Bashkite: Duam kredi nga bankat

25/09/2011 00:00 0 komente

Tre vjet pas hartimit dhe zbatimit te ligjit rPer huamarrjen vendorer, bashkite shprehin pakenaqesite per kushtet e forta te vendosura nga Ministria e Financave. Kush perfitoi nga ligji dhe skema aktuale

Një ligj i miratuar në vitin 2008, “Për huamarrjen vendore”, me nismën e vetë Ministrisë së Financave dhe me mbështetjen e amerikanëve të USAID, u dha mundësi bashkive dhe komunave të merrnin kredi te bankat e nivelit të dytë në vend për nevoja të komunitetit. Dy ishin llojet e huasë: afatshkurtër për qëllime likuiditeti, dhe afatgjatë për investime. Akordimi i kredisë nga banka kalonte përmes një procedure, që bashkitë e konsiderojnë tepër burokratike dhe nën monitorimin e Financave, e cila hidhte firmën e fundit nëse duhej dhënë garancia apo jo.
Shansi i keq i njësive vendore ishte fillimi i zbatimit i ligjit në vitin 2009, kur nisën të jepeshin kreditë e para. Ky vit konsiderohet nga të gjithë si periudha më e vështirë ekonomike për shkak të borxheve dhe krizës së likuiditeteve. Në këto kushte, Ministria e Financave i forcoi më shumë rregullat, duke vendosur limitin 2.5 për qind të buxhetit për marrjen e kredisë. Ky urdhër i ministrit u konsiderua nga njësitë vendore si goditja fatale ndaj procesit, i cili sot konsiderohet pothuajse i dështuar.
Për të mësuar më qartë situatën ku ndodheshin njësitë vendore, për të parë praktikat më të mira dhe për të vendosur bashkërisht mbi fatin e procesit, Shoqata e Bashkive zhvilloi një takim me grupet e interesit. Të gjithë ishin të pranishëm në takim, përveç Ministrisë së Financave, e cila e anuloi në momentet e fundit.
“Shumë gjëra kanë ndryshuar në këto vitet e fundit dhe roli i njësive vendore është rritur tej mase, sikurse dhe beteja me ligjet e financimet është bërë më e fortë”, thotë drejtori i shoqatës, Fatos Hodaj. Shqetësimi i tij në këtë proces lidhet me faktin se ligji i qeverisë për huamarrjen vendore nuk ofron asgjë, pasi norma 2.5 për qind në raport me buxhetin e bashkisë jep një vlerë investimi tepër të vogël.
“Të gjithë bashkërisht, pa dallime politike, krerët e bashkive duhet të mblidhen dhe të diskutojnë mbi të ardhmen e ligjit, në të kundërt do të mbeten në pritje të granteve që lëshon qeveria”, thotë Hodaj. Por edhe grantet në dy vitet e fundit janë pakësuar, ndërsa transfertat po kalojnë përmes limiteve, në bazë të popullsisë që përfaqëson njësia vendore.
 
Norma
“Norma 2.5 për qind në raport me buxhetin e bashkisë jep një vlerë investimi tepër të vogël”, thotë Fatos Hodaj, drejtor i Shoqatës së Bashkive

Fillimi i mirë, por rrugës ngeci

Shtatë janë njësitë që përfituan të parat nga ligji për huamarrjen. Bashkia e Fushë-Krujës, me ndihmën e USAID-it, mori në vitin 2009 rreth 1 milion dollarë nga një bankë private. Në ato kohë akordi i kredisë u konsiderua një hap i madh drejt pavarësisë financiare të bashkive. Vetë amerikanët ishin të gëzuar, kurse ministria e konsideronte model suksesi. Në ato kohë nuk kishte norma limit për marrjen e huasë, në raport me buxhetin. Mjafton të paraqisje bilancin financiar, planin e të ardhurave dhe garancinë e qeverisë. Shumat e kredisë shkonin në 1, 1.5 deri në 2 milionë dollarë, me interesa nën 5 për qind. Pra, kushtet ishin vërtet të favorshme.
Njësitë e para që morën kredi mund të konsiderohen me fat, pasi për të tjerat në vijim do të niste odiseja e procedurave burokratike. Nisur nga kriza e borxheve dhe frika se mos ndoshta bashkitë rrisnin stokun, Ministria e Financave vendos një limit prej 5 përqindësh në raport me buxhetin, mbi të cilin njësia nuk duhet të tejkalonte shumën.
“Ministria e Financave shprehte shqetësimin se mos ndoshta paratë shpenzoheshin jo për qëllimin e duhur, ndërsa bashkitë futeshin në borxhe”, thotë Fatos Hodaj, drejtor i shoqatës.
Me kalimin e kohës, Financat i shtrënguan më shumë kushtet, deri sa vjen urdhri i dytë i ministrit Bode, për uljen e koeficientit në 2.5 për qind. Që prej këtij urdhri, interesimi i bashkive për të marrë kredi ka rënë. “Të gjitha bashkitë që kishin nisur procedurat për të marrë kredi në vitin 2011 i anuluan aplikimet dhe më e keqja është se nuk ka asnjë kërkesë të planifikuar për vitin 2012″, tregon Jolanda Memaj, eksperte pranë Shoqatës së Bashkive.
“Me normën 2.5 për qind nuk ia vlen aspak t’i futesh procedurave me bankat, sepse harxhon kot energji. Për bashkinë që drejtoj, kjo normë përkthehet ndryshe 8 milionë lekë në vit”, thotë kreu i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha.
Njësitë vendore janë duke u përballuar me mungesa të theksuara likuidimesh, për shkak edhe të fushatës elektorale. Në fillim qeveria ndërhyri, duke i vendosur kufi te taksat, deri në uljen e tyre, duke sjellë rënie të të ardhurave me 30 për qind. Pastaj vjen ligji i ri për buxhetin, ku ministri i Financave vendos të tjera kufizime mbi fondin e pakushtëzuar. “Shpresoj të bindim ministrinë dhe qeverinë që, nëse punojmë si duhet dhe vërtetojmë se i kemi kapacitetet financiare, të rishikojnë ligjin e huamarrjes”, thotë Hodaj.
Indiferenca
“Të gjitha bashkitë që kishin nisur procedurat për të marrë kredi në vitin 2011 i anuluan aplikimet dhe më e keqja është se nuk ka asnjë kërkesë të planifikuar për vitin 2012″, tregon Jolanda Memaj, eksperte pranë Shoqatës së Bashkive.

 
Europa
Rasti i falimentimit të bashkive

Nga përvoja në punën e përditshme dhe nga forumet e ndryshme ndërkombëtare, Fatos Hodaj gjykon se nga njëra anë, procedurat e forta të vendosura nga Ministria e Financave ndihmojnë në bërjen transparent të procesit të huamarrjes dhe kontrollit të situatës. “Kujtoj rastin e Rumanisë, disa vite më parë, kur një pjesë e bashkive shpallën falimentin për shkak të borxheve të mëdha. Qeveria ndërhyri dhe mori masat, por efektet ndihen edhe sot”, tregon ai. Kriza ekonomike i bëri qeveritë më të kujdesshme, por sakaq borxhet ishin shtuar. “Falimentimi nuk kurseu as bashki në Gjermani, shtet ku kriza nuk pati pasoja si në vendet e tjera. Një bashki në Gjermani shpalli falimentin kur kërkoi të merrte borxh për të shlyer borxhin”, thotë Hodaj.

Bankat
Borxhi i bashkive, pa ndikim
Nëse qeveria, apo Ministria e Financave gjykon se borxhi i bashkive dhe komunave do të ndikojë te borxhi publik në total, bankat kanë mendim të kundërt. Disa nga bankat në vend kanë qenë aktive me dhënien e kredive dhe tashmë i njohin më nga afër veçoritë e sektorit. “Kemi bërë llogaritjet tona. Borxhi i bashkive nuk është as 5 për qind e huasë që ka qeveria në total. Pra nuk përbën rrezik”, thotë një drejtuese banke. Kjo logjikë mund t’i vijë në ndihmë Shoqatës së Bashkive kur të zhvillojnë në fund të muajit takimin me krerët e Financave.

Viktor Tusha, kryetar i Bashkisë së Lezhës, tregon përvojën me bankat dhe masat që duhen marrë

Kredia e parë na ndihmoi, por tani nuk ia vlen

“Të marrësh kredi në banka duhet të kesh kurajë, kërkon guxim dhe natyrisht përvojë”. Kështu e nis bisedën, kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha, i cili në zgjedhjet e majit, mori një mandat tjetër. Ai thotë se përvoja si biznesmen e ka ndihmuar shumë në menaxhimin e procesit të huamarrjes.
“Pasi plotësuam të gjithë dokumentacionin, njohëm këshillin bashkiak me projektin dhe njoftuam Ministrinë e Financave, nisëm negociatat me bankat. Projekti ynë konsistonte në ndërtimin e disa rrugëve në ato zona të Lezhës, ku ishte tepër e nevojshme. Tratativat me bankat ishin të vështira, por në fund ia dolëm, edhe pse kërkuam 250 milionë lekë, por morëm gjysmën”, vijon bisedën Tusha, ndërkohë që tregon fotot e projektit të realizuar.
Ai thotë se në kohën e marrjes së kredisë nuk ishte vendosur ende kufiri 5 apo 2.5 për qind që është sot. “Ishte më ndryshe. Bankat jepnin kredi, kurse Financat monitoronin procedurat. Mjafton të ishte i saktë dhe konkret me projektin dhe planin e të ardhurave”, thekson Tushaj, duke mos harruar të falënderojë USAID-n për ndihmën e dhënë. Për bankat është pak më e vështirë dhënia e kredisë për njësitë vendore, pasi ligji nuk lejon bllokimin e pronave të paluajtshme si kolateral, por vetëm financat e bashkive,  d.m.th , ndërhyn direkt në thesar. “E vërtetë, fillimi ishte pak i vështirë, pasi bankat nuk ishin mësuar të jepnin kredi për bashkitë. Më duhej të negocioja për çdo detaj, duke nisur nga interesi, shuma, afati dhe forma e transparencës. Të gjitha këto i bëheshin publike këshillit, i cili edhe ky ishte në situatë jo të qetë”.
Pyetjes se cila do të ishte norma e nevojshme për të marrë kredi, Tushaj i përgjigjet se, “të paktën duhet të jetë 25 për qind e buxhetit vjetor”. Sipas tij, lodhja e madhe për aplikimin deri te marrja e kredisë nuk ia vlejnë për shumat që do të marrësh. “Duhet të kemi parasysh faktin se bizneset nuk presin gjatë për paratë e projektit. Nëse nisin punimet, duhet të jemi në gjendje për t’i paguar në kohë dhe brenda afatit të projektit dhe jo t’i vonojmë. Me kufirin 2.5 për qind, ndërtimi i një objekti mund të zgjasë me vite”, thotë Tusha. Ai shton se marrja e kredisë ofron shumë avantazhe, pasi rrit shërbimet dhe garanton realizimin e premtimit përpara qytetarëve.
Kreu i Bashkisë së Lezhës thotë se duhet rritur presioni ndaj Ministrisë së Financave, në mënyrë që të lirojë kushtet e marrjes së kredisë dhe të rrisë masën e financimit. “Fundja, të gjithë jemi të rrezikuar, por ky proces kërkon kurajë dhe besim”, shton ai.

Presioni
Kreu i Bashkisë së Lezhës thotë se duhet rritur presioni ndaj Ministrisë së Financave, në mënyrë që të lirojë kushtet e marrjes së kredisë dhe të rrisë masën e financimit

Zgjidhja
Lobim dhe takim me donatorët
Krerët e bashkive nuk i kanë humbur shpresat. Ata kanë planifikuar një takim në fund të muajit shtator me donatorë të ndryshëm, nga ku pritet të ndahet një herë e mirë mënyra sesi do të veprojnë. “Nëse punojmë të përçarë, sipas dallimeve partiake, askush nuk do të na mbështesë apo dëgjojë. Nëse të gjithë bashkërisht mblidhemi dhe gjejmë propozime të përbashkëta, atëherë e kemi më të lehtë të arrijmë synimet”, thotë Hodaj. Ai thotë që askujt nuk i intereson përplasja politike, por vetëm realizimi i investimeve për rajonin që përfaqësojnë.
 

 Procedurat

Ligji i huamarrjes, kur bashkia merr kredi
Njësia e qeverisjes vendore mund të marrë hua afatshkurtër, për të financuar mungesën e përkohshme të likuiditeteve, sikurse merr hua afatgjatë për shpenzimet kapitale, apo për të rifinancuar hua afatgjatë ekzistuese. Në aspektin ligjor, duket që Ministria e Financave është treguar e kujdesshme. Ligji ka shumë nene dhe përcakton hallkat drejt marrjes së kredisë.
Sa i takon kushteve të kredisë, në nenin 5 thuhet se, huaja mund të ketë interes me normë fikse ose të ndryshueshme dhe mund të merret në monedhë vendase ose në monedhë të huaj (me përjashtim, kur huaja është afatshkurtër merret vetëm në monedhë vendase). Huaja afatshkurtër maturohet dhe është e pagueshme deri në ditën e fundit të muajit nëntor të vitit fiskal, në të cilin merret dhe nuk mund të jetë objekt i rifinancimit, apo i zgjatjes së afatit të maturimit përtej kësaj date. Kurse huaja afatgjatë nuk mund të ketë maturim dhe nuk mund të bëhet e pagueshme përtej kohës së dobishme të investimit kapital, të financuar me të hyrat e kësaj huaje. Kredia, sqaron ministria, mund të jetë subjekt i kushteve të parapagimit, në përputhje me kushtet e rregullat e parashikuara në marrëveshjen e saj. Duhet sqaruar pjesa se huaja merret në banka vetëm në rast se Ministria e Financave ka refuzuar ndihmën ndaj njësisë vendore. Kjo vlen për huatë afatshkurtra për qëllime likuiditeti. “Njësia e qeverisjes vendore, brenda dhjetë ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjes së huasë afatshkurtër, njofton Ministrinë e Financave për marrjen e kësaj huaje dhe kushtet e saj”, thotë neni 6, pika 3.

 Huaja afatgjatë
Nëse për huanë afatshkurtër, procedurat konsiderohen të lehta, kredia afatgjatë i nënshtrohet disa kushteve më të forta. Njësia e qeverisjes vendore merr hua vetëm me vendim të Këshillit për Huamarrjen, e miratuar me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit, në një mbledhje të hapur për publikun.
Vendimi i këshillit autorizon kushtet e huamarrjes dhe përmban të dhënat si shumën e principalit të huasë, normën e interesit, formën e huasë, maturimin dhe kushtet e kthimit, qëllimin dhe garancitë për kthimin e huasë.
Njësia e qeverisjes vendore, brenda dhjetë ditëve nga miratimi i vendimit, duhet të njoftojë Ministrinë e Financave për marrjen e kësaj huaje. Njoftimi duhet të përmbajë vendimin që autorizon huanë, të ardhurat dhe shpenzimet operative të vitit të mëparshëm fiskal dhe koston e shërbimit të borxhit për vitin fiskal aktual, duke përfshirë edhe koston e parashikuar të huasë së re. Brenda datës 31 dhjetor të çdo viti, çdo njësi e qeverisjes vendore duhet të njoftojë Ministrinë e Financave për planet e huamarrjes për vitin e ardhshëm fiskal.
Vendimi për huanë afatgjatë hyn në fuqi pas konfirmimit nga ministri i Financave, i cili kufizohet vetëm në konfirmimin e përputhshmërisë procedurale për autorizimin e huasë, në përputhje me këtë nen dhe verifikimin e respektimit të kufizimeve të borxhit. Vlerësohet se ministri i Financave e ka konfirmuar huanë, në rast se nuk përgjigjet brenda njëzetë ditëve nga data e marrjes së njoftimit. Megjithëse ministri miraton huanë, kjo nuk do të thotë se qeveria shqiptare ka detyrim ndaj bankës në rast se njësia vendore has në vështirësi. Pra, i gjithë risku qëndron mbi bashkinë apo komunën.
 
 
Kufizimi i borxhit me të ardhurat
Ashtu si qeveria, edhe njësitë qendrore kanë kufizime, madje më të forta. Në nenin 17 thuhet shprehimisht se, shuma e përgjithshme e borxhit afatshkurtër në asnjë rast nuk mund të tejkalojë më shumë se 10 për qind të të ardhurave faktike, gjithsej, nga taksat dhe tarifat vendore dhe taksat e tatimet e ndara të vitit fiskal paraardhës.
Kurse neni 18 tregon rastet e kufizimit të borxhit afatgjatë. Raporti i tepricës operative të vitit fiskal paraardhës (të llogaritur si diferenca e të ardhurave operative, nga burimet e veta, taksat e ndara dhe transferta e pakushtëzuar me shpenzimet jo të kushtëzuara operative të njësisë së qeverisjes vendore) me shërbimin e borxhit, që duhet të paguhet çdo vit për borxhin afatgjatë, është jo më pak se 1,4 : 1.
Ndërsa raporti i stokut të borxhit ndaj të ardhurave operative, gjithsej, nga burimet e veta, taksat e ndara dhe transferta e pakushtëzuar, është jo më shumë se 1,3 : 1. “Shërbimi i borxhit, që duhet të paguhet çdo vit për borxhin afatgjatë, nuk mund të tejkalojë 20 për qind të buxhetit total të të ardhurave nga transferta e pakushtëzuar, taksat dhe tatimet e ndara dhe taksat e tarifat vendore të tri viteve fiskale paraardhëse të njësisë së qeverisjes vendore”, sqaron ministria në një nga nenet e ligjit.
 
 Hapat drejt huasë
· Përgatitja e analizave financiare dhe llogaritja e kufijve të huamarrjes
· Njoftimi i MF për planet e huamarrjes
· Hapja e procesit me bankat / institucionet financiare
· Ofertat dhe negocimi me bankat / institucionet financiare
· Ngritja e grupit të vlerësimit të ofertave të bankave / institucioneve financiare
· Vlerësimi i ofertave të marra nga bankat / institucionet financiare të interesuara
· Njoftimi i bankave në lidhje me ofertat e dorëzuara nga ana e tyre
· Njoftimi i publikut për mbledhjen e këshillit të njësisë vendore ku do të diskutohet kredia
· Mbledhja e këshillit të njësisë vendore për miratimin e kredisë
· Aplikimi për kredinë në Ministrinë e Financave
· Firmosja e kontratës së kredisë me bankën / institucionin financiar
· Amendimi i buxhetit vjetor të njësisë vendore
· Disbursimi i kredisë nga banka / institucioni financiar te njësia vendore
· Raportimi i njësisë vendore pranë MF për nivelin e borxhit publik vendor
· Krijimi i aneksit të borxhit vendor

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.