Bashkia e Tiranës në vitin 2016 i dha për për përdorim pa kundër shpërblim një truall me sipërfaqe 21 685 metra/katror kompanisë ECO Tirana. Por më pak se dy vite më pas planet kanë ndryshuar. Duke kërkuar një terren të lirë për një shkollë të mesme në zonën e Don Boskos duket se alternativat kanë qenë të kufizuara cka kanë bërë që Bashkia të tërhiqet nga vendimi i saj duke pothuajse i përgjysmuar hapësirën dhënë për përdorim Eco Tiranës.
Me një projektvendim tashmë të bërë gati Bashkia e Tiranës ka kërkuar që sipërfaqja që i jepet për përdorim kompanisë Eco Tirana të bëhet 11 574 metra/katror duke bërë korrigjimet e nevojshme në kontratë.
“Me anë të vendimit nr3/20 datë 09.02.2017 të Këshillit Teknik pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës është miratuar : Detyra e projektimit për objektin ‘Ndërtimi i shkollës TIP 1+Tip 4 NË Njësinë Administrative nr.9, Sheshi 9/1 është miratuar detyra e projektimit për realizmin e ndërtimit të një shkolle të re në këtë zonë. Sipas dokumentit të projektimit ndërtimi parashikohet të jetë pranë lagjes Don Bosko e cila është zonë me intensitet të lartë banimi ku nuk ka shkolla të mesme. Sipërfaqja e parashikuar për ndërtimin e shkollës është rreth 13 577 metra/katror. Një pjesë e territorit ku parashikohet të ndërtohet shkolla e re shtrihet brenda pasurisë me numer 4/165 me sipërfaqe totale 21 685 metra/katror dhe me emërtimin “Parku i Transportit Tiranë” me vendndodhje në Rr.Don Bosko Tiranë në pronësi të Bashkisë Tiranë” thuhet në relacionin e projektvendimit
I njëjti sqaron se investimet e bëra deri më tani nga kompania Eco Tirana nuk preken nga zona që do të hiqet prej përdorimit.
Kompania Eco Tirana
Eco Tirana është një shoqëri aksionere e themeluar në 8 korrik 2016 me një kapital 3.9 milionë lekë. Aksionere e saj janë AGSM Holding ALBANIA e cila zotëron 49 për qind të aksioneve dhe Bashkia e Tiranës me 51 për qind të aksioneve.
Objekti i kompanisë është i gjerë por ndër më kryesoret përfshin “mbledhjen, transportin, ndërmjetësimin dhe tregtimin e mbetjeve dhe të materialeve që rrjedhin prej tyre, duke përfshirë edhe grumbullimin e diferencuar të tyre, si dhe pastrimin e hapësirave publike, ndërtimin dhe manaxhimin, edhe për llogari të palëve të treta, të impianteve përrikuperimin, riciklimin, trajtimin dhe asgjësimin e mbetjeve, rehabilitimin e zonave nga substancat ndotëse”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.