Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë mbajtur të pandryshuara parashikimet për rritjen ekonomike të Shqipërisë për 2016-n, përkatësisht në 3.3 dhe 3.4%. Sipas të dy institucioneve, rritja pritet të përshpejtohet vitin e ardhshëm.
BERZH, rritja do të vijë kryesisht nga TAP
Shqipëria pritet të rritet me 3.3% në 2016-n dhe 3.5% në 2017-n, sipas raportit të fundit rajonal të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Pritshmëritë kanë mbetur të pandryshuara në krahasim me raportin e mëparshëm, ndërsa vendi pritet të ketë rritje më të lartë se mesatarja e Europës Juglindore që parashikohet të zgjerohet përkatësisht me 2.8% dhe 3% në 2016-2017. BERZH është pak më konservatore se qeveria dhe FMN, që presin një rritje të vendit prej 3.4% për 2016-n.
Për vitin 2015, sipas BERZH, rritja në Shqipëri ishte 2.8%, me një përmirësim prej një pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2014. Ky gjallërim i rritjes u orientua kryesisht nga investimet dhe në njëfarë mase, edhe nga eksportet neto. Rritja vazhdoi dhe në gjysmën e parë të 2016-s në 3.1% me bazë vjetore. Politika zgjeruese monetare e bankës qendrore e ka çuar normën bazë në nivele historike minimale prej 1.25%, që është shoqëruar me rënie të interesave. Shpenzimet qeveritare kanë qenë relativisht të frenuara në vitet e fundit dhe pritet të mbeten të tilla teksa qeveria vazhdon një politikë të kujdesshme fiskale në linjë me qëllimin e programit të FMN-së. Buxheti i vitit 2016 synon një suficit parësor prej 0.3% të PBB-së. Ritmi ekonomik pritet të mbahet në afatin e shkurtër, me rritjen e PBB-së që pritet të zgjerohet në 3.3% në vitin 2016, me një tjetër përshpejtim prej 3.5% në vitin 2017. BERZH pret që rritja të jetë e orientuar nga investimet, teksa TAP do të hyjë në fazën e plotë të investimit në 2016-2017 me një investim total prej rreth 1.5% të PBB-së për secilin vit.
Rajoni i BERZH, që shtrihet nga vendet mesdhetare të jugut dhe lindjes deri në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore, pritet të rritet mesatarisht 1.6% këtë vit (një rishikim me rritje prej 0.2 pikë përqindje në raport me krahasimin e mëparshëm në maj) dhe 2.5% vitin tjetër, në raport me rritjen prej 0.5% në 2015.
Europa Juglindore, si e tërë, është në rritje. Greqia po merr kthesë në sajë të një sezoni të mbarë turizmi dhe rritjes së besimit të bizneseve. Serbia dhe Rumania po rriten mbi mesataren, ndërsa Maqedonia është ndikuar negativisht nga një krizë politike.
Lidhur me daljen e Britanisë nga BE, BERZH thekson se investimet dhe tregtia e Britanisë me rajonin e BERZH është e ulët, ndaj çdo ndikim afatmesëm pritet të jetë indirekt. Gjithsesi, ndonëse indirekt, ai mund të jetë domethënës nëse një ngadalësim në Britani ndikon rritjen në Eurozonë.
FMN: Rritje më e shpejtë vitin e ardhshëm
Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin rajonal të Europës Juglindore e Qendrore, ka mbajtur të pandryshuar parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2016, në 3.4%. Për vitin e ardhshëm, rritja pritet të përshpejtohet në 3.7%.
Në rajon, për vitin 2016, rritja më e lartë pritet në Mal të Zi, në 5.1%, e ndjekur nga Kosova me 4.1% dhe më pas vjen Shqipëria (me 3.4%), ndërsa performancën më të dobët pritet ta ketë Maqedonia, me 2.2%.
Shqipëria përmendet në raport për progres domethënës në eficiencën e investimeve publike, së bashku me Kroacinë, Maqedoninë, Turqinë dhe Poloninë. Në një grafik të Indeksit të Eficiencës së Investimeve Publike, që i referohet viteve 2012-2013 dhe që krahasohet me periudhën 2006-2007, Shqipëria ka marrë vlerësim prej afër 0.8 (indeksi vlerëson eficiencën nga 0 në 1, ku 1 është më eficienti).
Sipas raportit, duhet progres i mëtejshëm në adresimin e kredive me probleme (NPL) për të rigjallëruar rritjen e kredive dhe investimeve në rajon. Disa vende — Kosova, Hungaria, Rumania dhe Sllovenia — kanë bërë progres domethënës në reduktimin e NPL-ve (duke përfshirë provigjionime të përshtatshme dhe fshirje të huave dhe të tjerë, si Shqipëria, Serbia, kanë vënë në zbatim plane veprimi domethënëse dhe pritet që të marrin frytet.
Raporti vlerëson se rritja mbetet e qëndrueshme në pjesën më të madhe të Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE), e mbështetur nga politika të favorshme dhe e udhëhequr nga konsumi në zgjerim. Pavarësisht nga inflacioni ende i ulët, rikuperimi ciklik vlerësohet që të jetë afër përfundimit në këtë zonë të rajonit, teksa përqindja e papunësisë po bie në nivelet e parakrizës, rrogat po rriten vazhdimisht dhe kredia po rikuperohet. Në Federatën e Shteteve të Bashkuara (CIS), kursi i tkurrjes ka qenë duke u zbutur në Rusi, ndërsa çmimet e naftës po u afrohen çmimeve të ulëta, ndërsa pjesa tjetër e CIS-së po del gradualisht nga rënia, si rrjedhojë e kërkesës së jashtme të përmirësuar. Për rajonin, si pjesë e tërë, rritja e GDP-së është projektuar që të arrijë 1.3% në 2016 dhe 2.1% në 2017, duke reflektuar në shkallë të gjerë panoramën e përmirësuar të CIS-së.
Rreziqet janë të anuara nga ana negative. Disa rreziqe, të tilla si ritmi i normalizimit të politikës monetare në ekonomi të avancuara dhe kriza e refugjatëve në Europë, duket më pak e spikatur sesa gjashtë muaj më parë. Rreziqe të tjera, të tilla si ato të shoqëruara me mosmarrëveshjet politike në rritje, me pasigurinë në dukje të brendshme dhe pasigurinë e politikës, janë bërë më të theksuara. Pavarësisht nga impakti modest deri tani, efektet afatgjata të Brexit-it janë të paqarta, sidomos me pasiguritë që kanë të bëjnë me marrëveshje të reja ekonomike midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.