Banka Europiane e Investimeve ka rënë dakord të fillojë bisedimet për t’u mbikëqyrur në mënyrë të pavarur nga Banka Qendrore Europiane pasi qeveritë e BE-së kërkuan ndryshime gjithëpërfshirëse të qeverisjes së brendhsme të huadhënësit pas Brexit.
Një grup prej shtatë vendesh anëtare të BE-së, duke përfshirë Danimarkën, Suedinë dhe Hollandën, po e nxisin BEI të rishikojë operacionet e saj të brendshme dhe të paraqesë mbikëqyrjen e re si një kusht që qeveritë të vendosin më shumë kapital në bankë pas largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja. Britania, e cila siguron 39 miliardë euro të kapitalit bazë prej 243 miliardë eurosh të huadhënësit, është një nga mbështetësit më të mëdhenj të BEI, e cila është në pronësi të shteteve anëtare të BE-së.
Në qershor Werner Hoyer, presidenti i BEI, u shkroi vendeve anëtare të BE-së duke i kërkuar atyre që të mbushin hendekun e Brexit duke rritur kontributet e tyre. Rritja e kapitalit konsiderohet vendimtare nga disa qeveri , duke përfshirë Francën dhe shtetet e vogla qendrore dhe lindore.
Por Brexit ka shkaktuar një debat mes Ministrave të Financave të BE-së, në lidhje me mënyrën më të mirë të ruajtjes së fuqisë financiare të BEI-së, me një grup qeverish që kërkojnë zbatimin e reformave në këtë institucion huadhënës në këmbim të sa më shumë parave të taksapaguesve.
BEI ka rënë dakord për një varg ndryshimesh sa i përket qeverisjes së saj, ku më i madhi i të cilave do të përfshijë mbikëqyrjen e pavarur të operacioneve të saj të huadhënëse nga BQE-ja. Në një letër të dërguar nga Olaf Scholz, Ministri i Financave i Gjermanisë, për Z. Hoyer dhe të publikuar në “Financial Times”, ai e përshëndeti përmirësimin e qeverisjes dhe strukturën mbikëqyrëse të Bankës.
Roli i BEI në financimin e projekteve të tilla si ndërtimi i rrugëve në Francë apo rrjetet e energjisë në Europën Lindore është rritur me shpejtësi që nga kriza financiare. Por huadhënësi nuk i nënshtrohet mbikëqyrjes së bankave të jashtme si bankat normale. Përkundrazi, projektet e tij janë audituar nga Gjykata Europiane e Audituesve, auditori i jashtëm i pavarur i BE-së.
Si pjesë e një marrëveshjeje muajin e kaluar, komiteti i auditimit të brendshëm të BEI do të propozojë një strukturë të re mbikëqyrëse për bankën që përfshin njësinë mbikëqyrëse të BQE-së , Mekanizmin e vetëm mbikëqyrës dhe ekspertët e mbikëqyrjes nga vendet anëtare të BE-së që nuk janë pjesë e Eurozonës.
Në një takim të Ministrave të Financave në qershor, Z. Scholz gjithashtu sugjeroi që BEI duhet të emërojë një “oficer kryesor të departamentit të riskut”. Një diplomat i BE-së tha se BEI nuk do të mund ta “vazhdojë biznesin si zakonisht, pas largimit të Brexit”. Rritja e fundit e kapitalit të bankës ka ndodhur në 2013. BEI në Luksemburg tha se ishte “duke diskutuar ndikimin e largimit të Mbretërisë së Bashkuar mbi strukturën dhe qeverisjen e saj dhe përshtatjet që mund të jenë të mundshme dhe të dëshirueshme”.
“Shtetet anëtare po japin medime të ndryshme në një diskutim që po zhvillohet me shpejtësi, pavarësisht nga numri i madh i çështjeve që duhet të merren parasysh”, tha banka. Letra e Z. Scholz gjithashtu theksoi se BEI nuk duhet të humbasë vlerësimin e saj A, pas Brexit.
“Detyra e Bankës është rritur në një shkallë të paparë, së bashku me një rritje të konsiderueshme të profilit të saj të riskut”, përfundoi Ministri gjerman i financave.
Sipas S&P, e cila i jep BEI nivelin më të lartë të vlerësimit, ka thënë se një Brexit i rregullt nuk duhet të ndikojë në vlerësimin e bankës për sa kohë që qeveritë e BE-së “tregojnë një nivel të lartë mbështetjeje për të”.
BEI-ja shtoi gjithashtu se të gjitha qeveritë e BE-së kishin “shprehur mbështetje të madhe” për sa i përket rritjes së kapitalit të bankës pas Brexit. Reformat do të diskutohen nga Ministrat e Financave të BE-së në një takim në Vjenë muajin e ardhshëm.