Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka përfunduar planin për rivitalizimin e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, projekt i cili u është prezantuar kryeministrave Mustafa e Vuçiq në takimin e fundit në Bruksel, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas asaj që kanë thënë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, heqjes së barrikadës-park mbi lumin Ibër do t’i paraprijë edhe një takim i fundit mes Prishtinës e Beogradit.
“Plani për rivitalizimin e urës është kryer nga Bashkimi Evropian. Ai vjen si rezultat i vlerësimit të gjendjes teknike në urë, dhe në kuadër të rivitalizimit të urës do të hiqet barrikada e njohur si ‘park i paqes’. Ura do të hapet për lëvizjen e lirë”, ka thënë ministrja për Dialog, Edita Tahiri. Sipas saj, marrëveshja është arritur në korrik të vitit të kaluar dhe sivjet Bashkimi Evropian e ka autorizuar Zyrën e vet në Kosovë për planin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.