Eksperti i çështjeve sociale, Kosta Bajraba, tha se klasat politike, dhe qeverisjet shqiptare u tërhoqën prej problemeve emergjente, të ashtuquajtura kardinale: ekonomia, reformat strukturore, proceset integruese, ndërtimi i institucioneve demokratike, konsolidimi i sistemit dhe institucioneve politike etj.
Të gjitha këto ishin të nevojshme. Por po kaq e nevojshme ishte edhe ndjekja e tranzicionit demografik, i cili përgjithësisht shoqëron tranzicionet politike, ekonomike dhe ndryshimet e sistemeve politike. Ai rekomandon se politikat publike duhet të fokusohen te nxitja e lindshmërisë.
Zoti Barjaba, Shqipëria po përjeton rënie të ritmeve të shtesës natyrore të popullsisë më të larta se projeksionet e INSTAT 2011-2031. A keni ju një perceptim se pse po ndodh kjo?
Zhvillimet demografike në Shqipëri, ajo që e quajmë tranzicioni demografik, kanë kapërcyer si projeksionet e INSTAT-it, ashtu edhe ato të institucioneve ndërkombëtare, madje edhe të Bankës Botërore dhe OKB-së. Duhet thënë se tranzicioni demografik ka qenë një proces i heshtur, gradual, shpeshherë me ndikime të tërthorta në ekonomi, në tregun e punës dhe sistemin e mirëqenies.
Dhe që për shkak të tre tipareve të mësipërme, mungesës së bujës, gradualitetit dhe ndikimit të tërthortë, është neglizhuar nga politikëbërësit. Nuk filloi dje, as para një viti, rritja e përqindjes së popullsisë mbi 65 vjeç në piramidën e popullsisë së Shqipërisë, as pakësimi i popullsisë nën 15 vjeç. Siç ndodh zakonisht me klasat politike, edhe qeverisjet shqiptare u tërhoqën prej problemeve emergjente, të ashtuquajtura kardinale: ekonomia, reformat strukturore, proceset integruese, ndërtimi i institucioneve demokratike, konsolidimi i sistemit dhe institucioneve politike etj.
Të gjitha këto ishin të nevojshme. Por po kaq e nevojshme ishte edhe ndjekja e tranzicionit demografik, i cili përgjithësisht shoqëron tranzicionet politike, ekonomike dhe ndryshimet e sistemeve politike. Por edhe nëse vëmendja do të kishte qenë ajo e duhura, demografia do t’u nënshtrohej ligjësive të veta. Popullsia mund të pakësohej me ritme më të moderuara, por do të pakësohej, gjithsesi. A kemi këtu një “lajthitje” të INSTAT apo “lajthitje” të zhvillimeve demografike? Nuk duhet të befasohemi.
Projeksionet demografike janë projeksione dhe ato parashikojnë zhvillime në kushte, si të thuash, “laboratorike”, pra në botën ideale, jo në atë reale. Nuk ka projeksion që të parashikojë stepjen e popullsisë së një vendi që hyn në një tranzicion të gjatë e të vështirë ekonomik, politik dhe shpirtëror dhe “frikën” prej të panjohurave të sistemit të ri.
Sjellja shoqërore “modifikohet” dhe një ndër pasojat e saj është tkurrja e popullsisë. Këtë dukuri e kam parashikuar në librin tim “Elita demografike në tranzicionin demografik”, botuar në vitin 2011. Natyrisht, nuk kam bërë ndonjë zbulim. Vetëm se kam ndjekur logjikën e asaj që ka ndodhur në vende të tjera në faza zhvillimi të ngjashme.
Sa emergjente është situata kur lindjet po bien me ritme dyshifrore (-22% në 9-mujorin e këtij viti), teksa emigracioni neto po shënon vlera negative (të larguarit janë në numër më të madh se të kthyerit)?
Unë mendoj se më shqetësuese është pakësimi i lindjeve. Sepse emigrimi neto ka shënuar gjithmonë vlera negative, natyrisht me luhatjet që kanë karakterizuar dinamikat e flukseve migratore. Flukset dalëse nga Shqipëria kanë qenë gjithmonë më të mëdha se flukset hyrëse, përfshirë emigrantët e kthyer apo të huajt që imigrojnë në Shqipëri. Ndërhyrjet e politikave duhet të adresojnë lindjet dhe të aplikojnë lehtësi për shtimin e tyre.
Cilat janë pasojat ose përfitimet social-ekonomike afatshkurtra dhe afatgjata të këtij tranzicioni demografik?
Këtu duhet të kemi parasysh çfarë ndodh me tri makro-pjesët e piramidës së popullsisë. Rritja e popullsisë mbi 65 vjeç, pra e popullsisë së moshuar, do të kërkojë burime shtesë për fondin e pensioneve, shërbimet sociale e shëndetësore për këtë kategori.
Rritja e popullsisë aktive, midis 15-64 vjeç ka implikime kontradiktore: furnizon tregun e punës me forcë pune të re, të arsimuar, dinamike e produktive, pra është një “dhuratë” për tregun e punës; por kur tregu i punës nuk ofron vende pune të reja të mjaftueshme, “dhurata” demografike shndërrohet në rrezik demografik. Pakësimi i popullsisë nën 15 vjeç do të ketë pasoja afatgjata në pakësimin e “furnizimit” të tregut me fuqi punëtore të re.
Çfarë politikash duhen ndërmarrë në mënyrë që situata të mos përkeqësohet?
Unë kam shumë vite që e them: Shqipëria ka nevojë për politika pronataliste. Ka sinjale se qeveria ka filluar ndërhyrjet dhe programet e para për të inkurajuar lindjet, pra shtesën natyrore të popullsisë.
Si do të ndikojë tkurrja e popullsisë, sidomos e grupmoshës në tregun e punës aktualisht dhe në perspektivë?
Mendoj se nuk do të ketë surpriza. Në ekonominë tonë, oferta e vendeve të punës është më e vogël se kërkesa për punë. Kështu që në treg do të ketë trysni për të hyrë dhe jo “uri” për forcë pune të re.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.