe procesit të huadhënies. Unë jam i kënaqur që të njoftoj se Societe Generale Albania ia ka dalë me sukses që të gjejë këtë “ekuilibër”. Ne kemi dhënë hua 120 milionë euro para të reja në Shqipëri gjatë vitit 2012, ndërkohë që kishim dhënë të njëjtën shumë prej 120 milionë eurosh në 2011-n dhe në të njëjtën kohë ne jemi banka numër një në treg, që kemi nivelin më të ulët të kredive me probleme. Kjo tregon se edhe në ditët e sotme, duke punuar me profesionalizëm në sektorin bankar, rezultatet mund të jenë të mira. Banka që drejtoj ia ka arritur me sukses që të rrisë pjesën e tregut me më shumë se 1% çdo vit, duke qenë fitimprurëse, duke kontrolluar si kostot, ashtu dhe nivelin e huave me probleme.
Cilat janë pritshmëritë e sistemit bankar dhe bankës tuaj në 2013, porsa i përket rritjes së kreditimit dhe nivelit të kredive me probleme?
Kriza nuk ka mbaruar ende, si rrjedhojë pritshmëritë për rritjen e kredisë në sektorin bankar nuk janë shumë të larta. Të njëjtat çështje bllokuese që janë hasur në vitin 2012 pritet ende që të jenë të pranishme në mënyrë të fortë në 2013-n, si rrjedhojë kredidhënia gjatë këtij viti do të vazhdojë të jetë shumë e kujdesshme dhe konservative. Tendenca e kredive me probleme pritet që të mbetet një nga sfidat kyçe në sistemin bankar, si rrjedhojë do të jetë gjithashtu një nga drejtimet, ku pothuajse të gjitha bankat do të vazhdojnë të punojnë. Zgjedhjet që do të zhvillohen në qershor janë gjithashtu një faktor që ka filluar të injektojë skepticizëm, veçanërisht në stafin e institucioneve publike, duke bërë që ata jo vetëm të hezitojnë porsa u përket investimeve personale, që mund të çojë në një kërkesë më të ulët për kredi, por duke rritur dyshimet për një papunësi potenciale, me një efekt negativ në kthimin e huave. Nga ana tjetër, borxhi i brendshëm qeveritar vazhdon që të jetë i lartë, si rrjedhojë emetimi i bonove do të rrisë likuiditetin, sidomos në palët e kontraktuara dhe të punësuarit e tyre dhe do të ketë ndikim direkt pozitiv në rritjen e kredisë dhe nivelin e kredive me probleme.
Duhet theksuar se Banka e Shqipërisë po e monitoron me kujdes situatën dhe në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave po studion mundësitë dhe po punon për përgatitjen e një pakete që re, që synon të nxisë rritjen e huadhënies në vend.
Sërish, unë jam i kënaqur të njoftoj se Societe Generale Albania do të vazhdojë në të njëjtën rrugë si në vitet e mëparshme, 2010–2012. Ne kemi parashikuar që të vazhdojmë tendencën rritëse të huadhënies edhe në 2013-n, por duke qenë shumë përzgjedhës në treg dhe duke mbajtur një kontroll të rreptë të rrezikut. Qëllimi ynë kryesor është që të rrisim bankën në mënyrë të shëndetshme dhe të ndikojmë në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, duke dhënë hua në të gjithë sektorët e ekonomisë. Unë mendoj se ne e kemi përmbushur në mënyrë të suksesshme këtë mision deri tani dhe do të vazhdojmë në këtë rrugë. Teksa shikoj gjithashtu rezultatet e fillimit të vitit 2013, besoj se banka jonë do të arrijë me sukses të gjitha objektivat për vitin 2013. Faktorët kyçë të suksesit të bankës sonë janë integriteti, profesionalizimi dhe shpirti i skuadrës.
Cilat janë sfidat më të mëdha të sistemit bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?
Duke iu referuar publikimeve të organizatave ndërkombëtare, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, Shqipëria pritet që të ketë rritje të ulët ekonomike në 2013-n dhe kjo pa dyshim që do të ketë ndikim edhe në sistemin bankar. Si rrjedhojë, përmirësimi i situatës së huave me probleme do të vazhdojë të jetë midis objektivave kryesorë për sistemin bankar, si një nga treguesit kyç në stabilitetin dhe progresin e së ardhmes. Mbledhja e borxheve të këqija dhe financimi i huave të mira do të vazhdojë të jetë një sfidë, porsa i përket situatës makroekonomike në ekonominë shqiptare. Përfitueshmëria është gjithashtu një objektiv tjetër, të cilën bankat do të synojnë ta arrijnë sa më shumë që të jetë e mundur, përmes rritjes së kujdesshme dhe kontrollit të rrezikut. Gjetja e balancave të duhura, midis të qenët likuid, të pasurit e nivelit të dëshiruar të fondeve, huadhënies së kujdesshme dhe mbledhjes së shpejtë do të jetë ushtrimi kryesor që do të përpiqet të zgjidhë i gjithë sistemi këtë vit, që do të mbështetet në mënyrë vendimtare nga një situatë politike që shpresojmë të jetë e stabilizuar.
– – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – –
“Biznesi pak investime afatgjata”
Flet Flutura Veipi, Drejtuese e Bordit Drejtues, ProCredit Bank, Shqipëri
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe bankës tuaj gjatë vitit 2012?
Viti 2012 ishte një vit i vështirë që solli edhe përballjen për herë të parë me shumë elementë për ekonominë në tërësi dhe sistemin bankar. Ne gjithnjë themi se sistemi bankar është një sistem i ri dhe i tillë është vërtet. Po kalojmë krizat e para dhe kjo është kriza e parë ekonomike dhe prandaj është normale që nuk mund të ishim të përgatitur për të qenë gati.
Dhe këtu përfshihen të gjithë, që nga bankat, institucionet qeveritare, rregullatorët, aksionerët, etj. Ka pas kaq shumë ndryshime në këto vite sa edhe efekti i tyre nuk ka mbaruar së llogarituri, ndërkohë që duhet të ketë edhe shumë ndryshime në vazhdimësi.
Vijon të ketë kreditim, por është kreditimi afatshkurtër që dominon. Ai përdoret nga biznesi për likuidime, për blerje-shitje, për pagesat e ndryshme. Këto kredi aftashkurtra janë kryesisht overdrafte apo kredi në harkun kohor 1-3 vjeçar.
Në Procredit Bank, këto kredi zënë deri në 70% të portofolit të kredisë dhe besoj se një peshë të madhe ka në të gjithë sistemin bankar. Në portofolin e outstanding është shtuar gjithmonë e më shumë pesha e kredive afatshkurtër.
Kjo tregon, që në balancën totale të bankave nuk ka investime afatgjata. Vështirësia ekomomike në 2012-ën bëri që shumë nhga klientët t’i pezullonin projektet e tyre të investimeve.
Kriza ndërkohë ka ulur kapacitetet e pagesës, mundësinë për të marrë një kredi më të madhe, ka shtuar hezitimin për të kryer investime nga ana e biznesit. Biznesi më shumë në vitin e fundit është menduar sesi të ristrukturojë aktivitetin, termat e pagesës, stafin. Ka patur biznese që i kreditonin klientët e tyre dhe kaluan në pagesat me cash. Ky është një ndryshim thelbësor për ekonominë, që i ndryshon shumë balancat.
Është e vërtetë që ekonomia bëhet më likuide, por ndryshojnë të ardhurat, të cilat mund të jenë ulur deri në 40%. Përtej ristrukturimeve të kredive edhe vetë ekonomia jonë, ku tregtia zë një peshë shumë të madhe, deri në 50% të saj, nuk mund të jetë atraksion për investime afatgjata. Ato fusha që janë atraktive për investime afatgjata nuk janë të mbështetura nga mjedisi ekonomik në Shqipëri.
Këto janë energjetika, që ka një problem të madh, në pagesa, mungesë kapitali dhe njohurish. Megjithëse energjia rinovueshme është cilësuar nga qeveria si një nga potencialet më të mëdha ekonomike, ajo pak është nxitur. Ky sektor është ngërç.
Që të bëhet atraktiv aq sa investitori të dëshirojë të investojë dhe të ketë vetëm nevojën e kapitalit financiar, atëherë përgjegjësia para bankave do të ishte që dizenjonin produktin e duhur. Por kjo nuk ndodh sot. Këto biznese nuk kanë minimumin e kapitalit për të marrë një kredi, kanë një legjislacion të parregulluar që ende nuk është miratuar nga parlamenti.
Edhe vetë bizneset kanë stopuar kërkesat përsa kohë mungon legjislacioni, ka probleme me Korporatën Elektroenergjetike dhe pagesat që ajo kryen, çka ul sigurinë e investitorëve.
Ka edhe një fenomen tjetër në këtë fushë. Pjesa më e madhe e personave që e kanë marrë një licencë për HEC-e, nuk kanë aftësi dhe njohuri teknike. Shumica e planeve të tyre duhen rishikuar. Këto janë elementë që në momentin e kreditimit janë thelbësorë.
Shqipëria ka pak opcione për rritje ekonomike dhe fushat ku ne jemi atraktivë për kapitalin e huaj dhe vendas janë shumë pak, energjetika, fasoneria, minierat dhe bujqësia. Drejt këtyre kërkohen planifikime dhe strategji afatgjata.
Por nga ana tjetër, sektori bankar ka qenë aktiv. Banka Procredit ka qenë aktive, sidomos në kreditë afatshkurtra. Portofoli nuk është rritur, është mbajtur stabël. Dy qëllimet kryesore të bankës janë rritur. Portofoli për bujqësinë dhe eficenca e bujqësisë, që janë edhe objektivat tonë pasi sjellin zhvillim, janë rritur në 2012-ën. Bujqësia ka patur një rritje mbi 9.8% dhe efienca e energjisë është rritur 23%.
Tek depozitat kemi pasur synimin, më pak depozita me afat dhe më shumë kursime, pasi është krijuar edhe një psikologji që duht të ndryshojë, ku depozita shihet si e vetmja alternativë e zhvillimit në vend. Kjo i shton kosto sistemit bankar.
Ne kemi edhe interesat më të ulëta të depozitave me afat, pasi kemi synimin tek kultura e kursimit. Kursimet rrriten me ritme të shpejta, mbi 95% në dy vitet e fundit.
Vendimi i BSH-së do të ketë shumë reagim këtë vit në interesat e kredive dhe depozitave.
-Si e prisni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës tuaj në vitin 2013, sidomos përsa i përket rritjes së kredisë dhe trendit të kredive me probleme?
Në Procredit, kreditë e këqija (NPL) janë frenuar dhe ulur. Ne e vendosëm që vjet të ishte viti I fokusimit tek ulja e NPL-ve dhe përmirësimi i portofolit. Objektivi ynë kryesor ishte koha, prandaj edhe ekzekutimet e kredive i kemi bërë shpejt. Edhe për kreditë me 31 ditë me vonëse kemi ecur shumë shpejt me ekzekutimin. Dhe efekti nisi brenda një muaji.
Ndryshimet që po bëhen në kodin e procedurave civile mund të krijojnë një fenomen të ri ku do duhet të përshtatemi shpejt. Këtu mbështes edhe guvernatorin, I cili ka deklaruar që kjo gjë (ekzekutimi i kredive) është një gjë që duhet bërë shpejt.
Ndërkohë, ecuria e kreditimit është pozitive, më shumë se vjet.
Ne jemi të fokusuar tek kreditimi dhe po shohim alternativat, sidomos me fokus tek bujqësia, që ka një rritje. Në marrëdhënie me klientët, ne kërkojmë një marrëdhënie afatgjatë, ku studiojmë potencialet e tyre.
Por gjithsesi, ky nuk ka për të qenë një vit i thjeshtë. Kjo për shkak të zgjedhjeve ku ka një ngërç që krijohet pas tyre, të ardhurave dhe importeve në rënie, borxhi në rritje, ku klientët nuk janë mësuar të bëjnë plane afatgjata pasi operojnë me cikle aftashkurtra, sepse pasiguria perceptohet e lartë. Rritja 8-10% konsiderohet pozitive për sistemin bankar për këtë vit.
– – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – –
Zgjedhjet, presion për uljen e investimeve
Flet Gazmend Kadriu, Drejtor i Përgjithshëm i Union Bank
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe bankës tuaj gjatë vitit 2012?
Në vështrim të parë, viti 2012 përbën një kthesë jo të mirëpritur të sistemit bankar. Sistemi shënoi një ulje domethënëse të ritmit të rritjes së depozitave. Rritja vjetore e kredisë rezultoi shumë e ulët. Këto ritme rritjeje janë në kontrast me përqindjet dyshifrore që sistemi bankar shqiptar i ka shënuar rëndom për vite me radhë. Edhe pse, nga ana tjetër, inkurajon fakti që vazhdoi një lloj rritjeje edhe tek depozitat edhe tek kreditë edhe në 2012, në një vit kur kishte shumë pikëpyetje në eurozonë dhe rreth valutës euro, në një vit kur vazhdoi thellimi i problematikës së kredive të këqija, sidomos nga aspekti i funksionimit të sistemit gjyqësor.
Union Bank ka pasur një zhvillim fatmirësisht të kundërt me zhvillimin e shënuar nga sistemi bankar. Në Union Bank, depozitat me afat, si kategori kryesore e fondeve, u rritën me 26%. Ndërkohë që kredia u rrit me 16%. Rritja e depozitave me ritëm të tillë, mjaft më të lartë se sistemi, është tashmë standard në bankën tonë. Por, e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për rritjen e kredisë. Disa vjet me radhë banka nuk ka arritur të përmbushë planin e saj ambicioz të kredisë-perceptimi për një risk kreditor në rritje na orientoi drejt shtrëngimit të standardeve kreditore. Si rrjedhim, ne rezultonim me rritje vjetore të kredisë të përafërt me nivelin e rritjes që shënonte sistemi bankar si i tërë. Mirëpo, duke qenë se banka jonë, që nga fillimi i vitit 2012, ishte në përmbushje të rregullores së re të Bankës së Shqipërisë për likuiditetin, e pati të lehtë që gjatë këtij viti të vazhdonte kreditimin duke shfrytëzuar njëkohësisht edhe ndaljen e rritjes së disa bankave të tjera. Kjo na bëri të arrijmë një nivel rritjeje të kredisë mjaft më të lartë se ai i sistemit.
Si e prisni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës tuaj në vitin 2013, sidomos përsa i përket rritjes së kredisë dhe trendit të kredive me probleme?
Në vitin 2013 hymë me këtë ‘bagazh’ të rritjes së ngadalësuar të kredisë, po edhe të depozitave të trashëguara nga viti 2012. Ky ngadalësim u vërejt në të dhënat e sistemit bankar edhe në fillim të këtij viti. Bëhet fjalë edhe për një vit elektoral, kur zakonisht vërehet edhe një lloj stepje e investimeve, në pritje se si do zhvillohen zgjedhjet dhe cili do të jetë rezultati. Rrjedhimisht, ka gjasa që do të kemi një tjetër vit ku do jemi mjaft të kënaqur nëse do të arrihet çfarëdo lloj rritjeje në sistem. Kjo nga ana tjetër sjell edhe një presion shtesë mbi cilësinë e kredisë në vend, meqenëse periudhat e stanjacionit ekonomik, për më tepër periudhat e kontraktimit kreditor, përgjithësisht shoqërohen me përkeqësim të mëtejshëm të trendit të kredisë me probleme në vend. Pritshmëria bazë është që ky tregues mund të përkeqësohet edhe pak.
Pavarësisht këtij konteksti negativ, gjatë hartimit të planit për vitin 2013, Këshilli Drejtues i bankës tonë nuk ndryshoi kursin e bankës dhe kërkoi nga banka që të sigurohet një vazhdimësi e rritjes edhe në depozita, edhe në kredi. Kështu, për vitin 2013, rritja e parashikuar për depozitat është 23%, ndërsa për kredinë është 19%. Dy muajt e parë të vitit, depozitat në bankën tone u rritën me 5.5%, gjë që tregon se rritja e parashikuar e depozitave pritet të realizohet. Nga ana tjetër, sfida mbetet tek rritja e kredisë, ku vazhdojmë të përballemi me një numër të vogël të projekteve të kreditueshme në fushën e biznesit. Presim që me fushatën agresive të kredisë për shtëpi do të kompensojmë një pjesë të kësaj ‘amullie’ të kredive të biznesit, në mënyrë që edhe në fushën e kredisë të arrijmë ritmet e parashikuara të rritjes.
Rritja vjetore e bankës tonë, por akoma më shumë e sistemit bankar, do të varet edhe nga realizimi i masave të fundit të bëra publike nga Banka e Shqipërisë për stimulim të kreditimit në vend. Këto masa janë në drejtimin e duhur dhe vijnë në kohën e duhur. Ato do të ndihmojnë ri-nxitjen e kreditimit në vend, duke krijuar hapësira shtesë për kreditim brenda situatës aktuale, ku ka gjithsesi një nivel të kënaqshëm të likuiditetit dhe kapitalizimit të sistemit bankar. Shumë i rëndësishëm do të jetë edhe ndryshimi i Kodit Civil dhe procedurave përkatëse. Në një situatë ku çalon siguria elementare juridike e bankave në fushën e ekzekutimit të kredive, është për t’u vlerësuar dhe përshëndetur fakti që sistemi bankar arrin të realizojë çfarëdo rritje të kreditimit. Nëse shoqëria nuk furnizon këtë të mirë publike të sigurisë juridike në fushën e kreditimit, vështirë se mund të pritet që bankat të furnizojnë shoqërinë me kreditë e nevojshme për zhvillimin e saj.
Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?
Sistemi bankar ka dhënë dëshmi të shumta të shkathtësisë dhe zhdërvjelltësisë së tij për të ruajtur stabilitetin, por edhe për të siguruar një zhvillim, kjo në kushtet kur rrethanat e jashtme janë shumë negative. Ndodhi kriza e madhe ndërkombëtare e vitit 2008; kriza u rikthye me theks të veçantë në Bashkimin Europian dhe dy shtetet partnere kryesore të Shqipërisë- Greqinë dhe Italinë-duke prekur edhe sistemet bankare europiane. Brenda Shqipërisë ndodhi një ngadalësim i dukshëm i ritmit të rritjes ekonomike, probleme me borxhin publik, zhvlerësim i monedhës kombëtare, përkeqësim i performancës së sistemit gjyqësor, rritje e kredive në vonesë. Pavarësisht se të gjithë këto faktorë kishin pasoja, edhe individualisht edhe të kombinuara, sistemi bankar shqiptar arriti të absorbojë ndikimin e tyre dhe të ruajë stabilitetin e vet, madje edhe të shënojë rritje në këto kushte. Në një kohë kur në mjaft shtete të tjera bankat ishin gjeneratore të krizës, në Shqipëri bankat gjatë gjithë kohës kanë gjeneruar stabilitet dhe efekte kundërkrizë, efekte shumë të mirëpritura kundërciklike.
Nuk kam asnjë dyshim se sistemi bankar, në krye me Bankën e Shqipërisë, ka gjithë forcën dhe kapacitetin e duhur për t’i bërë ballë edhe sfidave të tjera që mund të shfaqen në periudhat afatshkurtra dhe ato afatmesme. Prandaj edhe nuk shoh nevojë t’i listoj ato. Një pjesë e mirë e problemeve të sipërpërmendura nuk ishin të menduara apo planifikuara në vitin 2007-2008. Sistemi bankar arriti t’i përballojë. Një pjesë e sfidave tani duken më qartë në horizont; mund të dalin edhe sfida të paparashikueshme. Edhe ato do të përballohen. Sfida kryesore nuk ka të bëjë me vetë-mbrojtjen si një fuqi të dëshmuar të sistemit bankar, por me sigurimin e kushteve që sistemi bankar të ndihmojë maksimalisht sa mundet zhvillimin e vendit. Masat e paralajmëruara për nxitjen e kreditimit, po sidomos ndryshimet e Kodit Civil në pjesën e kolateraleve bankare, do të jenë një hap shumë i mirë në këtë drejtim.
– – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – –
Viti 2013 do të jetë edhe më sfidues
Flet CEO i First Investment Bank, Bozhidar Todorov
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës tuaj në 2012?
Pavarësisht kushteve të luhatshme të biznesit, që kanë ardhur si rrjedhojë e krizës ekonomike që po vazhdon në pjesë të Eurozonës dhe shteteve fqinje dhe kufizimeve në tregjet financiare, sistemi bankar ka pasur ecuri relativisht të mirë në vitin 2012.
Porsa i përket Fibank Albania, mund të themi se 2012-a ishte një pikë kthese. Në 2012-n, First Investment Bank, në mënyrë të suksesshme, tejkaloi sfidat e mjedisit të brendshëm dhe të jashtëm dhe rezultatet janë si kurrë më parë. Me një rritje prej 46% në aktivet totale, pothuajse 60% në depozitat e konsumatorëve dhe 43% rritje në hua, Fibank renditet e para porsa u përket normave të rritjes. 2012-a ishte gjithashtu i rëndësishëm për një tjetër arsye, për shkak se ne kaluam pikën ku të ardhurat barazohen me shpenzimet dhe rezultuam me fitim, që na renditën ne të gjashtët midis bankave të tjera në sistemin bankar për fitimin pas taksave. Gjithashtu, treguesit e performancës, kthyeshmëria nga Aktivet prej 0.73% dhe kthyeshmëria nga Kapitali, e rendisin bankën tonë midis tri bankave kryesore. Rritja jonë është domethënëse, jo vetëm në përqindje, por edhe në vlerë nominale. Krahasuar me bankat e tjera, rritja prej 30 milionë eurosh që kishim në totalin e aktiveve është e pesta më e madhja në sistem, ndërkohë që Fibank renditej e 6-a dhe e 4-ta për rritjen nominale në huatë neto dhe depozitat e konsumatorëve, përkatësisht.
Cilat janë pritshmëritë e sistemit bankar dhe bankës tuaj në 2013, porsa i përket rritjes së kreditimit dhe nivelit të kredive me probleme?
Sigurisht 2013-a mund të jetë edhe më sfidues për ekonominë shqiptare dhe sistemin bankar krahasuar me 2012-n, për shkak të rritjes së huave me probleme. Rritja e aktivitetit të huadhënies në një mjedis të tillë dhe me këtë prirje është pa dyshim sfida kryesore e sistemit bankar. Gjithsesi, Fibank ka planifikuar që të vazhdojë ritmet e rritjes në huadhënie, me të njëjtën shpejtësi të vitit të kaluar dhe do të vazhdojë që t’u ofrojë produkte të reja krediti dhe skema fleksible financimi, por duke balancuar në mënyrën e duhur rrezikun dhe përfitueshmërinë.
Cilat janë sfidat më të mëdha të sistemit bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?
Sfida më e madhe për sistemin bankar është që të gjejë rrugët e duhura për të financuar ekonominë shqiptare, që ende nuk duket të rimëkëmbet nga problemet si mungesa e likuiditetit, ose informaliteti. Gjithsesi, çdo situatë e vështirë sjell mundësi, nga të cilat Fibank kërkon të përfitojë, duke përforcuar cilësinë e produkteve dhe shërbimeve, ndërkohë që mban një model fleksibël biznesi.
– – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – –
Zhvillim në territore “të pambuluara”
Intervistë me Drejtorin e Përgjithshëm të Veneto Banka, dr. Lucio Gaita
Brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohe, banka juaj ka hapur disa degë të reja, ndërkohë kur rrjeti i përgjithshëm bankar ka një zgjerim tepër të kufizuar. Cila është arsyeja prapa një lëvizje të tillë?
Veneto Banka është një bankë relativisht e re në sistemin bankar shqiptar, e blerë vetëm në vitin 2009 nga Grupi Veneto Banka, me qendër në Trevizo të Italisë. Një nga qëllimet kryesore të këtij grupi mjaft dinamik në Itali, është shtrirja në territore të reja me banka të konsoliduara. Ndoshta kjo mund të jetë pak e guximshme në këtë moment, kur ndihen efektet e krizës si kudo, e kur bankat e tjera, sipas opinionit tim, janë në momente reflektimi. Këtu bazohet dhe strategjia jonë, ku theksi vendoset mbi shfrytëzimin e kapaciteteve tregtare, kryesisht në përzgjedhjen e klientelës. Konkretisht, synohet një potencial zhvillimi i gërshetuar me zgjerimin e veprimtarisë në treg, kryesisht duke hapur filiale të reja në territore “të pambuluara”. Kjo, falë dhe përzgjedhjes me kujdes se ku ato do të operojnë, sipas një procesi gërshetimi të vlerave dedikuar shërbimit të klientëve dhe stafit të përkushtuar e mjaft profesional.
Si pjesë e një prej grupeve bankare më të mëdha në Itali, mund të shpjegoni shkurtimisht strategjinë e biznesit për të zgjeruar veprimtarinë bankare në Shqipëri?
ADN-ja e të gjitha bankave të Grupit Veneto Banka, kudo ku grupi vepron tradicionalisht prej vitesh me bankat e tij, është marrëdhënia e drejtpërdrejtë, duke iu ofruar klientëve shërbime bankare cilësore.
Grupi Veneto Banka është i pranishëm prej vitesh në vendet e Europës Juglindore, duke kontrolluar kapitalin e disa bankave në: Rumani (Banca Italo Romena), Moldavi (Eximbanka) dhe Kroaci (Veneto Banka). Banka iu shërben klientëve tanë jashtë territorit italian, me një numër të madh filialesh, pasi Grupi Veneto Banka është grupi i tretë bankar italian me më shumë filiale jashtë Italisë. Mjaft biznese të vogla e të mesme italiane operojnë prej kohësh në Europën Juglindore, dhe shumë prej tyre janë mjaft aktive, me investime strategjike. Këto biznese kanë përzgjedhur bankat e Grupit Veneto Banka si partnere në zhvillimin e tyre në këto territore; për më tepër në Shqipëri, ku aktualisht Italia është partneri kryesor tregtar me afërsisht 45% të totalit të shkëmbimeve tregtare. Nisur nga kjo, Grupi Veneto Banka evidentoi Shqipërinë si treg potencial zhvillimi të biznesit italo-shqiptar, që për hir të së vërtetës, po shënon çdo vit stabilitet në shkëmbimet tregtare. Mendoj se ky treg ka shumë potenciale zhvillimi e rritje në të ardhmen në disa sektorë strategjikë, të cilët do të kenë ndryshime pozitive në Shqipëri, të krahasueshme me vendet e tjera në rajon. Këtu mund të përmendim investimet në sektorin e turizmit, burimet natyrore, energjinë, infrastrukturën etj.
Si e shihni ju pozicionimin e Veneto Banka në sektorin bankar shqiptar dhe në sistemin financiar?
Është i rëndësishëm të evidentohet fakti që Veneto Banka nuk mund të krahasohet me bankat e tjera më të mëdha, që operojnë prej vitesh në sistemin bankar shqiptar, si dhe me shtrirjen e tyre me një numër të konsiderueshëm filialesh, thuajse në çdo qytet të Shqipërisë. Gjithsesi, nisur nga eksperiencat e ndryshme në të tetë qytetet ku ne operojmë me filialet tona në Shqipëri, mendoj se gjithçka duket pozitive. Sigurisht, ka një rritje mjaft të dukshme, e pasqyruar kjo dhe në raportet e AAB-së. Ajo që do doja unë të konfirmoja si Drejtori i Përgjithshëm i Veneto Banka, është se strategjia jonë do të jetë ajo e mbajtjes së po të njëjtës ecuri.
Intervistuan:
Ornela Liperi
Laura Çela
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.