Bashkitë po bëhen të varura nga ndërtimet, taksa e infrastrukturës sjell 26% të të ardhurave, kryeson Tirana

08/01/2018 3:22 PM 0 komente

Bashkitë e vendit, sidomos kryeqyteti, po bëhen gjithnjë e më të varura nga taksa e infrastrukturës që marrin për lejet e dhëna të ndërtimit, që varion nga 4-8% të vlerës së ndërtimit.

Të ardhurat e veta të bashkive (nga taksat, tarifat, asetet dhe të tjera) për 9 mujorin 2017 regjistruan një vlerë prej rreth 16.7 miliard lekë, në rritje me rreth 3.7 miliard lekë ose rreth 28.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të bëra të ditura nga portali financatvendore.al. Ecuria e kësaj kategorie të ardhurash sinjalizon për vijimësi të përmirësimit të performancës në mbledhjen e të ardhurave vendore në përgjithësi, theksohet në raportin e 9 mujorit.

Analiza e detajuar sipas zërave të taksave tregon se kjo performancë pozitive është udhëhequr nga rritja e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë e cila shënoi dhe nivelin më të lartë historik gjatë periudhës në analizë (2010 – 2017). Të ardhurat nga kjo taksë kontribuan me rreth 4.4 miliard lekë në buxhetin vendor (26% e totalit të të ardhurave të veta), në rritje të ndjeshme krahasuar me nivelin e kësaj takse prej 1.7 miliard lekësh në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Performanca në të ardhurat prej kësaj takse sugjeron  për rigjallërim të aktivitetit ndërtues në vend, privat (rritje e numrit të lejeve të ndërtimit nga bashkitë në vijim të miratimit të planeve të përgjithshme vendore) dhe publik (investime publike të ndërmarra nga qeveria qendrore).

Në nivel bashkie, rreth 71.4% e të ardhurave nga taksa e ndikimit në  infrastrukturë u regjistruan në buxhetin e bashkisë Tiranë (nivel ky rreth 4.9 herë më i lartë krahasuar me nivelin e të ardhurave nga kjo taksë një vit më parë).

Sikurse dhe pritej, të ardhurat nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, vijojnë të ulin kontributin e tyre në totalin e të ardhurave nga taksat vendore. Gjatë periudhës së konsideruar, të ardhurat nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël regjistruan një vlerë prej 276.2 milionë lekë, në rënie me rreth 52.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Një tjetër burim i rëndësishëm të ardhurash për buxhetin vendor përfaqësohet nga të ardhurat nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme. Gjatë periudhës në analizë, të ardhurat nga kjo taksë regjistruan një vlerë prej rreth 3.4 miliard lekë, në rritje modeste me 2.5% në terma vjetorë. Në të gjitha vitet e marra në analizë, taksa mbi ndërtesat përbën mesatarisht rreth 85.4% dhe të ardhurat nga taksa mbi tokën bujqësore zënë 14.6%, ndaj totalit të të ardhurave nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme.

Në terma vjetorë, të ardhurat nga taksa mbi ndërtesat rezultuan në rreth 3.0 miliard lekë, në rritje me rreth 6.5% në terma vjetorë. Në të kundërt, të ardhurat nga taksa mbi tokën bujqësore shënuan rënie vjetore të theksuar me rreth 19.7% krahasuar me një vit më parë.

Taksa e truallit nuk rezulton të ketë regjistruar të ardhura në periudhën e konsideruar. Ky nivel mund të lidhet me problematikat e mungesës pothuajse totale të regjistrave të bazës së taksës (dhe taksapaguesve). Gjithashtu mund të jemi përballë edhe të një problemi të raportimit financiar, dhe një vlerësim më i thellë do duhej të bëhej nga autoritetet.

Aktualisht, me miratimin e ligjit nr. 106/2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, i hapet rrugë  reformimit të taksës mbi pasurinë e paluajtshme (ndërtesa). Veçanërisht, do të kalohet nga taksa me bazë fikse (i aplikuar aktualisht), në aplikimin e taksës së ndërtesës mbi vlerën e tregut të ndërtesës. Në vijim të krijimit të regjistrit qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (kadastrës fiskale) dhe aplikimit të taksës së ndërtesës bazuar në vlerë, të ardhurat në buxhetin e njësive të vetëqeverisjes vendore pritet të pësojnë rritje të ndjeshme.

Përmirësimi i performancës së të ardhurave nga tarifat vendore gjithashtu kontribuoi pozitivisht në ecurinë totale të të ardhurave të veta të bashkive. Ndaj totalit të të ardhurave vendore, të ardhurat nga tarifat zënë një peshë prej 35.2% dhe  përfaqësojnë një kategori të ardhurash mbi të cilat bashkitë kanë diskrecion të plotë. Gjatë periudhës në analizë, të ardhurat nga tarifat shënuan një nivel prej rreth 5.9 miliard lekë, në rritje me rreth 11.6% në terma vjetorë. Për nëntëmujorin e 2017, të ardhurat nga tarifat e shërbimeve publike (menaxhimi i mbetjeve, ndriçimi dhe gjelbërimit) rezultuan në rreth 3.0 miliard lekë, në rritje me rreth 6.7% në terma vjetorë. Ndërkohë që të ardhurat nga tarifat administrative dhe të tjera kontribuuan me rreth 2.4 miliard lekë në të ardhurat nga tarifat në total. Tarifa për zënien e hapësirave publike dhe fasadave gjithashtu pati ecuri pozitive në periudhën në analizë duke shënuar rritje me rreth 8.6% në terma vjetorë, thekson analiza e portalit të financave vendore.

Burimet financiare totale për qeverisjen vendore regjistruan një vlerë 55.2 miliard lekë, në rritje me rreth 25.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në terma nominalë vjetorë, burimet financiare totale rezultuan rreth 11.1 miliardë lekë më të larta. Nëse nga totali i burimeve financiare do të përjashtonin ato kategori të ardhurash të konsideruara me destinacion (transferta të kushtëzuara), të ardhurat mbi të cilat bashkitë ushtrojnë autoritet dhe kanë të drejta vendimmarrjeje përsa i përket mënyrës së shpenzimit, shënuan një  vlerë prej rreth 33.7 miliard lekë.

Të ardhurat në diskrecion të bashkive përfaqësuan rreth 61.0% të burimeve financiare totale dhe përfshijnë: të ardhurat nga burimet e veta, të ardhura nga transferta e pakushtëzuar dhe specifike, të ardhura nga taksa të ndara. Në total, këto të ardhura regjistruan rritje me rreth 21.7% në terma vjetorë. Rritja në të ardhurat në diskrecion të bashkive u përcaktua gjerësisht nga rritja e të ardhurave nga burime të veta të bashkive (taksa, tarifa, transaksione me asetet dhe të tjera), analizon potali i financave vendore.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of