Serbia po ndjek me vendosmëri rrugën e reformave dhe është e angazhuar për zbatimin e masave të rëna dakord të politikës ekonomike të qeverisë, tha të martën e kaluar, drejtoresha rajonale e Bankës Botërore për Europën Juglindore, Ellen Goldstein.
Ajo e bëri këtë deklaratë në një takim me Presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, duke shtuar se kjo gjë ka ndikuar pozitivisht në parashikimin e fundit të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së) të vendit.
Në janar, Banka Botërore parashikoi një rritje prej 2.8% të Serbisë në 2017, por ajo u rrit në 3.0%.
Vuçiç e falënderoi Goldstein për kontributin personal në arritjen e rezultateve të reformave të zbatuara në Serbi, si dhe mbështetjen e vazhdueshme tre vitet e fundit, si dhe shprehu bindjen se Serbia do të vazhdojë të zhvillojë një klimë të qëndrueshme biznesi për tërheqjen e investimeve të huaja.
Në një deklaratë të zyrës së presidentit, thuhej se Vuçiç dhe Goldstein ranë dakord të vijojnë bashkëpunimin mes Serbisë dhe Bankës Botërore, si dhe të mbështesin reformat në vend, veçanërisht në ristrukturimin e ndërmarrjeve publike dhe sistemeve të mëdha si Industria e Energjisë Elektrike e Serbisë (EPS) dhe Srbijagas, prodhuesi kryesor i gazit natyror në pronësi të shtetit.