Baronët e rinj të shtypit

17/11/2018 10:02 PM 0 komente
Në foto: Marc Benioff

Marc Benioff, një prej miliarderëve të fundit të teknologjisë që ka blerë një revistë të famshme

 

Ashtu siç ka ndodhur edhe me revista të tjera të printuara, edhe Time ka nevojë për një imazh dixhital
Në shekullin XX, njerëzit mund të bëheshin filantropë të pasur duke i publikuar koleksionet e tyre. Henry Luce dhe partnerët e tij të biznesit me rreth 86.000 dollarë themeluan revistën Time në vitin 1923, por kur ai ndërroi jetë në vitin 1967, la pas një pasuri me vlerë rreth 100 milionë dollarë.

Ditët e sotme, filantropët e pasur po shndërrohen në baronë të shtypit, duke shpëtuar botime të ndryshme. Pak kohë më parë, Marc Benioff, një bashkëthemelues i Salesforce.com, një kompani softuerike, së bashku me bashkëshorten e tij, Lynne Benioff, blenë revistën Time, për 190 milionë dollarë. Ata janë ndër të fundit në grupin e miliarderëve të teknologjisë që kanë investuar në gazetarinë e printuar, duke ndjekur shembullin e Jeff Bezos, bosin e Amazon, i cili bleu Washington Post në 2013 dhe Laurene Powell Jobs, e veja e Steve Jobs, bashkëthemeluesit të Apple, që bleu një përqindje të lartë aksionesh vitin e kaluar te revista Atlantic. Secili prej shembujve të mësipërm ka qenë më shumë një akt qytetari ndaj mbështetjes së gazetarisë së printuar dhe askush prej tyre nuk ka ndërhyrë në strukturat e revistave.

Time prej disa kohësh po përballet me pasiguri të theksuara financiare dhe si pasojë e kësaj situate, gjatë vitit të kaluar, ajo e zvogëloi tirazhin në 3 milionë, duke njoftuar edhe për një objektiv të ri më të ulët, prej vetëm 2 milionësh. Në janar të këtij viti, Meredith, një kompani amerikane e medias, bleu Time Inc për 1.8 miliardë dollarë, së bashku edhe me një borxh prej 1 miliard dollarësh. Kjo marrëveshje u mbështet nga Charles dhe David Koch, vëllezër miliarderë, të cilët janë aktivistë republikanë, duke shkaktuar frikë të pabazuar për një marrje të revistës nga ana e konservatorëve.

Ajo çka Time ka më shumë nevojë nga pronarët e saj të fundit, përveç zgjerimit, është një vizion që mund ta mbështesë atë si një biznes. Shumë gazeta dhe revista kanë falimentuar dhe janë mbyllur gjatë dekadës së fundit, disa prej tyre emra të njohur të kësaj fushe, si Village Voice, një gazetë në Nju Jork, e cila u mbyll në muajin gusht të këtij viti. Vëzhguesit e mediave argumentojnë se vetëm fama e markës Time duhet ta ndihmojë atë që të mbijetojë, por edhe kjo taktikë nuk mund të zgjasë për një kohë të gjatë. Sipas një raporti në Wall Street Journal, të ardhurat e revistës pritet të shënojnë rënie gjatë këtij viti, nga 173 milionë dollarë në 158 milionë dollarë. Z. Benioff mund të jetë shpëtimtari i kësaj situate. Ai është përshëndetur nga shumë për blerjen e tij të fundit.

Thuhet se ai dëshiron që stafi i ri në revistën Time të mendojë me largpamësi, për shembull për imazhin që do të ketë Time në vitin 2040. Por edhe nëse stafi i tij nuk arrin të ecë me të njëjtin hap me pritshmëritë e tij, vetëm nëpërmjet të ardhurave të z. Benioff (rreth 7 miliardë dollarë), revista Time do të qëndrojë në treg së paku edhe për 22 vite të tjera, gjë që dukej e pamundur përpara se ai ta blinte revistën. Ndërkohë z. Benioff ka marrë përsipër edhe rreziqe të tjera politike. Ashtu si në rastin e z. Bezos, edhe ai mund të përfshihet nga zemërimi dhe hakmarrja e Presidentit Donald Trump.

Aksionerët e tjerë në Salesforce ndihen të shqetësuar nga një hakmarrje e mundshme. Benioff deklaroi se blerja e fundit duhet të konsiderohet thjesht si një biznes dhe se nuk do të ndikojë në operacionet e përditshme të revistës. Por deklarata mund të konsiderohet e pavlefshme nga Presidenti Donald Trump në momentin që ai do të shohë të publikuara në kopertinën e kësaj reviste fotot e tij jo fort të këndshme.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of