Barrierat që na pengojnë të bëhemi konkurrues

18/12/2016 3:27 PM 0 komente

Flet presidenti i Organizatës së Sommelierisë Shqiptare, Dashamir Elezi

 

Prej sa vitesh operon Organizata e Sommelierisë Shqiptare? Ku konsiston puna juaj?

Organizata Shqiptare e Sommelierisë është organizuar në 2015 dhe ka një kontribut mbi 11-vjeçar në jetën shoqërore shqiptare. Puna e organizatës konsiston në njohjen e verërave dhe pijeve të tjera alkoolike vendase dhe të huaja dhe përhapjen e kulturës së njohjes dhe shijimit të verës në Shqipëri; mbështetjen teknike të prodhueseve shqiptarë dhe të aktorëve të këtij tregu. Puna e OSSH konsiston në trajnimet teorike e didaktike në fushën e restoranteve, mbështetjen teknike të prodhuesve për të arritur verëra cilësore të markës shqiptare dhe bashkëpunimin me shoqata të tjera ndërkombëtare për njohjen dhe përditësimin me verërat ndërkombëtare.

A ka verë të mirë shqiptare dhe pse nuk mund të jemi konkurrues as brenda Shqipërisë?

Për sa u përket verërave shqiptare duhet theksuar që disa prodhues seriozë në Shqipëri kanë investuar në vreshta, teknologji dhe know-how (bashkëpunim me profesionistë enologë ndërkombëtarë) të cilët po nxjerrin në pah vlerat e produkteve tipike shqiptare. Ka disa prodhime shqiptare të cilat garantojnë stabilitet dhe cilësi të lartë, por nuk janë sasiore dhe janë të paktë këta prodhues. Për sa i përket konkurrueshmërisë në tregun shqiptar ka disa barriera të ndryshme (edhe artifica burokratike), të cilat pengojnë prodhimin shqiptar për të marrë rrugën e duhur për sa i përket cilësisë. Prodhuesi shqiptar, edhe sot e kësaj dite nuk është mbështetur ende nga shteti me projekte konkrete. Gjithashtu ekziston një “mjegull” në fushën e marketingut dhe në shkëmbimin direkt me konsumatorin. Në aspektin e kontrollit fito-sanitar ka shumë mangësi, qoftë nga vetë institucionet e kontrollit ashtu edhe nga mënyra se si konsumatori qaset me produktin (verë e bërë vetë e tregtuar me bidonë plastikë). E gjithë kjo amulli ndikon negativisht në konkurrueshmërinë e prodhuesit shqiptar të verës në tregun vendas.

Çfarë karakteristikash, faktorë, apo kushte duhen që produkti final të jetë një verë e mirë?

Për të prodhuar një verë cilësore duhet që të ndiqen disa hapa teknologjikë:

– Lënda e parë (rrushi) duhet të ketë parametrat e duhur dhe të vilet kur të ketë arritur parametrat e duhur (pjekja fenolike, pH, aciditeti i duhur dhe rendimenti i duhur). Pasi të kemi një lëndë të parë cilësore duhet që të respektohet jo vetëm teknologjia e prodhimit duke pasur parasysh llojin e verës që do të prodhohet dhe kohën e procesit teknologjik dhe të kontrollit. Nëse ndiqet protokolli i duhur i prodhimit është më se e sigurt që luhatja cilësore nga viti në vit është shumë e vogël. Në Shqipëri shumë pak prodhues e ndjekin procesin teknologjik të rekomanduar nga specialistët e fushës – enologët. Aq më tepër që për të prodhuar një verë cilësore nevojitet një eksperiencë shumëvjeçare në këtë fushë, sepse kemi të bëjmë me një element të gjallë siç është vera në të cilin reaksionet e ndryshme organike ndodhin në kohë jashtëzakonisht të shkurtër dhe bëhen thuajse të pakontrollueshme. Procesi teknologjik përfundon me futjen e verës në shishe, kështu që është po aq i rëndësishëm edhe stabilizimi dhe ruajtja e verës.

Cilat janë problemet e kësaj industrie në Shqipëri?

Problemet e kësaj industrie janë komplekse:
-Prodhuesi nuk është shume i qartë për atë që duhet të jetë filozofia e tij e prodhimit.
-Mungesa e lëndës së parë të certifikuar (kultivarë qartësisht të certifikuar) si rrjedhojë dhe prodhim jo i duhur për atë që është emërtimi.
-Mungojnë politikat afatmesme dhe afatgjata për zhvillimin e kësaj industrie.
-Mungon mbështetja teknike nga ana e dikasterit te bujqësisë për sektorin e vreshtarisë.
-Mungon mënyra se si mund të udhëzohen prodhuesit vendas në harkun vjetor për atë që duhet të jenë shërbimet në vreshtari.
-Sistemi fiskal për kontrollin e prodhimit (duke qenë se është subjekt akcize) është i mangët dhe ndikon negativisht në procesin teknologjik të prodhimit.
-Mungojnë politika makroekonomike për promovimin në fushë të gjerë të prodhimit të verërave shqiptare si brenda dhe jashtë vendit.
-Tregu vendas është kaotik për sa i përket verërave të prodhuesve shqiptarë duke penguar prodhuesit korrekte.
-Përveç procesit teknologjik në tregun vendas mungojnë edhe elementet e tjerë që nevojiten për ta konsumuar verën nëpër restorante apo tryeza siç janë elementet ndihmës, shishja, tapa, etiketimi etj.

Si mund të zgjidhen dhe kujt i adresohen?

Zgjidhja e këtyre problemeve u përket të gjithë subjekteve të fushës, por së pari enteve shtetërore për të përcaktuar qartësisht rregulla të prodhimit dhe të kontrollit. Është e nevojshme një database e përgjithësuar qoftë me sasinë e mbjellë të vreshtave, llojet e kultivarëve, numrin e prodhuesve në zona të ndryshme dhe sasitë e prodhuara të verës dhe të nënprodukteve të tjera. Gjithashtu është e nevojshme bashkëpunimi me ekspertë në këtë fushë (enologë, sommelierë, agronomë etj.)

Shqipëria ka tre rajone kryesore dhe shumë varietete. Në mendimin tuaj cilat janë zonat më të mira të prodhimit?

Në aspektin klimatik, Shqipëria ofron zona me një potencial të jashtëzakonshëm për prodhimin e verërave cilësore si rezultat i vreshtave cilësore. Është më se e vërtetuar (nga shekuj më parë) që pjesa veriperëndimore e Shqipërisë, nga Zagoria e deri në Lezhë, pjesa kodrinore e Shqipërisë Qendrore, si dhe pjesa juglindore e Shqipërisë janë territore ku hardhia ka gjetur “habitatin” perfekt për të. Janë zona të mbrojtura nga erërat kontinentale dhe me klimë të butë e cila është shumë e përshtatshme për prodhimin cilësor të rrushit për verë. Zona si Malësi e Madhe, Shtojë, Zadrima, Kallmeti, Fshatrat e Peshkopisë, zona kodrinore Tiranë-Durrës-Kavajë, fshatrat e Beratit, zona e Këlcyrës, Përmetit, Leskovikut, zona kodrinore e Vlorës, zona e Delvinës dhe deri në Xarë janë nga zonat më të shquara për prodhimin e rrushit për verë në Shqipëri.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz