Të ardhurat totale në buxhet pritet të rriten gradualisht nga 24% e PBB-së në 2013 (niveli më i ulët i dekadës së fundit) në 25.7% në 2014 për t’u ngjitur deri në 27.1% të PBB-së në 2017-n, sipas kuadrin afatmesëm 2014-2017 të qeverisë shqiptare.
TVSH do të vazhdojë të jetë kontribuuesi kryesor i të ardhurave në buxhet. Sipas pritshmërive të Ministrisë së Financave, pasi kanë zbritur në 8% të PBB-së në 2013-n, do të rriten gradualisht për të arritur në 9% të PBB-së në 2017-n.
Gjithsesi, ato në afatin e mesëm nuk pritet që të arrijnë në nivelet e 2008-s dhe 2009-s, kur ishin përkatësisht 9.6% dhe 9.3% e PBB-së.
Në 2013-n, të ardhurat nga TVSH ranë ndjeshëm, duke ndikuar negativisht të gjithë performancën e të hyrave buxhetore dhe duke reflektuar tkurrjen e qarkullimit në ekonomi për shkak të krizës ekonomike.
Në paketën fiskale të vitit të kaluar, qeveria ishte në dilemë nëse do të rriste TVSH-në në 21%, apo tatim fitimin nga 10 në 15%. Ajo zgjodhi këtë të dytën, duke ia kaluar barrën bizneseve, ndërsa TVSH është taksë mbi konsumin dhe çdo rritje e saj do të transferohej në shtrenjtim të çmimeve për të gjithë konsumatorët.
Burimi: Ministria e Financave
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.