Teksa kreu i ri i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, deklaroi menjëherë pas zgjedhjes së tij se është i vendosur të ndalojë zgjerimin e Bashkimit Europian gjatë mandatit të tij 5-vjeçar, qeveria shqiptare ka publikuar në fletoren zyrtare Planin Kombëtar për Integrim Evropian 2014-2020, një dokument prej 752 faqesh, që do të shërbejë si si bazë për planifikimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Plani është përgatitur në përputhje të plotë me planin vjetor të punës të Qeverisë dhe, kur të përditësohet, do të jetë plotësisht në përputhje me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim që do të miratohet në dhjetor 2014, si dhe me strategjitë e tjera kombëtare dhe sektoriale.
KRITERI POLITIK
Interesi kryesor kombëtar dhe qëllimi strategjik i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë është anëtarësimi në BE. Kriteret e anëtarësimit kërkojnë – stabilitetin e institucioneve që garanton demokracinë, shtetin e së drejtës dhe zbatimin e parimeve demokratike dhe të drejtat e njeriut, e drejta ndërkombëtare dhe ekonomia funksionale e tregut – janë themelet e politikës së brendshme dhe të jashtme shqiptare. Në përmbushjen e detyrimeve të veta të marra përsipër në kuadër të Procesit të Stabilizim-Asociimit, Shqipëria vazhdon të përmbushë parakushtet politike të theksuara nga BE si kriter të gatishmërisë së saj politike dhe dëshirës së saj për t’u bërë anëtare e familjes evropiane.
KRITERI EKONOMIK
Aderimi në Bashkimin Evropian kërkon përgatitje efikase dhe përshtatje të ekonomisë shqiptare. Reforma e sistemit ekonomik bazohet në një numër dokumentesh strategjike të hartuara në sinkronizim me rekomandimet dhe konstatimet e Komisionit Evropian. Kështu, Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2014-2020 që është planifikuar të miratohet në dhjetor 2014, përcakton përmirësimin e infrastrukturës bazë dhe krijimin e një kuadri biznesi favorizues si parakushte për forcimin e konkurrueshmërisë. Strategjia konfirmon objektivin e Qeverisë shqiptare për krijimin e një ekonomike më dinamike dhe konkurruese, e aftë të garantojë rritje ekonomike të qëndrueshme dhe kohezion social. Një ekonomi moderne dhe, rrjedhimisht, zhvillimi ekonomik në vetvete, kërkojnë investime në kapital njerëzor, zbatimin e suksesshëm të reformave në sistemin arsimor dhe lidhje më të mirë shkencore me reformat e tregut të punës, si edhe nxitjen e sipërmarrjes dhe novacionit për të forcuar konkurrueshmërinë.
Objektivat makroekonomikë kryesorë të Qeverisë në planin afatmesëm janë:
-Rritja dhe zhvillimi ekonomik shoqëruar me rritjen e standardit të jetesës;
-Rritja e punësimit dhe kohezionit social
-Rritja e konkurrueshmërisë së ekonomisë për të garantuar pjesëmarrje të barabartë të Shqipërisë në tregun evropian.
Parakushtet kryesore për arritjen e këtyre objektivave janë vijimi i rritjes ekonomike dhe përmirësimi i kushteve për rritje të qëndrueshme në planin afatgjatë. Një tjetër çështje e rëndësishme është edhe realizimi i reformave strukturore në ekonomi, përkrah ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe të kursit të këmbimit. Këto objektiva arrihen me investime në infrastrukturë, vazhdimin e procesit të liberalizimit dhe privatizimeve, uljen e deficitit fiskal dhe borxhit publik (të brendshëm dhe të jashtëm), mbështetjen e sektorëve eksportues dhe investimeve të huaja direkte, si edhe me një politikë fiskale të favorshme për biznesin. Sidoqoftë, zbatim i reformave ekonomike duhet të shoqërohet me reforma cilësore në administratën publike dhe sistemin ligjor.
Klima e biznesit
Këshilli Kombëtar i ekonomik është një platformë plotësisht funksionale që institucionalizon diskutimet dhe bashkëveprimet midis institucioneve shtetërore dhe komunitetit të biznesit.
Memorandum Mirëkuptimi është nënshkruar me BERZH-in për krijimin e Këshillit të Investimeve. Procesi i pagimit të detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit po ecën normalisht.
Është paguar me sukses shuma e borxheve e planifikuar për gjysmën e parë të vitit 2014.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes po reformohet me mbështetjen e IFCsë, në bazë të treguesve të raportit “Doing Business”, së, me qëllim që të adresojë problematikat që kanë ndikuar në renditjen e vendit në fusha të caktuara.
Shqipëria renditej në vendin e 82-të në raportin “Doing Business” të vitit 2013 dhe në vendin e 90-të në vitin 2014.
One stop shop për biznesin po ngrihet në kuadrin e Agjencisë Shqipërisë e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), me qëllim që të lehtësohet më tej hapja e biznesit dhe të ofrohen shërbimet përmes një sporteli të vetëm.
Drejtoria e Planifikimit dhe Prioritizimit të Investimeve Publike në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, falë bashkëpunimit të ngushtë me Ministrinë e Financave dhe koordinimit me ministritë e linjës, po harton një strategji monitorimi dhe një instrument për investimet publike, në mënyrë që të ketë raporte javore për investime me vlerë mbi 5 milionë euro dhe raporte mujore për investime me vlerë nën 5 milionë euro.
Aftësia për të përballuar presionet konkurruese dhe forcat e tregut brenda BE-së
Aftësia për të përballuar presionet konkurruese dhe forcat e tregut brenda Bashkimit Evropian përbën kriterin e dytë të Kopenhagenit, që përfshin:
-ekzistenca e një ekonomie tregu funksionale, ku stabiliteti makroekonomik mundëson vendimmarrjen në klimë stabiliteti dhe parashikueshmërie;
-ekzistenca e kapitalit të nevojshëm njerëzor dhe natyror, me kosto të përballueshme, duke përfshirë infrastrukturën (energjetikën, telekomunikacionin, transportin, etj.), arsimin dhe kërkimin shkencor;
-impakti i politikave shtetërore për konkurrueshmërinë përmes tregtisë, konkurrencës, ndihmës shtetërore, si dhe mbështetjes për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme;
-rritja e përqindjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në marrëdhëniet tregtare me BE-në;
-niveli i integrimit tregtar me Bashkimin Evropian para aderimit (vëllimi dhe struktura e produkteve që tregtohen).
Për të rritur kapacitetin për të përballuar presionet konkurruese dhe forcat e tregut brenda BE-së, forcimi i konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare përbën një nga objektivat kryesorë strategjikë të politikës ekonomike. Prioritetet e Shqipërisë në këtë drejtim janë:
-harmonizimi i mëtejshëm i legjislacionit me acquis;
-vijimi i konsolidimit fiskal;
zhvillimi i mëtejshëm i sektorit financiar;
-promovimi i konkurrencës së lirë dhe sensibilizimi dhe informimi i sipërmarrësve, konsumatorëve, organeve shtetërore dhe autoriteteve të tjera publike, sistemit gjyqësor dhe publikut në përgjithësi;
zhvillimi uniform dhe i harmonizuar në mbarë territorin e Shqipërisë, rritja e numrit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) si edhe shkalla e impaktit të tyre në PBB;
-harmonizimi i mëtejshëm i politikave dhe programeve të ndihmës shtetërore me legjislacionin evropian në këtë fushë;
-shfrytëzimi i avantazheve krahasuese të Shqipërisë në fushën e turizmit;
-përmirësimi i infrastrukturës energjetike, transportit dhe sistemit të kanalizimeve;
-stimulimi i aplikimit efikas të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare;
-realizimin e reformave kyçe në sistemin e drejtësisë;
-reformimin e sistemit ligjor për çështjet ekonomike (të drejtat e pronësisë, sundimi i ligjit dhe ekzekutimi i kontratave; efektiviteti i gjyqësorit).
Ekzistenca e një ekonomie tregu funksionale
Ekonomia e tregut funksionale kërkon që Shqipëria të ruajë stabilitetin e vet makroekonomik, përfshi qëndrueshmërinë e financave publike, të mbajë stabilitetin e çmimeve dhe të bilancit të pagesave, të ketë ekuilibër ndërmjet kërkesës dhe ofertës, të eliminojë barrierat ekzistuese dhe të sigurojë sundimin e ligjit dhe ekzekutimit të kontratave dhe të titujve të pronësisë.
Në vitet e fundit, Shqipëria e ruajti stabilitetin makroekonomik, por ngadalësimi ekonomik rezultoi në tkurrje të deficitit të llogarisë korrente, por disbalancat në sektorin e jashtëm janë ende të mëdha, duke pasqyruar bazën e ngushtë të prodhimit. Shqipëria ka marrë disa masa për të realizuar procesin e privatizimit dhe ka nisur reforma për të adresuar çështjen e të drejtave pronësore.
Edhe pse janë bërë disa përparime në krijimin e një ekonomie tregu funksionale, Shqipëria ka nevojë të konsolidojë financat publike të ulë nivelin relativisht të lartë të borxhit publik, të forcojë më tej qeverisjen, të rritë performancën e tregut të punës, të garantojë të drejtat e pronësisë dhe të forcojnë sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Kapitali njerëzor: Zhvillimi i kapitalit njerëzor dhe tregu i punës funksional janë faktorë kyçë që kontribuojnë në rritjen ekonomike, konkurrueshmërinë dhe pozicionin e sistemit ekonomik shqiptar si pjesëmarrës në tregun evropian dhe global.
Problemet kryesore me të cilat përballet Shqipëria dhe që pengojnë realizimin e plotë të kapitalit njerëzor janë: ndryshimet në sistemin e ekonomisë, “bjerrja e trurit” në vitet e fundit, informaliteti dhe mungesa e arsimit dhe sistemit të formimit profesional. Si rezultat, bizneset shpesh përballen me mungesë aftësish që kufizon rritjen e tyre.
Megjithatë, kohët e fundit ka pasur disa reforma për të modernizuar sistemin e arsimit dhe forcimit profesional (AFP) dhe për të rritur nivelin e llogaridhënies dhe respektimit të ndryshimeve në tregun e punës.
Në 2013, qendrat publike të formimit profesional ofruan kurse profesionale për punëkërkuesit e papunë dhe njerëzit që kërkonin zgjerim të aftësive profesionale. Në 2013, 9.254 kursantë morën pjesë në 996 kurse trajnimi. Nga këto, 3,896 ishin femra, ose përafërsisht 42%. 5,007 njerëz, ose rreth 54% e pjesëmarrësve ishin të papunë.
Në fund të vitit 2013, ishin pajisur me certifikatë 8,884 persona ose 96% e personave të regjistruar. MMSR përfundoi Strategjinë për Punësim dhe Aftësi 2014-2020, e cila u shpall më 26 shkurt 2014. Në të njëjtën kohë, MMSR hartoi edhe planin përkatës të veprimit. Strategjia synon përmirësimin dhe reformimin e sistemit AFP për t‟iu përgjigjur më së miri kërkesës së tregut të punës. MMSR në bashkëpunim me Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve hartoi kurrikulat e reja për kurset profesionale bazuar në analizë e tregut.
Shpenzimet publike në arsim llogariten në rreth 3.2% të PBB-së në vitin 2012 dhe mbetën të pandryshuara në buxhetin e 2013. Në fund të T3 2013, shkalla e papunësisë ishte 16.9%, siç është raportuar nga INSTAT. Numri i punëkërkuesve të papunë të regjistruar në zyrat e punësimit ishte 143,901 persona. 51.8% e tyre ishin femra, dhe 60.6% ishin të papunë afatgjatë. Në vitin 2013, numri i të punësuarve nëpërmjet shërbimeve të punësimit ka qenë 12,241, nga të cilët 10,804 ishin të punësuar me ndërmjetësim. Kapitali fizik: Investimet në infrastrukturë dhe në kapital për NVM-të mbeten parakushtet kryesore për rritjen e konkurrueshmërisë dhe rritjen afatgjatë. Për të arritur konkurrueshmërinë, vëmendje i është kushtuar zhvillimit të sektorit privat.
Shqipëria ka ndërmarrë një sërë masash për të promovuar zhvillimin dhe modernizimin e sektorit privat dhe zgjerimin e bizneseve të reja. Me kontribut prej 80% të PBB-së dhe rreth 82% të punësimit, sektori privat përbën lokomotivën kryesore të e rritjes ekonomike. Nisur nga struktura dhe përbërja industriale e sistemit ekonomik shqiptar, prioritet i është dhënë zhvillimit të NVM- ve, kryesisht në promovimin dhe zhvillimin e industrive nxjerrëse dhe përpunuese, si edhe industrisë joushqimore, duke u mbështetur në përdorimin më racional të burimeve vendore. Raporti i Konkurrueshmërisë Globale (GCR) 2013-2014 i Forumit Ekonomik Botëror e rendit Shqipërinë në pozicionin e 95-të nga 148 vende / ekonomi, me një rënie prej 6 pozicionesh krahasuar me vitin pararendës.
Shqipërinë e përfshinte në grupin e vendeve që janë në fazën e dytë të zhvillimit të konkurrueshmërisë (e quajtur edhe “faza e ekonomive të shtyra nga efikasiteti”). Nisur nga tre dimensionet kryesore (kërkesat bazë, forcuesit e efikasitetit dhe faktorët e novacionit dhe sofistikimit) të Indeksit, Shqipëria mori rezultatin më të lartë në dimensionin e parë “kërkesat bazë” (4.2 pikë) që e renditën në vendin e 94-t. Por, në përgjithësi, Shqipëria renditet poshtë në të tre këto dimensione. Si faktorët më problematikë për të bërë biznes, ky raport identifikon aksesin në financim, normat e tatimit, korrupsionin dhe rregullimin fiskal.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.