Shqipëria është vendi i fundit në rajon për nga përqindja e zotërimit të një llogarie bankare. Sipas të dhënave të bëra publike nga Banka Botërore, 38 % e të rriturve shqiptarë zotërojnë një llogari bankare, ndërsa shifrat më pozitive në rajon i ka Serbia, me 83 % të tyre…
Global Findex 2014 tregon se në 3 vitet e fundit rreth 700 milionë të rritur në mbarë botën u bënë zotërues të llogarive bankare. Numri i të rriturve pa një llogari ra me 20 për qind globalisht, duke treguar kështu një tendencë rritëse të fenomenit.
Globalisht, 62 për qind e të rriturve kanë raportuar një llogari në vitin 2014, nga 51 për qind në vitin 2011. Përqindja e të rriturve me një llogari në pothuajse çdo ekonomi është e kënaqshme. Jo çuditërisht, megjithatë, shkalla e pronësisë së llogarisë vazhdon të ndryshojë gjerësisht në shtete të ndryshme, thekson raporti. Në vende me të ardhura të larta zotërimi I një llogarie bankare është pothuajse universal: 94 qind e të rriturve kanë raportuar një llogari në vitin 2014.
Në ekonomitë në zhvillim vetëm 54 për qind e tyre e kanë. Ka edhe dallime të mëdha ndërmjet rajoneve në zhvillim, ku varion nga 14 përqind në Lindjen e Mesme, në 69 për qind në Azinë Lindore dhe Paqësor.
Në Ballkan, Shqipëria ka shifrat më të ulëta të zotërimit të një llogarie bankare, vetëm 38 % e të rriturve shqiptarë e zotërojnë një llogari. Të dhënat e BB bëjnë të ditur se në Kosovë 48 % e të rriturve ka një llogari, në Bosnjë dhe Hercegovinë 53 % e tyre, në Malin e Zi 60 % e tyre, Maqedoni rreth 72 % e tyre dhe Serbia, lider ballkanik me shifra më të larta, prej 83 % të të rriturve.
Përfshirja Financiare Globale (Global Findex 2014) një ndër raportet që Banka Botërore ka nisur të përpilojë që në vitin 2011, tregon se si njerëzit në mbarë botën kursejnë, marrin hua, bëjnë pagesa dhe menaxhojnërisqet e tyre financiare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.