Banka Europiane e Investimeve (BEI), Banka Botërore (BB) dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kanë njoftuar gjatë takimit vjetor të Fondit Monetare Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, se ata janë në rrugën e duhur për të plotësuar objektivat për investimet për nxitjen e rritjes ekonomike në Europën Juglindore dhe Qendrore. Kjo përbën një diferencë për sipërmarrësit, eksportuesit, kompaninë e vogla e të mesme dhe shërben si një sinjal për tregjet ndërkombëtare se institucionet financiare ndërkombëtare (IFI) po ecin përpara që të ndihmojnë këto vende të përballen me sfidat e krizës.
Të tre këto institucione prezantuan ‘Planin e Përbashkët për Rritje në Europën Juglindore dhe Qendrore’ në nëntor 2012, duke u angazhuar që të investojnë në total 30 miliardë euro në rajon gjatë dy viteve 2013/14.
Sipas raportit të parë, deri në korrik 2013, tre IFI-të kishin bërë të disponueshme 16 miliardë euro të në hua të reja.
Paketa financuese u hartua në kontekstin “Nismës së Vjenës”, platformës për koordinim, që u prezantua në prag të krizës globale 2008/09, dhe që mbajti me sukses angazhimin bankave ndërkombëtare në Europën në zhvillim.
Deri tani, në bazë të planit 2013/14, BEI ka dhënë 10.5 miliardë euro nga një angazhim total prej 20 miliardë; Banka Botërore ka dhënë 3.1 miliardë, nga angazhimi prej 6 miliardë dhe BERZH 2.5 miliardë euro, nga angazhimi prej 4 miliardë eurosh.
Në veçanti të tre IFI-të do të sigurohen që sipërmarrjet e mesme dhe të vogla të kenë akses në kredi. Ato gjithashtu do të japin financime për infrastrukturën, investimet për energjinë dhe reformat strukturore në mënyrë që ta bëjnë Europën Qendrore dhe Juglindore më konkurruese.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.