Nëse shtetet e Ballkanit Perëndimor dëshirojnë që të tërheqin sa më shumë investitorë të huaj, atëherë ato duhet të përmirësojnë dhe të punojnë më shumë në fusha si transporti dhe forcimi i sistemeve ligjore, tha disa ditë më parë, nënkryetari i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Pierre Heilbronn tha për Reuters se BERZH-i do të vazhdojë të investojë rreth 1 miliard euro në vit në rajon, në vende si Serbia, Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, që aspirojnë të hyjnë në Bashkimin Europian. Këto vende duhet të përqendrohen në atë se si “të heqin pengesat midis këtyre tregjeve”.
Heilbronn thotë më tej se edhe gjithçka që lidhet me sistemet juridike të shtetit ligjor është shumë e rëndësishme. Në pritje të zgjerimit të mundshëm, BE-ja po ndikon duke nxitur të gjashta vendet e rajonit të Ballkanit të rrisin zhvillimin ekonomik të vendeve të tyre dhe mbi të gjitha duke ruajtur stabilitetin.
Por grindjet politike po i pengojnë këto përpjekje. Në një takim të fundit në Trieste të Italisë, Bosnja nuk e nënshkroi marrëveshjen për përmirësimin e lidhjeve të transportit për shkak të kundërshtimeve nga rajoni i saj autonom serbo-boshnjak, ndërsa Kosova kundërshtoi propozimin për bashkimin doganor. Z. Heilbronn tha se priste që Bosnja të pranonte ta nënshkruante këtë marrëveshje për transportin, sepse kjo do të krijonte kushtet për investime më të lehta.
Ai shtoi se BERZH po përqendrohej veçanërisht në investimet mbi energjinë e rinovueshme dhe efikasitetin që ajo do të kishte si pasojë e kursimeve të mëdha që do të gjeneroheshin.
Z. Heilbronn tha se rreziqet më të mëdha në rajon vinin nga tensionet politike midis vendeve. Edhe takimi i javës së kaluar midis Presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, dhe Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ishte një hap i mirë dhe që u mirëprit jashtëzakonisht shumë.
Kosova u largua nga Serbia në 2008.
Ai tha se BERZH-i po përpiqej të promovonte rajonin dhe potencialin e saj dhe prandaj ajo do ta mbante takimin vjetor në 2019, në kryeqytetin boshnjak të Sarajevës.