Barcelona ka arritur të nënshkruajë një marrëveshje me mesfushorin e Brazilit, ish-futbollistin e Tottenham, Paulinho nga klubi kinez, Guangzhou Evergrande, për 40 milionë euro
Nisin zëvendësimet post-Neymar në skuadrën e Barcelonës. Klubi blaugrana bëri të ditur blerjen për 40 milionë euro të Paulinho Bezerra, i njohur thjesht Paulinho. Mesfushori brazilian, i cili për një kohë ka luajtur tek Tottenham, vjen nga Guangzhou Evergrande, klub në të cilin luante që prej vitit 2015. Klauzola e tij është 120 milionë euro. Kjo është marrëveshja e parë e Barcelonës, pas transferimit të Neymar te Paris Saint-Germain për shumën rekord prej 222 milionë eurosh.
Siç bën të ditur klubi blaugrana, mesfushori do të kryejë të enjten kontrollin mjekësor, më pas do të firmosë kontratën dhe do të prezantohet publikisht në media. Paulinho rikthehet në Europë për t’i dhënë një ndihmë mesfushës blaugrana, ku André Gomes nuk ka bindur me paraqitjet e tij.
Futbollisti 29-vjeçar iu bashkua Tottenham-it nga Corinthias në vitin 2013 për rreth 20 milionë euro dhe dy vjet më pas shkoi te klubi kinez.
Ai ka shënuar nëntë gola në 41 ndeshje ndërkombëtare me Brazilin që kur bëri debutimin e tij në vitin 2011 dhe ishte pjesë e skuadrës që fitoi
Kupën e Konfederatave në vitin 2013.
Paulinho luajti një rol të rëndësishëm tek ekipi kinez Evergrande, duke fituar Superligën Kineze vitin e kaluar.
Burimi: BBC