Në raportin e tranzicionit 2016-2017 (Mundësi të barabarta në një botë të pabarabartë), Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka bërë një renditje të prioriteteve kyçe që duhet të ketë qeveria për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare për vitin 2017.
BERZH ka renditur tre, si prioritete kyçe, duke e vënë theksin kryesisht te stabiliteti ekonomik që duhet të ruhet me përmbylljen e marrëveshjes me FMN-në:
Prioritetet e 2017-s
- Stabiliteti makroekonomik duhet të ruhet me përfundimin e programit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Programi aktual “FMN Extended Fund Facility”, i cili përfundon në fillim të 2017-s, ka qenë një ‘spirancë’ e rëndësishme për të përmirësuar performancën makroekonomike dhe fiskale të viteve të fundit. Përfitimet e realizuara brenda këtij programi duhet të ruhen me kujdes.
- Të vazhdohet me reformën kundër informalitetit. Hapat e para të fushatës dhanë ndikim pozitiv, duke rritur numrin e kompanive të reja të regjistruara, por nevojiten përpjekje të mëtejshme për të krijuar një mjedis të barabartë për bizneset e ligjshme.
- Të rritet qasja komerciale në sektorin e energjisë. Kjo është e nevojshme për qëndrueshmërinë afatgjatë. Hapat për të reformuar kompanitë shtetërore të energjisë KESH dhe OSHEE janë inkurajuese, por rruga përpara është sfiduese. Përmirësimet në qeverisjen e korporatave dhe efikasitetit operacional do të jenë thelbësore për respektimin e rregullave të Bashkimit Europian në sektorin e energjisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.