Për kryeministrin Sali Berisha shuma prej 1,3 miliardë dollarë e raportuar, si e larguar nga Shqipëria nga evazioni fiskal dhe korrupsioni, është më e ulëta në rajon. Këtë ai e bëri të ditur gjatë takimit të Komitetit Kundër Krimit të Organizuar. Në fjalën e tij në këtë takim, kryeministri tha se pavarësisht se krimi i organizuar është fenomen mbarëkombëtar dhe pastrimi i parave po bëhet gjithnjë e më i sofistikuar, qeveria dhe instancat përkatëse duhet të bëjnë të mundur që të përballin me ligjin të gjitha organizatat kriminale.
Pak kohë më parë organizata “Global Financial Integrity”, në një raport të publikuar njoftonte se zyrtarët e lartë shqiptarë kanë nxjerrë jashtë vendit më shumë se 1.3 miliardë dollarë, duke i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të kërkojë informacione të detajuara mbi njerëzit që kanë bërë këto transferta.
Gjithashtu në fjalën e tij, kryeministri theksoi se për një shoqëri të lirë dhe për çdo vend çështjet e sigurisë së qytetarëve, sigurisë së vendit janë çështjet më kryesore dhe me rëndësi kapitale.
“Objektivi kombëtar dhe më madhor i të gjitha agjensive të zbatimit të ligjeve në mënyrë që të garantojmë jetën e qytetarëve, rendin publik, të garantojmë rendin kushtetues të vendit. Përpjekjet dhe arritjet në këtë fushë kanë qënë dhe janë prezente, janë të qënësishme por asgjë nuk ka më të rrezikshme sesa dobësimi dhe vetëkënaqësia në këtë luftë pasi krimi i organizuar, trafiqet janë një fenomen fatkeqësisht prezent, janë një fenomen ndoshta me shkallën më të lartë të bashkëpunimit ndërkombëtar. “Krimi i organizuar, terrorizmi, trafiqet shërbejnë në mënyrë më të suksesshme nga format më të avancuara të komunikimit dhe i shftytëzon në veprat e tyre të zeza. Ata disponojnë dhe qarkullojnë shuma kolosale. Po të marrim vetëm larrjen e parave të pista dhe kjo shumë shkon në mbi 1.2 trilion euro në botë dhe rritet me shpejtësi të madhe” tha Berisha.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.