Banka Botërore nxjerr që prej vitit 2003 një raport mbi klimën e zhvillimit të biznesit. Ky raport vlen si një analizë e rregulloreve në nivel mikro-ekonomik për të ofruar një pasqyrë të klimës së biznesit. Raporti përqëndrohet në rregulloret për bizneset e vogla dhe të mesme, duke analizuar 10 indikatorë: hapjen e një biznesi, nxjerrjen e lejeve të ndërtimit, shërbimin elektrik, regjistrimin e pasurisë, marrjen e kredive, mbrojtjen e investitorëve pakicë, pagimin e taksave, tregtinë ndërkufitare, zbatimin e kontratave dhe procedurat e kompensimit të kreditorëve.
Për sa i përket Kosovës, raporti vëren përmirësime në nxjerrjen e lejeve të ndërtimit pas krijimit të skemës së re të inspektimit dhe uljes së tarifës për marrjen e lejes. Po ashtu Kosova vlerësohet për thjeshtësimin e procesit të zbatimit të kontratave, duke futur në funksionim sistemin e garantuesit privat.
Ndër vërejtjet përmendet ndërlikimi i procesit të transferimit të pasurisë si rezultat i rritjes së tarifës për regjistrimin e transaksioneve për regjistrim.
Banka Botërore shprehet pozitivisht, duke vërejtur një përmirësim prej 1.8 pikësh drejt arritjes së standardit të vendeve më funksionale lidhur me klimën e biznesit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.