BB shkel njërin sy

14/05/2012 2:21 PM 0 komente

Negociatat mes Ministrisë së Financave dhe Bankës Botërore janë zhvendosur në Tiranë, ku çdo ditë diskutimet marrin rrjedhë të re. Paraprakisht duket se palët e kanë gjetur zgjidhjen për borxhin

Ekonomia nuk po ecën me ritmin e duhur dhe rritja vjen nën kapacitetet e disponueshme, fakt që shqetëson gjithnjë e më shumë Bankën e Shqipërisë. Të ardhurat nuk janë sipas planit, shpenzimet dhe rrjedhimisht deficiti po rriten në çdo muaj. Në këto kushte, skenari për rishikimin e buxhetit 2012 shihet si mjeti më i pashmangshëm. Ajo çfarë po diskutohet me ankth është niveli i uljes, ku paraprakisht mendohet se investimet mund të preken deri me 20 për qind.

Deri në qershor, kur do të realizohet operacioni “shtrëngim buxheti”, për ekspertët e Financave dalin probleme më emergjente. Negociatat e vazhdueshme me Bankën Botërore nuk kanë sjellë ndonjë përfitim për palën shqiptare, madje as kur bisedimet kryheshin në Uashington, disa ditë më parë, mes ministrit Ridvan Bode dhe shefave të lartë të BB-së.

Megjithatë, shpresat e qeverisë shqiptare nuk janë shuar. Diskutimet teknike zhvillohen çdo ditë dhe në çdo orë, ku rrjedha e ngjarjeve ndryshon sipas situatave, por në fund, mesa po kuptohet, shanset janë rritur. Qeveria kërkon 300 milionë dollarë, si mjet lehtësues ndaj presioneve të brendshme të tregut, kurse banka është e gatshme t’ia japë, por me disa kushte, të cilat janë bërë publike dhe që në thelb përmbajnë një disiplinim të fortë të buxhetit.

“Monitor” ka mësuar se palët po ecin në një tjetër terren, atë të rishikimit të borxheve aktuale, që qeveria ka me Bankën Botërore. Riskedulimi i atyre huave, të cilat maturohen në këtë periudhë, duke shtyrë afatin e pagesës, i jep më shumë frymëmarrje buxhetit të shtetit. Nëse palët bien dakord për këtë pikë, atëherë shikohet si hap pozitiv drejt një tjetër manovre të madhe dhe kryesore: marrjen e kredisë 300 milionë dollarë.

 

Nuk jemi pa shpresë

Bankat private në vend po i përgjigjen nevojës së qeverisë për likuiditet, por jo me “sinqeritetin” që priste guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Interesat vijojnë të mbeten të larta në raport me pritshmërinë pas uljes së normës bazë të lekut katër herë radhazi, brenda harkut kohor njëvjeçar. Ky është një shqetësim i qeverisë, blerja e borxhit me interesa jo të leverdisshme, pasi të tjerat radhazi po e komplikojnë gjithnjë e më shumë situatën financiare.

Për shumë arsye dhe për më tepër se kurrë, buxheti i shtetit ka nevojë për marrëveshjen me Bankën Botërore. Për këtë vit duhet të paguajmë rreth 50 miliardë lekë interesa për borxhet e marra, ku futen edhe kreditë e BB-së. Disa nga bankat kryesore po tregohen të lëkundura për të financuar qeverinë përmes bonove, ndërsa shërbimet e borxhit po rriten, për shkak edhe të krizës dhe risqeve në rajon.

“Ajo çfarë shikohet si zgjidhje paraprake është riskedulimi i borxhit me BB-në, pjesa e atyre huave që maturohen dhe mendohet një shtyrje e afatit të pagesës”, thotë një ekspert i Financave.

Ministria dhe banka janë në negociata të vazhdueshme dhe matrica e propozimeve për rishikim e kuadrit pothuajse nuk ka lëvizur fare. Banka Botërore kërkon të njëjtat kushte, për uljen e deficitit dhe borxhit, por Ministria e Financave e ka merakun te rritja ekonomike, e cila nuk mund të zhvillohet duke reduktuar investimet apo shpenzimet në tërësi. Ndikimi do të ishte i madh, dhe ndoshta me kosto politike dhe ekonomike për qeverinë.

“Kushtet janë po të njëjtat dhe palët janë ende në diskutime. Nuk është marrë asnjë vendim”, shton burimi.

Po si do të arrihet deri te marrëveshja 300 milionëshe dollarë, aq e nevojshme për buxhetin?. “Me riskedulimin e huave bëhet një lloj kompensimi. Kësti i parë mendohet të jepet në fund të vitit, në shumën e 100 milionë dollarëve”, thotë një tjetër zyrtar i Financave. Ministria këmbëngul se nuk ka kërkuar asnjëherë ta disbursojë shumën e plotë, prej 300 milionësh, por me tri këste, nga 100. Bisedimet paraprake tregojnë për një hap të mirë.

 

Emergjenca e buxhetit

Lëvrimi i këstit prej 100 milionë dollarësh dhe shtyrja në kohë e detyrimeve ndaj Bankës Botërore, padyshim që sjell një lloj lehtësie për buxhetin e shtetit, i cili po pret me ankth fundin e muajit qershor për t’u rishikuar, natyrisht me ulje.

Reduktimi i pagesave për shërbimin e borxhit, në rast se BB pranon, do të ishte veprim i duhur në kushtet e presionit të brendshëm nga bankat, të cilat po tregohen agresive te pjesa e interesave, për shkak edhe të mungesës së mjaftueshme të ofertës.

Burime nga qeveria bëjnë të ditur se buxheti do të shkurtohet, por jo para muajit qershor. Skenarët flasin për një pritje të rezultateve, të paktën të 5-mujorit me të ardhurat nga tatimet dhe doganat, dhe më pas do vendoset se ku do të ndërhyhet.

“Monitor” mëson se, ministrive të linjës u është kërkuar të sjellin ecurinë e investimeve në projekte të ndryshme, ku padyshim, ato me rendimentin më të ulët do të preken nga shkurtimi i shpenzimeve. Shanset më të mëdha janë për projektet që kanë nisur dhe kanë avancuar, të cilat nuk do të ndërpriten, ndërsa ato që nuk kanë nisur ende, madje që janë në fazë tenderimi, mund të anulohen. Vitin e kaluar, qeveria veproi duke ndërprerë të gjithë tenderët pas datës 1 gusht, për shkak se buxheti nuk kishte para për të vijuar projektet.

Por pse i shërben qeverisë kësti 100 milionë dollarë në fund të vitit? Në rast se realizohet rishikimi i huave me BB-në, duke shtyrë pagesat, mund të konsiderohet diçka pozitive. “Kësti në fund na shërben për shërbimet ndaj borxhit dhe shmangien e presioneve nga bankat”, thotë ministria.

 

Shpenzimet

Rënia e të ardhurave thellon deficitin

Fillimi i mbarë konsiderohet gjysma e punës. Për buxhetin tonë, atë të taksapaguesve shqiptarë nuk rezulton i tillë. Viti 2012 nisi me rënie të të ardhurave, kurse projektet e planifikuara të investimeve ishin në pritje të fondeve nga thesari i shtetit.

Të paktën me të dhënat e tremujorit të parë 2012, qeveria nuk mund të krenohet për një situatë stabël financiare, pasi të ardhurat vijojnë gjithnjë e në rënie, kurse shpenzimet nuk kanë ndalur, madje janë rritur, si mundësi për të gjallëruar ekonominë.

Konkretisht, të ardhurat në periudhën janar-mars 2012 arritën në total rreth 78.4 miliardë lekë, ose 4 miliardë lekë më pak se plani i caktuar nga Financat për ekonominë e vendit. Në raport me vitin e kaluar, për të njëjtën periudhë, të ardhurat u rritën me vetëm 922 milionë lekë, ose 1.2 për qind, shumë pak në raport me pritshmëritë ekonomike.

Pavarësisht se në arkën e shtetit ka pasur më pak të ardhura, qeveria nuk e ka ndalur ritmin e të ardhurave, përkundrazi, e ka rritur atë. Për të njëjtën periudhë, janë kryer afro 90 miliardë lekë shpenzime, ose 4.3 miliardë më tepër se plani, kurse investimet rezultojnë 38 për qind më të larta.

Në këto kushte deficiti buxhetor ka kërcyer majat, aq sa alarmoi guvernatorin e BSH, duke kërkuar ndryshim të kursit dhe më shumë disiplinë. Deficiti arriti në 11.4 miliardë lekë, me rritje 275 për qind.

 

Tremujori

Të ardhurat

Arritën në total rreth 78.4 miliardë lekë, ose 4 miliardë lekë më pak se plani i caktuar nga Financat për ekonominë e vendit. Me vitin e kaluar, u rritën me 1.2 për qind

Shpenzimet

Janë kryer afro 90 miliardë lekë shpenzime, ose 4.3 miliardë më tepër se plani, kurse investimet rezultojnë 38 për qind më të larta, pavarësisht ritmit të arkëtimeve

Deficiti

Deficiti buxhetor arriti në rreth 11.4 miliardë lekë, me rritje 275 për qind në raport me planin, kurse me vitin e kaluar, rezultoi 291 milionë lekë, ose 2.5 për qind më pak

 

Ankandi i bonove

Bankat i përgjigjen qeverisë, por me interesa të larta

Deri më tani, uljet e shpeshta të normës bazë të interesit, niveli aktual i të cilave ka zbritur në 4.25 për qind, nuk rezulton e suksesshme për qeverinë shqiptare, ndërsa guvernatori përpiqet ta argumentojë me “sjelljet normale të tregut”.

Duhet thënë se bankat investuan më shumë në bono thesari se në kredi. Ky treg u shfaq i qëndrueshëm në ankandet e fundit, ku qeveria mori mjaftueshëm atë që kërkonte, por problem është interesi i bonove, në afate të ndryshme, sidomos ai 12-mujor.

Bonot 1-vjeçare u shitën te bankat me interesa 7.35 për qind, pak a shumë i njëjti nivel si në ankandet e mëparshme. Ofertat kanë rezultuar të mira, pavarësisht se mbajtësi kryesor i borxhit të brendshëm është treguar pasiv.

Ky është dhe një nga faktet pse interesat gjenden në nivele aspak në përputhje me normën bazë, i cili cakton dhe çmimin e lekut në vend. BSH e uli katër herë normën, nga 5.25, në 4.25 për qind, por këto vendime nuk u morën shumë në konsideratë nga bankat. Ofertat kanë qenë të mjaftueshme, por të shtrënguara nga faktori “Raiffeisen”, i cili është tërhequr deri diku, kurse të tjerat tashmë bëjnë lojën me interesat. Të larta mbeten edhe interesat e obligacioneve 2-vjeçare, në masën 8.54 për qind, duke shënuar gjithsesi një rënie të lehtë.

Aktivet e sistemit bankar janë rritur me rreth 2% në tremujorin e parë 2012, në krahasim me fundin e vitit të kaluar, sipas të dhënave tremujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë, duke arritur në 1.14 trilionë lekë në fund të marsit. Pjesa më e madhe e kësaj rritjeje ka ardhur si rrjedhojë e zgjerimit të aktivitetit të bankave në blerjet e letrave me vlerë, sidomos bono thesari. Ky zë, ndryshe nga tkurrja në dy tremujorët e fundit të 2011-s, ka shënuar një rritje të lehtë prej 1%.

Në tremujorin e tretë dhe të katërt 2011, bankat kishin ulur investimet në bono thesari, të cilat zinin 9.3% të totalit të aktiveve në fund të 2011-s, nga 11.2% në fillim të po këtij viti.

 

Situata e Borxhit

Në fund të vitit 2011, stoku i borxhit publik arriti në 772.5 miliardë lekë ose 58.75% e PBB

Ky stok përbëhet nga borxhi i qeverisë 58.74% të PBB dhe borxhi i pushtetit lokal, me 0.02%

Në krahasim me vitin 2010, borxhi i qeverisë është rritur me 8%, dhe pritet të rritej më tej

Struktura e stokut të borxhit përbëhet nga borxhi afatshkurtër 33% dhe ai afatgjatë, në masën 67%

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of