Qeveria shqiptare po shikon mundësinë për të rritur në mënyrë progresive akcizën e duhanit. Këtë e bëri të ditur pas mbledhjes së kabinetit Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, sipas së cilit : “ndryshimi i akcizës që është parashikuar të kalojë në Kuvend për miratim, është një ndryshim që do të ketë efekt vit pas viti dhe në mënyrë të përshkallëzuar do të shtrijë efektin deri në vitin 2017, edhe me synimin për t’ju afruar nivelit minimal të akcizës së duhanit në vendet e BE-së”. Në fjalën e tij ministri nuk dha detaje në lidhje me masën e rritjes së akcizës së duhanit. Në Shqipëri akciza llogaritet mbi ccmimin e shitjes dhe shtë 4.500 lekë për 1,000 cigare. Në rajon kjo taksë llogaritet mesatarisht nga 20 – 37% të ccmimit të shitjes. Sipas ministrit Beqaj një masë e tillë do të ndikojë drejtpërdrejtë në përmirësimin e kujdesit shëndetësor të qytetarëve.
“Kjo është dhe arsyeja pse në programin e Qeverisë ne jemi angazhuar që me këto dy grup-sëmundje do të kemi një kujdes dhe një vëmendje edhe më të madhe. Ndërkohë, është e provuar tashmë botërisht që duhanpirja është një nga shkaktarët kryesorë të sëmundjeve kardiovaskulare dhe po ashtu, edhe të kancerit të mushkërive.
Ne jemi angazhuar në programin e Qeverisë dhe do të fokusohemi shumë tek parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm. Ndaj, po fillojmë edhe zbatimin e programit të kontrollit bazë 40 deri në 65 vjeç. Por jemi të vëmendshëm që të mbrojmë shëndetin e qytetarëve ndaj efekteve të duhanpirjes.
Në radhë të parë kemi filluar ta bëjmë në mënyrë shumë më të plotë, prej 5 javësh, me ndryshimet e ligjit për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit. Sepse, në radhë të parë, duam të mbrojmë shëndetin e qytetarëve që janë të ekspozuar ndaj duhanpirjes në mjediset publike, por gjithashtu, duam të frenojmë duhanpirjen.
Ndërkohë edhe në vendet e zhvilluar regjimi fiskal i produkteve të duhanit është një nga elementët që ka rezultuar i suksesshëm në frenimin e duhanpirjes. Edhe pse akti, në fakt, formalisht është akt fiskal – sepse po ndryshojmë ligjin e akcizave respektivisht për pjesën e duhanit, – besojmë se frenimi i duhanpirjes do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kujdesit shëndetësor të qytetarëve, por dhe impakt, po ashtu social dhe ekonomik. Qeveria është e vendosur që të jetë në krye të punëve edhe për zbatimin e këtij ligji në mënyrë rigoroze”, tha ministri Beqaj.
Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj bëri me dije një tjetër vendim të qeverisë atë për të bërë një korrigjim të rëndësishëm në regjimin fiskal të biodiezel-it.
“ Në studimet që ne kemi bërë së bashku me partnerët ndërkombëtarë, regjimi fiskal aktual jo vetëm që nuk e ka promovuar energjinë e gjelbër, por ka shërbyer si një gropë e zezë për buxhetin e shtetit dhe ka shërbyer gjithashtu si praktikë korruptive në vite dhe vite rresht.
Jemi të bindur se korrigjimi i kësaj mase, për sa i përket biodizel-it, do të sjellë konkurrencën e ndershme dhe mbi të gjitha, do të sjellë një mbështetje reale për energjinë e gjelbër dhe prodhimin vendas të energjisë së gjelbër. Korrigjimi i masës e bën Qeverinë të fillojë të mendojë që sot për ta realizuar sa më shpejt një mbështetje transparente, efektive, të drejtpërdrejtë që të ketë mundësi të zbatojë ato norma të kërkuara nga BE-ja, qoftë për vitet që kanë kaluar, në fakt, për atë që nuk e kemi arritur dhe për atë që kërkojmë të arrimë në vitet në vijim.
E theksoj, korrigjimi i regjimi fiskal është hapi i parë drejt mbështetjes reale të energjisë së gjelbër”, tha Ahmetaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.