Duke pritur rikonstruktimin e “Camp Nou”, Barcelona prezantoi stadiumin Johan Cruyff, impianti i ri që do të përdoret nga Barcelona B (klub i kategorisë së tretë në Spanjë) dhe që do të zëvendësojë stadiumin “Mini Estadi”.
I dizenjuar nga studio “Batlle i Roig”, stadiumi “Johan Cruyff” do të ketë një kapacitet prej 6 mijë vendesh krahasuar me 15 mijë vende të Mini Estadi, që do të prishet për t’i lënë vendit kompleksit të ri.
Ai do të frymëzohet nga Camp de la Industria, impianti historik ku klubi katalanas nisi të luajë në fillim të shekullit XX. Ndër të tjera do të ketë 700 vende parkimi: kostoja e përgjithshme mendohet të arrijë rreth 12 milionë euro.
Stadiumi “Johan Cruyff” do të ndërtohet në zonën e “Sant Joan Despí”, rreth 8 km nga stadiumi “Camp Nou”. Stadiumi do të ketë një tribunë asimetrike (1.000 vende në radhën e dytë të tribunës kryesore, 5.000 vendet e tjera). Kjo strukturë do t’i bëjë tifozët të kenë më shumë afërsi me fushën.
“Në këtë impiant të ri do të luajë Barcelona B, skuadra e futbollit të femrave dhe Juvenil A (U19) – shprehet Josep Maria Bartomeu, presidenti i blaugranave. Do të jetë stadiumi ku djemtë do të bëjnë hapat e fundit përpara se të luajnë me ekipin e parë. Jemi krenarë që jemi ndër klubet me më shumë lojtarë që kanë dalë nga akademia, të cilët luajnë në kampionatet e mëdha europiane” – e mbylli deklaratën e tij, Bartomeu.