Marrëveshja e sponsorizmit midis Barcelonës dhe Qatar Airways mund të vazhdojë. Pavarësisht marrëveshjes së re të blaugranave me Rakuten për sponsorin e fanellës, në fakt kompania ajrore mund të marrë një rol të ri në bashkëpunimin me shoqërinë katalanase.
Siç bën të ditur e përditshmja spanjolle Mundo Deportivo, Barcelona dhe Qatar Airways janë duke përcaktuar detajet për marrëveshjen e sponsorizimit. Kësaj here, jo për t’u shfaqur në fanellën e skuadrës, por si “kompania zyrtare e fluturimit” të klubit.
Vullneti për të vijuar bashkëpunimin, pavarësisht marrëveshjes 220 milionë euro për katër vitet e ardhshme me kompaninë japoneze Rakuten, ishte demonstruar në shumë raste në të shkuarën. Kjo u pa edhe në ndeshjen miqësore të Barcelonës kundër Al-Ahli Saudi FC në Doha dhjetorin e kaluar.
Kështu të dy palët iu futën punës për të gjetur një alternativë, me një ide të re. Siç bën të ditur Mundo Deportivo, kontrata voluminoze është në duart e avokatëve, të cilëve u takon fjala e fundit në lidhje me klauzolat e shumta.
Qershorin e ardhshëm do të përfundojë marrëveshja për sponsorizimin e fanellës, por Barcelona do të vijojë të ketë përfitime të rëndësishme nga Katari dhe Qatar Airways. Sipas zërave, blaugranat do të fitojnë rreth 12 milionë euro në vit, përgjatë katër sezoneve, rreth 50 milionë euro në total duke filluar nga korriku i ardhshëm.
Ndërsa kompania ajrore do të vijojë të ketë vizibilitetin në brendësi të markave që lidhen me klubin katalanas, siç ndodh që nga viti 2010, kur u nënshkrua marrëveshja e parë dypalëshe.
Burimi: Mundo Deportivo