Flasin Christian Canacaris, CEO i Raiffeisen Bank në Shqipëri; Silvio Pedrazzi, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv, Intesa Sanpaolo Bank; Artan Santo, Drejtor i Përgjithshëm, Credins Bank; Frédéric Blanc, drejtor i përgjithshëm i Societe Generale Albania; Ioannis Kougionas – Drejtor i Pergjithshem Banka NBG Albania; Adela Leka, Anëtare e Drejtorisë Ekzekutive, ProCredit Bank; Gazmend Kadriu, drejtor i përgjithshëm i Union Bank; Daniele Scavaortz – Drejtori i Përgjithshëm i Veneto Banka sh.a; Gideon van den Broek, drejtor i International Commercial Bank (ICB)
INTRVISTAT E BANKIERËVE
Jemi më pozitivë për 2014-n
Intervistë me z. Christian Canacaris, CEO i Raiffeisen Bank në Shqipëri
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës tuaj në vitin 2013?
2013-a nuk ishte viti më i mirë për sistemin bankar. I gjithë viti u karakterizua nga kërkesa e ulët për kredi dhe ne pamë rritjen e tendencës të huave me probleme.
Raiffeisen Bank në Shqipëri, pavarësisht mjedisit të vështirë, arriti që të performojë fare mirë. Ne kishim një nivel shumë të pranueshëm të objektivave të performancës, ndërkohë që ruajtëm një nivel stabël të NPL-ve. Gjatë vitit të kaluar, ne arritëm një ecuri shumë të mirë të kompanisë sonë të menaxhimit të aktiveve.
Cilat janë pritshmëritë e sistemit bankar dhe bankës tuaj në 2014, për sa i përket rritjes së kredive dhe trendit të NPL-ve?
Ne jemi më pozitivë për këtë vit. Marrëveshja me FMN ka krijuar një situatë pozitive dhe pagimi i detyrimeve të prapambetura do të ndihmojë situatën ekonomike. Ne po shohim disa projekte të reja me cilësi të mirë, që po vijnë në bankë, të cilat do të jemi të lumtur t’i mbështesim.
Unë jam optimist se ky vit do të jetë më i mirë se ai i kaluari, sidomos pas tremujorit të dytë.
Për sa u përket kredive me probleme, është e vështirë të parashikohen. Unë pres një rënie, veçanërisht pasi disa detyrime të paguhen nga qeveria, por duhet të shohim. Ne jemi shumë të kujdesshëm me këtë dhe e kontrollojmë me shumë rreptësi situatën e klientëve tanë në bankë.
Unë mendoj se sektori i produkteve është një ndër më potencialët për kreditim. Sektori i dytë është bujqësia: Unë mendoj se Shqipëria duhet të jetë një eksportues neto.
Cilat janë sfidat më të mëdha të sistemit bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?
Sfida më e madhe është të gjejmë projekte të mira dhe me cilësi të lartë për të financuar, veçanërisht në fushën e prodhimit.
—————–
Cikli ekonomik do të gjallërohet; bankat ecuri shumë më të mirë në 2014
Intervistë me z. Silvio Pedrazzi, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv, Intesa Sanpaolo Bank
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe bankës tuaj për vitin 2013?
Për sa i përket ecurisë së sistemit bankar për vitin 2013, mendoj se është evidente, duke pasur parasysh rezultatet, se ishte kryesisht një vit i vështirë dhe sistemi bankar nuk ishte aq i suksesshëm sa dëshironim.
Duke pasur parasysh situatën në tërësi dhe këtu e kam fjalën edhe për situatën e jashtme, kjo nuk duhet konsideruar një çështje kaq e madhe.
Pse, sepse në çdo rast, duke pasur parasysh nivelin e kapitalizimit të sistemit dhe normën e lartë të raportit të depozitave ndaj huas, të gjitha bankat mund të konsiderohen më shumë se të sigurta. Dhe ky është një parakusht për të rezultuar me fitim dhe për të dhënë më shumë hua me një shpejtësi më të madhe.
Gjatë vitit të kaluar, bankat janë ndikuar nga niveli i lartë i kredive me probleme dhe kjo është arsyeja kryesore që ka çuar në rritjen e kostove dhe humbjeve. Unë mund të them që, edhe pse nuk ka asnjë evidencë që niveli i huave joperformuese (NPL) ka arritur pikun, shpresoj se rritja e tyre do të ngadalësohet.
Ne jemi shumë të kënaqur me rezultatet e bankës sonë, sepse duke pasur parasysh situatën me huat me probleme dhe normat e ulëta të interesit, Intesa Sanpaolo Bank Albania, ishte në gjendje, në sajë të menaxhimit të shkëlqyer të kostove të mbajë një nivel, e përsëris të shkëlqyer të raportit kosto-të ardhura, duke siguruar një normë përfitueshmërie, që mund të konsiderohet ndër më të mirat.
Si e prisni ecurinë e sistemit bankar dhe bankës tuaj për vitin 2014?
Unë jam optimist, duke pasur parasysh lajmet e mira që vijnë nga sektori publik, si marrëveshja me FMN, Bankën Botërore dhe faktit që qeveria do të paguajë detyrimet e prapambetura të biznesit, ne kemi filluar të konstatojmë se që tani likuiditeti në sistem po rritet dhe ky do të ketë një parakusht në mënyrë që të fillojë sërish aktiviteti i investimeve nga korporatat.
Gjithashtu, duke pasur parasysh vendimet që janë marrë nga institucionet, jam shumë optimist që cikli ekonomik do të rigjallërohet, i ndihmuar edhe nga rimëkëmbja e ngadaltë që po shohim në vendet fqinje. Pra në rast se nuk do të ndodhë ndonjë gjë negative ose e jashtëzakonshme në vitin 2014, mendoj se bankat do të kenë një ecuri shumë më të mirë këtë vit.
Unë mendoj gjithashtu se ne duhet të gjejmë një mënyrë për të stimuluar sektorin privat, po ashtu edhe individët. Normat e interesit janë shumë të ulëta, nuk kanë qenë ndonjëherë kaq të ulëta, ndaj mendoj se duhet të jemi pozitivë për ecurinë e këtij viti.
Pritshmëritë janë pozitive në tërësi dhe në rastin e bankës tonë, mendoj se do të jenë më të mira se vitin e kaluar. Shumë do të varet nga fakti nëse korporatat do të rrisin kërkesën për hua, që tashmë është shumë e dobët, por ne do të jemi në gjendje të vëzhgojmë me siguri uljen e normave të interesit të letrave me vlerë dhe me siguri që do të kemi një cilësi më të mirë në portofolin e huave.
Këtë vit, ne rritëm akoma më shumë normën e mbulimit të kredive me probleme.
Në këtë drejtim, duke folur sërish për NPL-të, ne po bëjmë më të mirën në mënyrë që të ndihmojmë kompanitë që plotësojnë kushtet, që të ristrukturohen dhe po shikojmë për një rritje domethënëse të huadhënies në ekonominë reale, që është diçka që konsiderohet si strategjike për bankën dhe vendin.
Në lidhje me ecurinë e sistemit bankar në tërësi, duke pasur parasysh nivelin tepër të lartë të likuiditetit, është e lehtë për mua që të parashikoj një nivel më të lartë të konkurrencës mes bankave.
Konsiderata ime personale është se bankat, që duan të kenë sukses duhet të jenë shumë më afër klientit, shumë më tepër transparente dhe gjithashtu pak më shumë të drejta. Ne duhet të përmirësojmë dialogun me klientët tanë dhe ka shumë hapësirë për përmirësim domethënës.
Niveli i NPL-ve sot është më i larti në rajon. Si e prisni ecurinë e këtij treguesi?
Po, është e vërtetë, që në bazë të të dhënave zyrtare është ndër më të lartët, por ky nivel varet gjithashtu nga metodologjitë e ndryshme që zbatohen në vende të ndryshme.
Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë masash pozitive dhe gjithashtu dhe marrëveshja me FMN dhe Bankën Botërore duhet të ndihmojë sistemin që në tërësi të reduktojë nivelin e huave me probleme, përmes injeksionit të likuiditetit që ne do të vëmë re këtë vit.
Ndonëse përmirësimi i zbatimit të ligjit të ekzekutimit të kolateralit nuk ka dhënë ende ndikimin e plotë, ne po konstatojmë përmirësim të ndjeshëm të procedurave. Kombinimi i dy faktorëve të mësipërm duhet të ndihmojë sistemin që të reduktojë nivelin e kredive me probleme.
Në çdo rast, mund të konfirmoj se të paktën në bankën tonë, fluksi i ri i huave me probleme po reduktohet. Ndaj përsëri jam optimist, edhe pse nuk ka evidenca konkrete se niveli i NPL-ve në Shqipëri ka arritur kulmin, por mendoj se është e njëjta gjë edhe për vendet e tjera. Shumë do të varet nga shtetet fqinjë, veçanërisht nga Italia dhe Greqia, pjesë e të cilave është edhe ekonomia shqiptare.
Po ecurinë e kreditimit?
Unë do të thosha që oreksi ynë për të dhënë hua nuk është reduktuar. Ne e kemi vëzhguar ekonominë shqiptare. Ne kemi identifikuar sektorët që do të donim të financonim dhe të zhvillonim dhe unë mendoj se duhet të flasim rreth ekonomisë reale, industrisë përpunuese, infrastrukturës dhe ndoshta të reduktojmë ekspozimin në sektorë të tjerë që nuk kanë të ardhme.
Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar. Cilat janë leksionet e mësuara nga kriza e fundit?
Më lejoni të bëj një shaka me këtë. Ne kemi mësuar disa leksione, kryesisht ne kuptuam se kemi bërë shumë gabime dhe kemi mësuar prej tyre, dhe tani është koha që të mos i harrojmë këto mësime.
Me siguri bankat duhet të jenë më të kujdesshme në vlerësimin e aplikimeve të kredive sidomos për projekte të reja, kjo nënkupton gjithashtu që huamarrësit duhet të përballojnë investimet dhe financimet e reja bazuar në analiza konkrete.
Ndaj, ne duhet thjesht të zbatojmë atë që e dinim që nga fillimi, nuk ka asgjë të re për t’u zbuluar, kjo çmenduri kolektive ka marrë fund. Duhet t’i kthehemi financimit të projekteve konkrete, bazuar në një plan serioz, aftësive sipërmarrëse, kolateraleve të mira dhe në përgjithësi, rregullave universale.
————
Sfidë modeli i ri ekonomik, bazuar te prodhimi dhe zgjerimi i tregjeve
Intervistë me z. Artan Santo, Drejtor i Përgjithshëm, Credins Bank
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe bankës tuaj gjatë vitit 2013?
Ishte parashikuar që 2013-a do të ishte një vit i vështirë, por realisht rezultoi edhe më i vështirë nga parashikimi i bërë, duke inkluduar edhe atmosferën disamujore elektorale, që krijoi jo vetëm bllokim të funksioneve të ekonomisë, por edhe rënie vertikale të vetë qenies ekonomike dhe financiare të vendit. Sistemi bankar u tkurr ndjeshëm, duke qenë pjesëmarrës i proceseve të domosdoshme dhe bazë të mbajtjes së ekonomisë, por mjaft pasiv në dhënien e impulseve rritëse. Me gjithë sinjalet e forta dhe nismat që Banka e Shqipërisë dha herë pas here, sistemi bankar, ndonëse nuk u perceptua si motivues gjatë 2013-s, por krijoi një strukturë ndjeshëm të dukshme qëndrueshmërie, çka bëri që të dy vitet më të vështira të ekonomisë shqiptare, 2012-2013, të perceptoheshin si shumë të vështirë, por plotësisht të kontrollueshëm dhe të monitoruar.
Ne si Credins Bank, u ndiem shumë të përgjegjshëm për ndihmesën tonë ndaj ekonomisë vendase, në atë situatë kur kërkohej të rritej kreditimi i ekonomisë dhe të kishte tjetër trend pozitiv konsumi. Patëm një rritje të konsiderueshme të portofolit të kredisë, duke u renditur banka e tretë në vend për sa i përket portofolit të kredisë aktive dhe madje e para në vlerë absolute rritjeje të portofolit të korporatave. Në të njëjtën kohë, niveli i kredive joperformuese qëndron shumë më poshtë se niveli mesatar i sistemit dhe përfitueshmëria ishte e kënaqshme për një vit krize si ky që kaloi.
Ndërkohë vetë sistemi bankar, pati kohën e mjaftueshme të riorganizohej dhe të përballej me stres-testet, që në vetvete ishin një autokontroll dhe ndryshim i dukshëm i politikave të bankave ndaj një situate ekonomike, si ajo që kaloi. Kjo ishte një shenjë e mirë, ku të gjitha palët në sistem a jashtë tij, nën një monitorim si kurrë më parë të BSH, apo me ndryshimet e qenësishme rregullative qoftë për sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit, qoftë për sa i përket ristrukturimit të kredive, si dhe monitorimin e vazhdueshëm arritën të gjenerojnë të tjera burime për t’u bërë ballë situatave, duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin e një aktiviteti normal nga ana e sistemit bankar. Niveli i kredive me probleme, pas rritjes galopante, mbeti në nivelet e 23-24%, që ndonëse një shifër e lartë, nuk rrezikon aspak vazhdimësinë e aktivitetit normal të bankave. Sigurisht që mirëkapitalizimi i bankave dhe likuiditeti i mjaftueshëm i bankave lehtësuan dukshëm veprimtarinë e tyre gjatë 2103-s.
Si e prisni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës tuaj në vitin 2014, sidomos për sa i përket rritjes së kredisë dhe trendit të kredive me probleme?
Viti 2014, gjithsesi ka nisur me optimizëm, ndonëse nuk mund të thuhet që është vit i lehtë dhe me problematika të bartura tashmë të zgjidhshme, përkundrazi. Viti që jemi do të ketë vështirësitë e “lëngatës” dyvjeçare të ekonomisë në tërësi dhe për rrjedhojë, kthesa dhe ndryshimet e treguesve makro do të duan kohë të krijojnë rrjedhën e tyre të re, me trend pozitiv. E shoh 2014-n si pjesë e ndryshimeve pozitive, veçanërisht në sjelljen e biznesit ndaj njëri-tjetrit, ndaj vetë institucioneve shtetërore dhe bankave. Deklarimet e këtyre ditëve të ministrit të Financave, si dhe fillimi tashmë i procesit të pagesës së detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit e përforcojnë logjikën e ndryshimit, e për rrjedhojë do të kemi një rigjallërim të aktivitetit ekonomik në vend, që sigurisht do të shoqërohet me rritje të qëndrueshme të aktivitetit kreditues të bankave.
Për sa i përket nivelit të kredive me probleme, skema e re e ristrukturimit të kredisë, si dhe ndryshimet ligjore për sa u përket kredive të fshira nga bilanci do të japin një efekt pozitiv, duke shënuar ulje, mendoj të ndjeshme të këtij treguesi. Është një proces tashmë i nisur dhe që po jep rezultatet e para.
Credins Bank, edhe këtë vit, ka një objektiv rritjeje prej 10-12%. Përcaktimi nga ana jonë i sektorëve strategjikë të zhvillimit të bankës, si eficienca e energjisë dhe energjia e rinovueshme, por edhe bujqësia përputhen tërësisht me përparësitë e vendosura edhe nga qeveria shqiptare e madje i shërbejnë mjaft edhe krijimit të një modeli të ri ekonomik në Shqipëri, të drejtuar nga prodhimi dhe jo më nga ofrimi i shërbimeve si deri më tani. Prioritetet tona janë gjithashtu edhe prioritete të partnerëve tanë si IFC, EBRD e EFSE me të cilët vazhdojmë bashkëpunimin prej vitesh dhe madje vit pas viti e përforcojmë atë me nënshkrimin e kontratave të reja, që lidhen me fushat e mësipërme.
Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm. Si e vlerësoni efikasitetin e masave të marra nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit të fundit?
Siç e përmenda edhe më lart, sfida më e madhe do të konsistojë në rritjen e kreditimit dhe përqasjen pozitive të menjëhershme ndaj një rritjeje potenciale të likuiditetit në treg, pas lëvrimit të këstit të parë të kredisë së FMN. Për sa u përket kredive me probleme, mendoj që frenimi i rritjes së këtij treguesi gjatë muajve të fundit të vitit që lamë pas, si dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë do të ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin e këtij treguesi. Kjo është sfidë e vërtetë. Dhe e gjykoj tërësisht të realizueshme, pasi interesat e bankave për t’u marrë me klientët problematikë dhe për t’i çliruar bilancet e tyre nga ata, po gjen konkretizim të përditshëm dhe konstant nga vetë mënyra se si BSH e organizoi këtë proces jo pak të vështirë.
Sistemi bankar sërish do të ndeshet ende me mungesën e kulturës bankare të biznesit në veçanti dhe me mungesën e kulturës së drejtimit të biznesit në përgjithësi. Edukimi, veçanërisht i biznesit, në një marrëdhënie transparente dhe të efektshme me bankën do të mbetet edhe këtë vit një sfidë për të gjithë sistemin bankar dhe të ekonomisë në përgjithësi.
Nga ana tjetër, ajo që është më rëndësishmja, e dalë edhe si imperativ i një sjelljeje tjetër të ekonomisë vendase, brenda saj por edhe në raport me zhvillimet në tërësi, do të jetë krijimi i një modeli të ri ekonomik të bazuar te prodhimi dhe zgjerimi i tregjeve, duhet të jetë gjithashtu një sfidë, por njëkohësisht edhe një mundësi për ne. Nuk është aspak një veprim i lehtë i qeverisë shqiptare, por i domosdoshëm për t’u realizuar, pasi mënyra e parë për t’u përafruar me teknologjinë e ndryshimit është prodhimi, natyrshëm dhe si rrjedhojë logjike edhe shërbimi, por në një treg mbarëshqiptar dhe panballkanik më të madh, ku krijon edhe mundësi biznesi dhe fitimi më të mëdha. Idetë e mëdha lindin edhe në tregjet e vogla, por mundësitë e mëdha lançohen në tregjet e mëdha, ku edhe shkëmbimi dhe përfitueshmëria gjejnë hapësira veprimi. E gjitha kjo përkthehet në më shumë biznes për sistemin bankar që, nga ana e tij, e kthen në rritje të produkteve të tij në të mirë të zhvillimit.
—————
Injektimi i likuiditetit nga shteti do të përmirësojë pritshmëritë e bizneseve e individëve
Intervistë me z. Frédéric Blanc, drejtor i përgjithshëm i Societe Generale Albania
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës tuaj në 2013?
Ecuria e sistemit bankar gjatë vitit 2013 u ndikua nga kërkesa e ulët për kredi në treg dhe një nivel i lartë i kredive me probleme (NPL). Bankat i kanë hequr tashmë mënjanë provigjonimet (provigjonet) e nevojshme për nivelin e lartë të NPL, si rrjedhojë pritet një performancë më e mirë për sa i përket riskut gjatë këtij viti, që do të varet edhe nga shpejtësia dhe efektshmëria e procesit të ekzekutimit të kolateralit. Gjatë vitit 2013, kërkesa për kredi ishte e ulët, duke rezultuar me një rritje negative të kredisë për sistemin, dhe si rrjedhojë më pak mundësi për bankat për të zgjeruar aktivitetin e tyre që do të sillte si efekt anësor edhe uljen e nivelit të NPL. Gjithsesi, sistemi mbetet i fortë, për shkak të bazës së qëndrueshme të kapitalit dhe likuiditetit të bollshëm.
Për sa i përket Societe Generale Albania, banka arriti një performancë pozitive në 2013, duke vazhduar rrugën e saj të qëndrueshme të rritjes, ndërkohë që ka mbajtur një nivel të ulët të kredive me probleme, nën 9%. Ne e arritëm këtë ecuri përmes zhvillimit komercial të kombinuar me një kontroll të rreptë të shpenzimeve dhe një sistem eficent të menaxhimit të riskut, strategji e cila do të ndiqet edhe në vitin 2014.
Cilat janë pritshmëritë e sistemit bankar dhe bankës tuaj në 2014, për sa i përket rritjes së kredive dhe trendit të NPL-ve?
Sistemi bankar shqiptar është përballur vitet e fundit me një rritje të vazhdueshme të kredive me probleme, norma e të cilave tashmë ka arritur në nivele shqetësuese prej rreth 25%. Arsyet për këtë rritje të shpejtë janë të shumta, por për mendimin tim, më të rëndësishmet janë ngadalësimi i rritjes ekonomike dhe standardet e huadhënies të zbatuara gjatë kohës së lulëzimit të kredisë.
Banka Qendrore Shqiptare ka ndjekur një strategji aktive për të kontrolluar dhe për të reduktuar NPL-të dhe ndryshimet e fundit në rregulloren e bankës qendrore dhe kodin civil do të kenë një efekt pozitiv në uljen e kredive me probleme.
Shoqata Shqiptare e Bankave po luan gjithashtu një rol të rëndësishëm dhe në rritje, për të mbështetur industrinë bankare në tërësi.
Megjithëse aktiviteti ekonomik do të vazhdojë të ketë një rritje të moderuar gjatë këtij viti dhe kjo do të vazhdojë të ndikojë institucionet financiare, jam optimist se sektori financiar do ta tejkalojë këtë situatë.
Ky besim është i bazuar në kapitalizimin shumë të mirë të bankave (CAR prej 16%), likuiditetin e bollshëm, normat e larta të provigjionimit për huat me probleme, por më e rëndësishme, te masat e ndërmarra për të reduktuar NPL-të dhe rritjen e ndërgjegjësimit të bankave për nevojën për një menaxhim të shëndetshëm të riskut dhe standarte të larta të huadhënies.
Megjithëse pjesa më e madhe bankave kanë vullnetin për të dhënë kredi, rritja e ulët e huas vjen si rrjedhojë e një mungese të kërkesës, si nga individët ashtu dhe nga bizneset. Unë mendoj se rritja e kredisë do të vazhdojë të jetë e dobët gjatë gjysmës së parë të vitit dhe më pas do të rimëkëmbet në pjesën tjetër të vitit. Kjo pritshmëri bazohet në situatën e përmirësuar ekonomike dhe ajo që është më e rëndësishme në pritshmëritë për një besim më të mirë të konsumatorëve në gjysmën e dytë të vitit. Në këtë besim të përmirësuar të konsumatorëve, një ndikim të madh do të ketë pagimi i detyrimeve nga ana e shtetit, që përveç injektimit të likuiditetit në treg do të përmirësojë edhe pritshmëritë e bizneseve, madje edhe të individëve, për të ardhmen.
Cilat janë sfidat më të mëdha të sistemit bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?
Në opinionin tim, sfidat më të mëdha me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm janë:
-Ulja e përfitueshmërisë dhe përkeqësimi i bilanceve për shkak të kërkesës së ulët për hua dhe rivlerësimit të portofolave
-Ekspozim i lartë i sistemit bankar kundrejt borxhit të qeverisë
-Kriza ekonomike që çon në kërkesë të ulët për kredi nga konsumatorët
-Niveli i lartë i NPL-ve dhe menaxhimi i portofolit të NPL-ve
Sistemi bankar shqiptar ka kapacitetin për të përballuar në mënyrë eficente këto sfida, duke ngritur kapacitetet e brendshme, përmes fuqizimit të bilanceve të bankave dhe vënies së theksit te burimet njerëzore dhe duke përshtatur modelin e biznesit ndaj kushteve të reja të tregut.
Banka Societe Generale Albania ka rezultuar me fitim për tre vite radhazi dhe po e përmirëson tendencën, që është në ditët e sotme një pikënisje e privilegjuar për rezultate pozitive. Ne kemi investuar shumë në burime njerëzore për disa vite dhe jemi krenarë që u mundësojmë klientëve tanë të përfitojnë nga ekspertiza e stafit tonë në përgjigje të nevojave të tyre.
Ulja e përgjithshme e kërkesës dhe likuiditeti më i ulët në qarkullim i ka nxitur kompanitë dhe individët që të optimizojnë burimet e tyre dhe të ulin shpenzimet, si rrjedhojë ata janë tashmë shumë më të ndjeshëm ndaj kostos së produkteve bankare, në raport me më parë. Ndërkohë, kompanitë dhe individët janë më kërkues për sa i përket ekspertizës dhe shërbimeve cilësore. Ajo që është më e rëndësishme, sot kompanitë i vlerësojnë bankat lidhur me aftësinë e tyre për të mbështetur bizneset jo vetëm në ditë të mira, por gjithashtu në kohë të vështira, me të cilat po përballet pjesa më e madhe e kompanive. Si rrjedhojë, sfida është që të vendoset një marrëdhënie afatgjatë me klientët, bazuar në cilësinë e shërbimeve të ofruara.
Në Societe Generale Albania, modeli ynë i biznesit është i organizuar rreth klientëve. Menaxherët e Marrëdhënieve me klientët janë të përqendruar vetëm në mbështetjen e klientëve, njohjen e detajeve të bizneseve të tyre ose nevojave individuale dhe pjesa tjetër e bankës është aty për të mbështetur Menaxherët e Marrëdhënieve.
Në vitin 2014, grupi Societe Generale do të festojë 150-vjetorin e tij. Do të jetë gjithashtu një vit që do të intensifikojë mbështetjen e tij për Shqipërinë, pavarësisht madhësisë dhe sofistikimit të tregut lokal. Si rrjedhojë, Societe Generale Albania do të vazhdojë të përfitojë nga ekspertiza, kapitali dhe reputacioni i Societe Generale Group dhe ekipi ynë po punon fort që të mundësojë klientët tanë të jenë marrësit realë të këtyre përfitimeve.
——————–
Viti 2014 do të na vendosë përballë sfidash të reja
Intervistë me Ioannis Kougionas – Drejtor i Përgjithshëm Banka NBG Albania
– Si e vlerësoni performacën e sistemit bankar dhe të bankës tuaj në 2013-ën?
2013 ka qenë një viti i vështirë për ekonominë botërore e karakterizuar nga tregje me volatilitet të lartë, ulje të ekspansionit ekonomik dhe ndryshime të vazhdueshme brenda sektorit të shërbimeve financiare. Këto dinamika kanë pasur pa dyshim ndikim në ekonominë shqiptare, e cila pësoi një rënie të fortë të zhvillimit të përgjithshëm dhe si pasojë e rritjes së borxhit publik me 70.5% (ku 5.3% të GDP përbëjnë detyrimet e qeverisë ndaj shoqërive private). Si pjesë integrale e këtij kuadri, gjatë vitit 2013 sistemi bankar pati rreth 4% rritje në asete, ndërkohë që aktiviteti i huadhënies u tkurr me 1.8% dhe niveli i kredive problematike arriti kulmin e tij historik prej 24%.
Në këtë kuadër, ne e shikojmë si një lëvizje pozitive bashkëpunimin e Qeverisë Shqiptare me FMN që do të kontribuojë në rritjen e besimit të biznesit për të investuar dhe për rrjedhojë kërkesën për kredimarrje, e cila ka qenë e ulët gjatë 2013-ës.
Performanca e NBG Bank në 2013-ën
Në këtë mjedis me shumë sfida, kam kënaqësinë të nënvizoj se pavarësisht se në 2013-ën bankat në Shqipëri regjistruan në nivel sistemi për herë të parë humbje në fitim që prej fillimit të krizës; NBG Albania ia doli të ishte fitimprurëse, të qëndronte e mirë kapitalizuar, shumë likuide dhe e vetë financuar. Nivelet e mjaftueshmërisë së kapitalit dhe të likuiditetit të bankës kanë qëndruar dukshëm mbi standardet rregullative duke treguar kështu soliditetin e burimeve të saj, i cili mbetet një nga prioritet kryesore për ne.
Gjithashtu, gjatë 2013-ës, Banka NBG Albania ka lançuar një seri produktesh të reja të dizenjuara për të përmbushur kërkesat e target grupeve të ndryshëm të klientëve, me qëllimin që t’u japim vlerë të shtuar shërbimeve financiare që u ofrojmë klientëve tanë dhe komunitetit në përgjithësi.
Cilat janë pritshmëritë e sistemit bankar dhe bankës tuaj për 2014-ën, për sa i përket rritjes së kreditimit dhe trendit të kredive të këqija?
Pritshmëritë e sistemit bankar janë kryesisht të lidhura me parashikimin për ekonominë në përgjithësi. Nga këndvështrimi bankar, NBG Albania ka treguar se ka një vullnet të mirë për sa i përket kreditimit të ekonomisë duke parashikuar një rritje të kënaqshme në buxhetin e saj të 2014-ës. Për këtë qëllim, ne kemi dizenjuar disa produkte të krijuara për t’ju përshtatur grupeve të ndryshme të klientelës duke ofruar kushte tërheqëse me interesa konkurruese. Gjithashtu, nëse flasim për cilësinë e aseteve, trendi i kredive problematike po jep disa sinjale të mira në drejtim të përmirësimit.
Cilat janë sfidat më të mëdha afatshkurtra dhe afatgjata të sistemit bankar?
Pavarësisht përmirësimit të ndjeshëm gjatë katër viteve të fundit, sistemi ynë bankar vazhdon të përballet me një sërë çështjesh të natyrës ekonomike dhe ligjore. Veprime serioze duhen ndërmarrë në lidhje me (i)Ekzekutimin e duhur të kolateraleve (ii)status i pastër i titujve të pronave, të cilat mund të pranohen si kolaterale nga bankat dhe që mund të ekzekutohen pa pasur pengesa (iii) një bashkëpunim transparent dhe i ndershëm me autoritetet tatimore që deri vonë i kanë ngarkuar bankat me gjoba të rënda duke lënë mënjanë faktin që ato janë disa nga taksapaguesit më të mëdhenj e të rregullt në vend. (iv) formalizimin e ekonomisë, (v)pagesën e plotë dhe të shpejtë të borxhit qeveritar ndaj bizneseve private, gjë që do të sillte likuiditet në treg, duke ndihmuar sektorin privat për të përmirësuar aftësinë e tij ripaguese.
Përveç sa më sipër, shpresoj dhe mendoj se kulmi i krizës mund të jetë kapërcyer tashmë. Unë besoj se viti 2014 do të na vendosë përballë sfidash të reja dhe do të na qartësojë vizionin drejt veprimeve të shpejta dhe të kujdesshme, duke siguruar vendimmarrje të përshtatshme, që sigurojnë rritje të qëndrueshme afatgjatë të veprimtarisë bankare dhe të ekonomisë së vendit në tërësi.
—————
Sistemi bankar do të vijojë të kushtëzohet nga kërkesa e ulët për kredi
Intervistë me zj. Adela Leka, Anëtare e Drejtorisë Ekzekutive, ProCredit Bank
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe bankës tuaj gjatë vitit 2013?
Përgjatë vitit 2013, ecuria e aktivitetit të sistemit bankar në Shqipëri ka qenë rezultante e ndërveprimit të disa aktorëve dhe faktorëve ekonomikë dhe rregullatorë.
Një rol shumë të rëndësishëm në ecurinë e sistemit bankar ka pasur politika lehtësuese monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Ulja e normës së interesit nga 4% në 3% ka synuar që të shërbejë si stimul për të rimëkëmbur aktivitetin ekonomik, duke nxitur kreditimin nga sistemi bankar.
Gjithashtu, diferencimet në raportimet e rezultateve financiare (krahasimisht me standardet IFRS), kërkesat ligjore për rezervat në kapital si dhe tregues apo raporte të tjera financiare që kërkojnë ruajtjen e stabilitetit financiar, kanë bërë që sistemi bankar të vijonte me një përqasje “konservatore” në politikat e kreditimit. Në një masë të madhe, këto politika janë ende të influencuara nga situata jo e favorshme e përgjithshme makroekonomike.
Një faktor i brendshëm i sistemit, i rëndësishëm në zhvillimin e sistemit është cilësia e portofolit të kredisë. Një tregues i thjeshtë, por domethënës që mat cilësinë e portofolit të kredisë është raporti i kredive me probleme ndaj totalit të kredisë. Në fund të vitit 2013, ky tregues ishte 23.5%, duke regjistruar rritje nga 22.5% që ishte në fund të vitit 2012.
Gjatë vitit 2013, bankat kanë punuar në dy drejtime në lidhje me administrimin e kredive me probleme. Kështu është vazhduar të ushtrohet kujdes i veçantë për zgjidhjen e problematikave që çojnë në vonesa, por edhe në parandalimin në kohë të ngjarjeve që mund të çojnë në rritjen e vonesave për pagimin në kohë të detyrimeve. Në anën tjetër, niveli i rritur i kredive me probleme është shoqëruar me rritjen e nivelit të provigjonimit për këto kredi. Rritja e provigjoneve, në kushtet e rritjes së ngadaltë të portofolit të kredisë, ka rritur drejtpërdrejt barrën financiare të sistemit bankar dhe rrjedhimisht ka ndikuar negativisht edhe në rezultatin financiar.
Për Bankën ProCredit, 2013-a ka qenë një vit i mbushur me sfida dhe zhvillime të reja. Në përgjigje të këtyre sfidave, banka ka ndërmarrë një sërë masash për përmirësimin e operacioneve të biznesit dhe riorganizimin e proceseve të brendshme. Synimi i këtyre masave është të arrijë dhe të mbajë një nivel të lartë eficience dhe produktiviteti në operacionet bankare, duke u shërbyer klientëve në kohë dhe me cilësi. Fokusi ynë ka qenë konsolidimi i marrëdhënies me bizneset e vogla dhe të mesme, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë sektorit të agrobiznesit dhe aktiviteteve që kanë si qëllim mbrojtjen dhe kujdesin ndaj mjedisit. Ne besojmë se këto biznese janë baza e zhvillimit afatgjatë të ekonomisë shqiptare.
Pavarësisht kërkesës së ulët për kreditim nga ana e bizneseve dhe individëve, Banka ProCredit ka shënuar një rritje me rreth 4,8 milionë euro të Portofolit të Kredive – një performancë kjo shumë pozitive, duke marrë në konsideratë ecurinë e dobët të ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2013. Niveli i përgjithshëm i kredive problematike ishte më i ulët në krahasim me mesataren e sistemit bankar.
Këto rezultate pasqyrojnë angazhimin e ProCredit Bank si banka partnere për bizneset e vogla dhe të mesme, nëpërmjet kreditimit të përgjegjshëm dhe këshillimit financiar për klientët tanë, përpara kryerjes së investimeve afatgjata dhe të qëndrueshme në biznes.
Si e prisni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës tuaj në vitin 2014, sidomos për sa i përket rritjes së kredisë dhe trendit të kredive me probleme?
Ecuria e përgjithshme ekonomike për vitin 2014 do të vazhdojë të ndikohet nga ecuria e tre faktorëve kryesorë ekonomikë, sektorit privat dhe sektorit publik. Kështu presim që:
– Sektori privat të vazhdojë të shfaqet hezitues përballë kushteve përgjithësisht të shtrënguara financiare dhe ekonomike. Kjo do të reflektohet në një nivel të ulët të investimeve, të cilat, nga ana tjetër, nuk do të mundë t’i japin hovin cilësor dhe sasior aktivitetit ekonomik. Në anën pozitive, pritet që ndryshimet fiskale dhe mundësia e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura qeveritare, do të ndikojnë në performancën dhe “sjelljen konsumatore” të bizneseve, duke zbutur një pjesë të problematikave financiare të tyre.
– Për sa i përket sektorit publik, pritet të ketë një ndërhyrje të kufizuar për të stimuluar ekonominë, si pasojë e disa faktorëve makroekonomikë, ku peshën kryesore e ka niveli i lartë i borxhit publik dhe i deficitit buxhetor.
– Pjesa tjetër e botës, veçanërisht ekonomitë e vendeve partnere në Bashkimin Europian më shumë të lidhura me ekonominë vendase (sidomos Italia dhe Greqia), të stabilizohen në periudhën afatshkurtër, për të filluar rritjen ekonomike në një periudhë afatmesme-afatgjatë.
Lidhur me zhvillimet e kreditimit në Shqipëri, krahas nivelit të përgjithshëm të ulët të kërkesës për kredi dhe politikave monetare të Bankës së Shqipërisë, pritet që oferta për kredi të vazhdojë të ketë ndikim nga niveli i lartë i kredive me probleme, si dhe riskun e përgjithshëm të kreditimit.
Kreditë me probleme mbeten në nivele të larta, ndaj menaxhimi i shpejtë i tyre përbën një ndër sfidat e radhës për bankat. Megjithatë, sistemi bankar është i konsoliduar dhe ka nivel të kënaqshëm likuiditeti për kreditimin e ekonomisë dhe përmbushjes së kërkesës së bizneseve dhe individëve për financim.
ProCredit Bank ka ndjekur dhe do të vazhdojë të ndjekë një politikë rigoroze mbi financimin e përgjegjshëm të bizneseve të vogla dhe të mesme, në sektorët e prodhimit dhe të agrobiznesit, jo vetëm si sektorë kyç në ekonominë shqiptare, por edhe si sektorë me trend pozitiv zhvillimi të qëndrueshëm gjatë viteve të fundit.
Nëpërmjet këshillimit dhe analizës financiare të punonjësve tanë të dedikuar, gjatë vitit 2014, ProCredit do të vazhdojë të ofrojë shërbime konkurruese financiare për të gjithë klientët e saj. Trendi i përgjithshëm i portofolit të kredive të biznesit në ProCredit Bank është në rritje të qëndrueshme, në përputhje edhe me filozofinë institucionale të të bërit biznes, që pasqyrohet edhe në nivelin e ulët të kredive me probleme, krahasuar me mesataren e sistemit.
Gjithashtu, si pjesë e grupit ProCredit, me qendër në Frankfurt, e cila shtrihet në 21 shtete, ne ofrojmë mundësinë e lidhjes së rrjetit të klientëve dhe mundësinë e gjetjes së tregjeve të reja për klientët tanë, duke konfirmuar angazhimin si një partner i qëndrueshëm dhe i besueshëm financiar për bizneset dhe agrobizneset.
Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm. Si e vlerësoni efikasitetin e masave të marra nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit të fundit?
Banka e Shqipërisë ka qenë një aktor vendimtar në ruajtjen e sistemit financiar shqiptar nga goditjet e krizës globale financiare, pasojat e së cilës ende vazhdojnë të ndihen ende në tregjet ndërkombëtare.
Në kontekst vendas, në periudhën afatshkurtër, presim që sistemi bankar të vijojë të kushtëzohet nga kërkesa e ulët për kredi e lidhur me pasiguritë e aktorëve ekonomikë. Nga ana e ofertës, bankat do të jenë të angazhuara në menaxhimin e kredive me probleme dhe në ruajtjen e nivelit të kërkuar të kapitalit.
Sistemi bankar do të vazhdojë të ndikohet nga rritja ekonomike, që në vetvete do të pasqyrojë ndërhyrjet e politikës monetare për normat e interesit; “presionet” kombëtare dhe ndërkombëtare për uljen e treguesit të borxhit dhe deficitit publik si dhe ndryshimet e pritshme në tregun e punës.
Nga ana tjetër, Shqipëria konsiderohet një vend me potencial të lartë të rritjes ekonomike dhe me sistem bankar në gjendje të mirë likuiditeti (niveli i kreditimit kundrejt nivelit të depozitave), duke ofruar kështu një perspektivë pozitive për ecurinë e kreditimit në periudhë afatmesme.
Sinjalet e tregut gjatë tremujorit të parë të vitit 2014 kanë qenë pozitive, ndaj ProCredit Bank konfirmon angazhimin e vet si një bankë partnere për biznesin e vogël dhe të mesëm, e fokusuar në mbështetjen nëpërmjet shërbimeve të përgjegjshme financiare për ato biznese të orientuara në sektorët tradicionalë të prodhimit, si bizneset bujqësore dhe blegtorale. ProCredit Bank do të vazhdojë të stimulojë bizneset vendase, nëpërmjet ofrimit të financimit në përputhje me dinamikat e tregut, si dhe nevojat e vetë biznesit.
————
Zhvillimi fillon në ekonominë reale
Intervistë me z. Gazmend Kadriu, drejtor i përgjithshëm i Union Bank
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës tuaj në vitin 2013?
Në vitin 2013 kishte disa zhvillime jo të këqija në sistemin bankar: depozitat dhe rrjedhimisht aktivet totale u rritën, kreditë me probleme nuk u përkeqësuan më tutje, u realizua fitim në total të sistemit bankar dhe te shumica e bankave… Por, në mjaft aspekte, ky gjithsesi nuk mund të quhet një vit i mirë për sistemin. Rritja e depozitave ishte më e ulët se e viteve të tjera. Amullia disavjeçare e kredive sivjet u kthye në rënie të nivelit të tyre. Kreditë me probleme nuk duhet thjesht të stabilizohen në nivelin e tyre të lartë, por edhe të fillojë tendenca e uljes së tyre. Fitimi vazhdon të jetë në nivele që nuk mund të quhen të kënaqshme. Viti ishte realisht i vështirë, nën efektin edhe të pasigurisë që buronte nga tensionet më të larta se zakonisht para zgjedhjeve parlamentare.
Përkundrejt këtij konteksti jo aq pozitiv, për Union Bank, 2013 ishte një vit i kënaqshëm. Arritëm një fitim më të mirë krahasuar me 2012. Vijuam rritjen tonë të kujdesshme në kushtet e një tregu me mjaft sfida. Rritja jonë në depozita vijoi me ritmet gati konstante gjatë vitit. Në fushën e kredisë, në gjysmën e parë të vitit u përballuam me ulje të kredisë, një gjë e paprecedentë për bankën tonë, por në gjysmën e dytë ia arritëm plotësisht të rikuperojmë këtë ulje dhe të shënojmë rritje kreditimi në nivel vjetor. Përqindja e kredive me probleme në bankën tonë vazhdon të jetë mjaft poshtë mesatares së sistemit, ne presim që të ulet edhe më tutje.
Cilat janë pritshmëritë e sistemit bankar dhe bankës tuaj në vitin 2014, për sa i përket rritjes së kredive dhe trendit të NPL-ve?
Prej disa vitesh radhazi, kreditimi është në stanjacion dhe njëkohësisht niveli i kredive me probleme mbetet rreth 25%, një nivel objektivisht i lartë ky. Nuk e përjashtoj dot mundësinë që edhe viti 2014 të jetë një vazhdimësi e kësaj situate jopozitive. Faktorët objektivë dhe subjektivë që e kanë sjellë këtë situatë, edhe me kreditimin, edhe me kreditë me probleme, mund të vazhdojnë të veprojnë edhe në vitin 2014. Por nuk përjashtohet as mundësia e fillimit të një kthese domethënëse, e ringritjes së kreditimit në vend, si dhe e uljes së normës së kredive me probleme. Në qoftë se rritja ekonomike kthehet në Shqipëri, sistemi bankar do të jetë më se i gatshëm të ndjekë ritmin e zhvillimit me rritje të kreditimit – nuk mungojnë as likuiditeti, as kapitali e as kapacitetet për këtë gjë. Shlyerja e borxheve tanimë historike të qeverisë ndaj bizneseve dhe përparimi i procesit të integrimit në BE mund të jenë një xixë e mirëpritur në këtë drejtim. Në qoftë se sistemi gjyqësor gjen rrugën të respektojë ndryshimet ligjore në fushën e përmbarimit dhe të zbatojë atë që kërkon ligji, atëherë sigurisht që do të ulet edhe niveli i kredive me probleme. Kjo do t’i jepte një shtysë edhe zhvillimit ekonomik, meqë asetet produktive do të transferoheshin prej sipërmarrësve të dështuar te sipërmarrës, shpresojmë, më eficentë.
Cilat janë sfidat më të mëdha të sistemit bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?
Duhet të jemi të vetëdijshëm për kufizimet objektive që sistemi bankar ka në lidhje me ndikimin që ka mbi zhvillimin ekonomik të vendit. Sistemi bankar është në radhë të parë një receptor i zhvillimeve ekonomike në vend, ndikohet nga ajo që ndodh rreth tij (edhe pse njëkohësisht arrin me sukses të kryejë edhe funksionin e vetëkonservimit, duke aplikuar rregullat e një aktiviteti bankar të shëndetshëm dhe stabël për të zbutur efektet nga zhvillimet negative nga mjedisi). Ai nuk mund të krijojë zhvillim n.q.s ekonomia reale nuk ecën në rrugën e zhvillimit, me reforma strukturore. Mirëpo, sistemi bankar ka edhe fuqinë që të përforcojë trendin eventual të zhvillimit, duke i dhënë suportin e duhur një procesi të tillë. Kjo, në radhë të parë, me rritjen e kreditimit, pastaj edhe me shmangien e kreditimit të gabuar që realisht i ka ndodhur sistemit bankar në vitet e shkuara. Sfida kryesore e sistemit bankar qëndron te kapja sa më e hershme e ritmit të zhvillimit të ri ekonomik dhe në suportimin e tij efektiv nëpërmjet kreditimit, duke u dhënë krah projekteve dhe bizneseve të shëndetshme, në një mjedis të sigurisë juridike.
Është jashtëzakonisht pozitive që masat e Bankës së Shqipërisë janë tanimë të orientuara drejt akomodimit të një suporti të tillë. Zbutja e regjimit të likuiditetit pas kalimit të krizës akute europiane dhe lehtësimet në kapitalizim në rast të rritjes së moderuar në kreditim krijojnë një hapësirë më se të mjaftueshme për një rritje kreditimi. Ulja tanimë konsistente e normave të interesit në krahun e instrumenteve financiare dhe depozitave gradualisht po prek edhe normat e interesit të kredive, duke sjellë një tjetër stimulim të kreditimit. Por, edhe në këtë rast, duhet përsëritur fakti: sistemi bankar, përfshi këtu edhe Bankën e Shqipërisë, nuk mund të krijojnë, por vetëm të suportojnë rritjen. Zhvillimi fillon në ekonominë reale.
————-
Shqipëria ka potenciale rritje të rëndësishme në energji, turizëm e bujqësi
Intervistë me z. Daniele Scavaortz – Drejtori i Përgjithshëm i Veneto Banka sh.a.
Si ka qenë ecuria e Grupit Veneto dhe planet e investimit?
Grupi Veneto Banka beson shumë në tregjet potenciale siç është Shqipëria ashtu si edhe në tregjet e tjera të vendeve në Europën Lindore. Përveç Shqipërisë ku ne jemi prezent me Veneto Banka operojmë me bankat e grupit edhe në Kroaci, në Rumani dhe në Moldavi. Dhe kjo si strategji për të shoqëruar sipërmarrjet lokale në proceset e zhvillimit dhe të zgjerimit të tyre me sukses. Gjithçka niset nga bazat ekonomike dhe financiare, për t’u zgjeruar duke dhënë një kontribut të përgjithshëm për zhvillimin e ekonomive të vendeve ku ne operojmë.
Banka jonë në Shqipëri është relativisht një bankë e re, një aktivitet bankar që është shoqëruar me rritje dhe objektivi ynë është të rritemi më tej, gjithmonë mbi të njëjtat objektiva që kanë shoqëruar rritjen e Grupit Veneto Banka në Itali. Janë parime të lidhura më shumë me vendin ku zhvillohet biznesi, me vlerësimin e bazës sociale, ekonomike dhe institucionale. Këto linja do të na udhëheqin drejt një rritjeje të mëtejshme dhe do të jenë të shoqëruara me nisma konkrete për zhvillimin e vendit, duke ju dhënë vlerë të gjitha kapaciteteve që ofron zhvillimi i tregjeve në Shqipëri.
Cilat kanë qenë efektet e krizës financiare dhe çfarë potenciale ka ekonomia shqiptare për të dalë nga kjo krizë?
Po jetojmë një krizë të gjatë, e cila nisi nga financa drejt ekonomisë reale. Ka qënë një krizë e thellë, nga e cila po dilet me shumë vështirësi. Sfida jonë është jetojmë mbi parimin e realitetit të territorit ku operojmë. Pra ideja jonë është të jemi gjithmonë shumë pranë bizneseve, familjeve dhe të gjitha palëve të interesit me të cilat kemi marrëdhënie biznesi.
Një proces të cilin e realizojmë nëpërmjet një njohje të thellë të problemeve dhe zgjidhjeve të mundshme, për rritjen e ekonomisë edhe në momentet e vështira.
Jemi të bindur që duke i përjetuar problematikat e ekonomisë reale nga brenda problemit, dhe duke disponuar më shumë informacion, do të jemi në gjendje të shoqërojmë ekonominë në çdo pengesë që has gjatë ringritjes. Shqipëria ka potenciale rritje të rëndësishme dhe këtë po e provon edhe angazhimi i qeverisë për të krijuar ekuilibra të tregut, për të gjeneruar projekte mbi të gjitha aty ku ekonomia ka më shumë nevojë. Këtu e kam fjalën për krijimin e disa “task-force” për energjinë, turizmin apo bujqësinë, ku nga ajo që konstatoj është që qeveria shqiptare po vepron me vendosmëri.
Kështu nismat e bashkëpunimit që janë ngritur sidomos me Italinë prej nga ku ka dhe origjinën banka jonë, janë nisma që prekin edhe bazat e kulturës ekonomike dhe financiare për të cilat ka nevojë Shqipëria. Bazuar në këto nisma, bazuar në perspektivat që ne shohim, jemi shumë optimist për rimëkëmbjen e ekonomisë. Ne do të jemi gjithmonë të gatshëm me kapacitetet tona ta shoqërojmë këtë proces rimëkëmbjeje drejt një faze të re rritje, në të cilën besojmë shumë. Këtë e provon edhe fakti se kemi angazhuar burime të rëndësishme për ta shoqëruar rritjen në mënyrë të shëndetshme dhe të ekuilibruar, në mënyrë që të shkojmë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm.
Cilët janë sektorët strategjikë, ku duhet vënë më shume theksi?
Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me Italinë zënë aktualisht më shumë se 40% të totalit të shkëmbimeve. Kjo është një e dhënë mjaft optimiste që tregon qartë afrimitetin mes dy vendeve. Në një këndvështrim sektorial, besoj se bashkëpunimi mes dy vendeve mund të shfrytëzojë shumë mirë karakteristikat dhe veçantitë e sipërmarrjeve italiane.
Bazuar në projektet e zhvillimit të ndërmarrë nga qeveria shqiptare mendoj se sektori energjetik është padyshim sektori kryesor, rreth të cilit ka perspektiva të mëdha, qoftë në kuptimin e krijimit të ekuilibrave, qoftë në kuptimin e mundësive të punësimit. Në këtë kuptim, Italia mund të jetë një partner mjaft i rëndësishëm zhvillimi.
Duke analizuar të dhënat statistikore, impuls të madh për ringritjen e ekonomisë mund të ketë ekonomia bujqësore dhe ajo agro-ushqimore. Të mos harrojmë që pothuajse gjysma e shqiptarëve sot jetojnë me bujqësi falë avantazheve që Shqipëria ofron si vend me hapësira të mëdha. Jam i bindur se edhe sektori i bujqësisë mund të jetë një motor i ri zhvillimi nëse do të trajtohet, motivohet, mbështetet financiarisht në projektet potenciale të zhvillimit që ofron.
Një drejtim tjetër me potenciale të mëdha ku Shqipëria mund të ketë avantazhe, nisur edhe nga eksperienca italiane tashmë mjaft e njohur, është sektori turistik, veçanërisht ai hotelier dhe i shërbimit. Një bregdet i mrekullueshëm, i cili deri tani ende nuk është shfrytëzuar më së miri për kapacitetet që ofron, ka nevojë për mbështetje financiare dhe strategji zhvillimi për ta bërë atë konkurrues. Bazuar në shkëmbimet e eksperiencave, por edhe të burimeve ekonomike dhe financiare, besoj se mund të krijohen mundësi të mëdha zhvillimi për vendin.
—————-
Tendencë rritëse
Intervistë me Gideon van den Broek, drejtor i International Commercial Bank (ICB)
Si e vlerësoni ecurinë e bankës tuaj në 2013?
Gjatë vitit 2013, ICB ka vazhduar që të përqendrohet në përmirësimin e aftësive të bankës, që nga portofoli i produkteve deri te personeli. Ne jemi veçanërisht krenarë për produktet e reja që kemi prezantuar në segmentin e konsumatorëve dhe biznesit të vogël; një segment që është i rëndësishëm nga ana strategjike. Nëse do të nënvizoja një produkt specifik, do t’i referohesha produktit të ri të kredisë për shtëpi, ku i është kushtuar vëmendje shumë e madhe fleksibilitetit të këtij produkti; duke pasur parasysh që ky produkt kërkon një angazhim afatgjatë të klientëve, ne si ICB e kemi konsideruar si mjaft të rëndësishme që të shtojmë elemente që përkojnë me ciklin tipik të jetës së klientëve që e marrin këtë lloj huaje. Si rrjedhojë, ai përfshin një periudhë mospagese principali për familjet që presin një fëmijë (interesat vetëm për 12 muaj), dhe mundëson pagesa të përshpejtuara, duke ndjekur evolucionin natyral të karrierës së një klienti.
Më i rëndësishëm ka qenë procesi i përmirësimit që ka ndërmarrë banka, me fokus në përvojën e klientit. Përpunimi i transaksioneve është përmirësuar gjithashtu, transaksionet tashmë bëhen në sekonda dhe jo minuta. Dhe klientët tashmë janë në gjendje të kontrollojnë balancën e tyre përmes SMS-ve dhe të kërkojnë një deklaratë eAccount me SMS gjithashtu.
Nga ana financiare, banka ka përmirësuar ecurinë e saj me një rritje vjetore të fitimit para taksave prej 128%.
Cilat janë pritshmëritë dhe sfidat e bankës për 2014?
ICB synon të vazhdojë tendencën rritëse në 2014; në mënyrë më specifike, përmes huadhënies. Duke pasur një portofol të trashëguar nën kontroll, ne kemi besim në rritjen e portofolit tonë të huave, që do të asistohet përmes përmirësimit që u kemi bërë produkteve të huas në 2013.
Në vitin 2013, ne ia arritëm që të reduktojmë normën tonë të NPL-ve shumë poshtë nivelit të tregut dhe plani ynë taktik për vitin 2014 është të reduktojmë më tepër nivelin tonë të NPL-ve, duke arritur në një normë njëshifrore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.