Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) si dhe Bashkimi Europian (BE) kanë vlerësuar se transaksionet me instrumente bankare në sektorin e turizmit mbeten në nivel të ulët çka tregon për informalitetin e sektorit.
Gjatë një takimi të mbajtur me fokus te turizmi nga Këshilli i Investimeve, këto dy institucione të rëndësishme ndërkombëtare kanë ngritur një sërë shqetësimesh se ku duhet të vihet theksi, duke mos harruar as ndërtimet masive në zona të veçanta.
“Ndërkohë mbetet problematike niveli i ulët i transaksioneve me instrumente bankare në sektor (karta dhe terminale POS) si shprehje e informalitetit, aksesi i kufizuar në financim, përqendrimi i lartë i vizitorëve në një sezon të shkurtër, roli i ulët i sektorit privat në mirëqeverisjen e sektorit, si dhe ndërtimet masive në zona ku ndikimi mjedisor ka një rëndësi të veçantë dhe duhet mbështetur nga investime në infrastrukturë” thuhet në përmbledhjen e bërë nga Këshilli i Investimeve rreth qëndrimit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bashkimit Europian.
Këta të fundit kanë theksuar se problematikat që hasen në sektorin e turizmit aktualisht duhet që të adresohen në Draft-Strategjinë Kombëtare të Turizmit dhe miratimin e saj përfundimtar së bashku me planin konkret të veprimit. Kjo e fundit prej kohësh është bërë publike për konsultim me grupet e interesit nga ana e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
Ndër të tjera, përfaqësuesit e BERZH dhe BE gjatë takimit kanë theksuar se mbeten të angazhuar për të financuar përmirësimin e infrastrukturës së vendit, dhe konsiderojnë që edhe lehtësitë fiskale të ofruara nga Qeveria, veçanërisht në agroturizëm përfaqësojnë një hap përpara drejt formalizmit të sektorit dhe nxitjes së investimeve të reja.
Këshilli i Investimeve mbajti vetëm pak kohë një anketë, gjetjet e së cilës priten që të bëhen publike plotësisht në vijim ndërkohë që paraprakisht u diskutuan me aktorët më të rëndësishëm të sektorit dhe institucionet mbikëqyrëse apo mbështetëse. Kjo analizë, sipas Këshillit, synon stimulimin e një debati të qëndrueshëm mbi faktorët që mund të influencojnë në rritjen e kontributit të sektorit në ekonomi, identifikimi i përmirësimeve të mundshme në politikat qendrore dhe lokale, si dhe praktikat e biznesit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.