Bashkia e Tiranës, një e treta e të ardhurave nga taksa e infrastrukturës në 2017-n

23/05/2018 11:01 PM 0 komente

Bashkia e Tiranës ka arritur një nivel rekord të ardhurash në vitin 2017, prej 16.7 miliardë lekësh në total, me një zgjerim prej 31.5% me bazë vjetore dhe më e lartë sesa planifikimi prej 14.7 miliardë lekësh që ishte bërë në fillim të vitit.

Në krahasim me vitin 2015, kur u shënua ndryshimi i pushteteve në Bashki, të ardhurat janë 77% më të larta. Të dhënat u bënë të ditura nga portali financatvendore.al.

Të ardhurat e veta (përjashtuar transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara) përbëjnë 63% të totalit dhe arritën në 10.3 miliardë lekë në 2017-n, me një zgjerim prej 40% me bazë vjetore.

Efektin kryesor në këtë performancë të fortë e ka dhënë taksa e ndikimit në infrastrukturë (që ka ndikuar në 50% të rritjes totale të të ardhurave), duke sjellë gati një të tretën e të arhdurave të veta të Bashkisë, nga taksat dhe tarifat. Nga kjo taksë, që vilet nga ndërtimet e reja, Bashkia e Tiranës ka arkëtuar 3.5 miliardë lekë, me një rritje prej 155% në raport me vitin e mëparshëm.

Sipas INSTAT, në Tiranë u dhanë për gjithë vitin 2017 gjithsej 231 leje (për një sipërfaqe totale 522 mijë metra katrorë) me rritje të numrit të lejeve prej 118%, në krahasim me vitin e kaluar, ose 125 leje më shumë, ndërkohë që sipërfaqja është 2.5 herë më e madhe. Kjo është reflektuar dhe në arkën e Bashkisë, teksa taksa e ndikimit në infrastrukturë ka sjellë 33% të të ardhurave të veta.

Bashkia e kryeqytetit ka marrë nga ndërtimet e reja 25% më shumë të ardhura sesa ajo planifikonte të mblidhte në buxhetin e saj fillestar. Ndërtesat e reja paguajnë 8% të vlerës së shitjes si taksë për ndikimin në infrastrukturë, çka nënkupton se vlera totale e ndërtimeve për të cilat është mbledhur kjo taksë, arrin në 43 miliardë lekë, ose rreth 330 milionë euro.

Pas taksës së infrastrukturës, zëri i dytë që sjell më shumë të ardhura në arkën e Bashkisë së Tiranës është tarifa e pastrimit dhe gjelbërimit, me 1.73 miliardë lekë (rritje 8.5% me bazë vjetore). Në krahasim me vitin 2015, të ardhurat nga kjo taksë janë dyfishuar, duke reflektuar dhe rritjen e ndjeshme të tyre në Paketën Fiskale 2016.

Më pas vjen taksa mbi pasurinë e paluajtshme, me 1.72 miliardë lekë (rritje 12%), e cila mblidhet pothuajse krejtësisht nga ndërtesa, ndërsa pesha që vjen nga toka bujqësore është e papërfillshme.

Nga tarifat administrative, bashkia ka mbledhur 1.25 miliardë lekë, me një zgjerim prej 50% me bazë vjetore.

Rritja e të ardhurave i ka mundësuar bashkisë që të kryejë më shumë shpenzime kapitale. Këto të fundit arritën në 6.3 miliardë lekë, 28% më shumë sesa viti i kaluar. Pjesa më e madhe e tyre ka shkuar për infrastrukturën e transportin (3.7 miliardë lekë) dhe shërbimet publike (gati 2 miliardë lekë). Shpenzimet për arsimin zbritën në 572 milionë lekë, me një rënie prej 22% me bazë vjetore.

Në rritje të fortë ishin dhe shpenzimet për pagat e personelit, që arritën në 4.4 miliardë lekë, ose 27% më shumë se vitin e kaluar.

Burimi: Financatvendore.al

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz