Bashkia e Durrësit ka hapur dje një tender me vlerë 22 milionë lekë për dixhitalizimin e të dhënave gjeohapësinore të titujve të pronësisë dhe bizneseve të Bashkisë së Durrësit. Afati për dorëzimin e ofertave do të jetë deri më 20 korrik të këtij viti, sipas njoftimit në Agjencinë e Prokurimit Publik. Kjo do të shërbejë më pas edhe si bazë për mbledhjen e taksës së pronës.
Nisur nga vlerësimi që ka bërë sektori përkatës i Bashkisë së Durrësit për ekzistencën e të dhënave gjeohapësinore për të gjithë zonën që ka në administrim, vlerëson si shumë të rëndësishme realizimin e një baze të dhënash sipas standardeve të NSDI (Infrastruktura Kombëtare e të Dhënave Gjeohapësinore) për titujt e pronësisë dhe bizneset e ndodhura në zonën e administruar nga Bashkia e Durrësit, thuhet në dokumentet e tenderit.
Bashkia e Durrësit thotë se ka nevojë për informacion gjeografik të saktë dhe të përditësuar në lidhje me vendndodhjen e saktë të objekteve ose parcelave, si dhe individët të cilën gëzojnë ose pretendojnë të jenë pronare të këtyre titujve pronësie.
“Ky informacion i domosdoshëm për përmbushjen e detyrave të Bashkisë gjenerohet kryesisht nga administrata e Bashkisë dhe njësitë administrative nën varësi të saj, si dhe nga institucione të tjera kombëtare ose lokale të specializuara në prodhimin dhe menaxhimin e këtij informacioni. Shpesh këto institucione punojnë në mënyrë manuale gjë që e bën të vështirë transparencën dhe vendimmarrjen. Ky informacion aktualisht përbëhet nga të dhëna alfa numerike si dhe të dhëna grafike. Në të dyja rastet informacioni është i lidhur ngushtë me pozicionin gjeografik”, sqarohet në të dhënat e projektit.
Bashkia thotë se, aktualisht ky informacion disponohet në formate të ndryshme të pastandardizuar dhe shpeshherë nuk përfshin aspektin gjeografik. Nisur nga nevoja për organizimin, standardizim dhe publikimin e këtij informacioni gjeohapësinor në përputhje me Ligjin Nr. 72/2012, ky projekt synon mbledhjen, përgatitjen, ruajtjen dhe përditësimin e këtij informacioni në Gjeoportalin Lokal të Bashkisë sipas standardeve teknike dhe funksionale të parashikuara në këto legjislacione.
Janë mbi 14000 tituj pronësie që kanë problematika me regjistrimin e A.M.T.P. (Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi) si rrjedhojë edhe e mungesës ose pasaktësisë së të dhënave ose formatit të tyre të papërshtatshëm, thuhet në dokumentacionin e garës.
Projekti edhe për Tiranën
Dixhitalizimi i pronave dhe krijimi kadastrës është një projekt që duhet të niste në Tiranë që vitin e kaluar, me qëllim vendosjen e një baze të saktë të të dhënave të pronësisë me qëllimin vënien e një takse të re për pronat. Reformimi i taksës së pronave ishte një kusht që qeveria shqiptare nuk e përmbushi dot me marrëveshjen e kaluar që kishte me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.