Në Shqipëri, rreth 37% e të punësuarve janë në të zezë. Banka Botërore, në bashkëpunim me Nismën e Vjenës, në raportin e 2019 për trendet e punësimit në Ballkanin Perëndimor, vuri në dukje se vitet e fundit, numri i përgjithshëm i punonjësve informalë është rritur, veçanërisht në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut.
Në periudhën ndërmjet tremujorit të dytë të 2017 dhe tremujorit të dytë të vitit 2018, numri i të punësuarve informalë u rrit me 10,600 persona në Shqipëri dhe 12,800 persona në Maqedoninë e Veriut, ndërsa numri i punonjësve në të zezë ra me 30,000 në Serbi.
Megjithatë, pjesa e punësimit informal në punësimin e përgjithshëm mbeti pothuajse e pandryshuar.
Modele të tilla në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut rezultojnë për shkak se, rritja totale e punësimit ishte më e lartë se rritja e punësimit informal.
Në afat të mesëm, përmirësim i dukshëm ka ndodhur në Shqipëri, veçanërisht që nga fillimi i fushatës kundër informalitetit në shtator 2015, ku pjesa e punësimit informal u tkurr nga 50% me 2014 në 36% në tremujorin e dytë të 2018.
Por megjithatë raporti thekson se, në punësimi informal në Shqipëri qëndron në nivelet më të larta në rajon.
Në Shqipëri, një në tre persona është duke punuar në të zezë në raport me 1 në 5 persona të Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi.
Vetëpunësimi vazhdon të jetë lloji mbizotërues i punësimit informal, ndërsa nuk paguhet puna familjare.
Raporti evidenton se pothuajse gjysma e atyre që punojnë në të zezë janë të vetëpunësuar.
Puna në të zezë ka pasoja të prekshme në kohë. Raportimi jo i plotë (ose nën-raportimi) i kontributeve të sigurimeve shoqërore sot nënkupton relativisht mbulim të ulët ose përjashtim nga pensionet.
Vetëpunësimi informal dhe puna familjare e papaguar janë më të përhapura në sektorin e bujqësisë.
Informacioni i disponueshëm për Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë tregon që pjesa e punës së zezë në bujqësi ka qenë në rënie në të dy vendet gjatë periudhës 2010-2017, ndërsa vetëpunësimi u bë më i rëndësishëm.
Niveli i lartë i informalitetit të punës familjare në bujqësi shpesh nuk është një zgjedhje vullnetare, por nga mungesa e produktivitetit në këtë sektor.
Rrjedhimisht, puna familjare në bujqësi vazhdon të mbetet e padeklaruar, duke lënë punonjësit e pambrojtur të këtij sektori në rrezik të madh për rënie në varfëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.