Qeveria e Kosovës dhe Banka Botërore nënshkruan marrëveshje në vlerë prej 11 milionë dollarësh për përmirësimin e sistemit arsimor. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave, Avdullah Hoti, dhe drejtori i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, duke falënderuar Bankën Botërore dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për arritjen e kësaj marrëveshjeje, tha se “kisha kënaqësinë që së bashku me drejtorin e BB-së të nënshkruajmë këtë marrëveshje për përmirësimin e mëtutjeshëm të kushteve në arsim. Kjo është një kredi, e cila nga ana financiare është mjaft e përballueshme për buxhetin e Kosovës, me kushte shumë të mira, grejs – periudhë prej 5 vjetëve, me afat kthimi prej 20 vjetëve dhe me një ngarkesë për buxhetin e Kosovës që është lehtësisht e përballueshme”. Hoti, po ashtu, tha se me këtë kredi do të arrihet vlera në 88 milionë euro të marrëveshjeve dhe kredive që ka shteti i Kosovës me Bankën Botërore. “Në portofolin totale që kemi me BB-në, në plot projekte të cilat disa i kemi përfunduar dhe disa prej tyre janë në proces”, bëri të ditur ministri Hoti, shkruan Zëri.
Ndërsa, drejtori i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters, u shpreh se është e pakundërshtuar se thembra e Akilit e ekonomisë së Kosovës është niveli i lartë i papunësisë.
“Për të zvogëluar papunësinë në mënyrë të qëndrueshme, për të transformuar ekonominë e Kosovës dhe për të rritur potencialin rritës, vendi duhet të zbatojë reformat për të përmirësuar në mënyrë të qëndrueshme situatën në energji, klimën e biznesit dhe arsimin”, tha drejtori i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.