Ministrat e financave evropiane nisën punën për rigjallërimin e programit të trazuar të shpëtimit të Greqisë teksa kryeministri i ri Alexis Tsipras mori detyrën duke premtuar për t’i dhënë fund masave shtrënguese.
Shefat e financave nga zona e euros prej 19-vendesh sinjalizuan gatishmërinë e tyre për të arritur marrëveshje me Tsipras – për aq kohë sa kryeministri i ri grek të heqë dorë nga kërkesa e tij për fshirjen e borxhit. Gjatë takimit të mbajtur dje në Bruksel, ministrat dakorduan me lehtësi që të punojnë me qeverinë e re për të ndihmuar në mbajtjen e Greqisë në euro, referoi ministri holandez i financave Jeroen Dijsselbloem.
“Ne jemi të gatshëm ti mbështesim ata në këtë ambicie ‘, tha Dijsselbloem, i cili udhëhoqi takimin.
Zyrtarët në Bruksel dhe Athinë, si dhe Berlin, Frankfurt dhe Uashington, duhet të pajtojnë kërkesat e kreditorëve për më shumë reforma me ‘lodhjen’ e votuesve me masat e rrepta në mënyrë që të ndalojnë që Greqia të ‘mbetet trokë’ në mes të vitit. Gjatë një fjalimi pas-zgjedhor, 40 vjecari Tsipras, tha se ka për qëllim ti kthejë sërish grekëve dinjitetin e tyre.
Kryeministri i ri u përgëzua dhe mori ftesë për Bruksel nga Presidenti i Komisionit Europian Zhan-Klod Junker në një thirrje telefonike dje, sipas një zyrtari të BE-së, dhe Drejtori Administrativ i FMN-së Christine Lagarde siguroi gjithashtu mbështetjen e saj për qeverinë e re.
Situata tregon se autoritetet janë të shqetësuara për të gjetur mënyrën për të ‘zhbllokuar ngërcin’ e borxhit të Greqisë dhe fondeve të mbetura të ndihmës.