Quhet Beam Messenger dhe versioni i saj beta lançuar pak ditë më parë është tashmë në dispozicion për sistemin operativ të zhvilluar nga Google. Dhe së shpejti, sipas një raporti nga Huffington Post SHBA, do të jetë edhe për iOS dhe Windows. Projektuar nga një grup zhvilluesish nga Toronto, pasi u instalua në smartphone-t e dërguesit dhe marrësit, i mundëson personit me të cilin jeni duke biseduar të shohë çfarë shkruani ju. Dhe anasjelltas. Deri më tani, asgjë e re. Po në qoftë se mundësia për të lexuar do të shtrihej jo vetëm ndaj tekstit të gatshëm dhe të përzgjedhur me kujdes, por edhe ndaj fazës përpunuese? Pikërisht, ndërsa ju dhe miku juaj, nga ana tjetër e ekranit, jeni duke shtypur mbi tastierëçdo shkronjë.
Me Beam kjo është e mundur. Buton pas butoni. Mendim pas mendimi. Me shumë korrigjime, riformulime, fshirje dhe gabime ortografike. Me pak fjalë, i gjithë teksti minutë pas minute. Drejtpërdrejt dhe pa filtra. Pothuajse si t’i ofronte palës tjetër mundësinë për të njohur çdo gjë që vjen në mendje ndërsa formuloni një koncept.
“Kjo është mënyra më e ngjashme me bisedën me zë nëpërmjet një aplikimi mesazhesh”, shkruajnë krijuesit e shërbimit në faqen e tyre në Google Play, duke e zbuluar të fundit objektivin e tyre. Një projekt ambicioz: të simulosh ndërveprimin ballë për ballë.
Por të realizuar përmes shkronjave, shenjave të pikësimit dhe ikonave.
Siç shpjegojnë me email dy bashkë-themeluesit Alec dhe Paul:Kjo çka sjell Beam është tërësisht inovative. Ne kemi punuar për mesazhin në kohë reale, tashmë i pranishëm në shërbimet e tjera dhe kemi krijuar atë që e kemi quajtur funksioni ‘beam in’. Falë tij,çdo gjë ndodh direkt: të shkruash, lexosh, t’i kthehesh sërish fjalës së fundit që ke shkruar dhe madje të ndërpresësh tjetrin.
Sepse, de facto, mundësia e eliminimit të pritjes mes marrjes së përgjigjes dhe replikimit aktual, nuk është vetëm karakteristikë e Beam Messenger.
Mesazhet janë të organizuar në mënyrë të përkryer sipas kohës së dërgimit. Dhe në qoftë se filloni të shtypni butonat, ndërsa shoku juaj është ende duke shkruar, aplikimi e ndërpret atë për të futur pjesën tuaj të tekstit. Pothuajse si gjatë një interviste, ose – më realisht – si gjatë redaktimit në çift të një teksti në Google Docs.
Operacioni? Bazuar në atë që zbulon Daily Mail, sistemi shfrytëzon Text Watcher për Android, një mekanizëm që monitoron elementet Html prapa skenave. Dhe privatësia? Mungesa e konfidencialitetit gjatë shkëmbimit të batutave është totale. Por është kompensuar nga një besim më i madh në drejtim të mbledhjes së të dhënave. Duke qenë se, gjithmonë në mirëbesim të informatave të dhëna nga ana e tabloidit britanik, “të vetmet mesazhe të ruajtura në databaze janë ata të pamundurit për t’u dërguar në moment për problem te rrjeti”. Që megjithatë, pasi janë dërguar në destinacion, fshihen.
Sigurisht, të përgjosh atë çfarë tjetri po shtyp, mbetet gjithsesi e veçanta nga pikëpamja e aplikimit. Ose, të paktën, më e përfolura. “Tmerrësisht transparent”, e përkufizon BuzzFeed, që ishte një nga të parët që raportoi lajmin.