Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka rishikuar në rritje projeksion e saj për ekonominë kroate për këtë vit në 0.9% dhe afirmoi parashikimin e saj të rritjes prej 0.5% vitin e ardhshëm, sipas raportit të fundit rreth Perspektivave të Ekonomisë Rajonale të Bankës Ekonomike.
Në raportin e saj të mëparshëm, publikuar në maj, BERZH e kishte parashikuar rritjen ekonomike kroate në vitin 2015 në 0.5%.
“Ekonomia kroate u përball me një tkurrje kumulative prej 12% mes viteve 2009 dhe 2014, tkurrja e dytë më e madhe në BE, pas Greqisë. Pritshmëritë për rikthim drejt rritjes janë mbështetur nga një sezon më i mirë turistik nga sa pritej, kërkesa e fortë e jashtme dhe çmime më të ulëta të naftës”, -tha BERZH.
“Megjithatë, pavarësisht nga përmirësimet në besimin e biznesit, investimet pritet të mbeten të dobëta, duke treguar vijueshmëri të dobësive strukturore.
Rritja në vitin 2016 është parashikuar në 0.5%, edhe për shkak të presionit të vazhdueshëm për rregullim fiskal”, shtoi raporti.
“Rritja për rajonin në tërësi pritet të ngadalësohet në vetëm 0.2% këtë vit, nga 1.8% në vitin 2014. Në 2016 pritet një rritje e moderuar prej 1.6%. Këto parashikime nuk kanë ndryshuar që nga maji, por ato ‘maskojnë’ dallimet rajonale”.
Ndarë sipas rajonit, BERZH sheh një perspektivë relativisht të fortë në Europën Qendrore dhe në vendet baltike, mbështetur nga lehtësimi sasior i Eurozonës (QE) dhe çmimet më të ulëta të mallrave të cilat po sigurojnë hapësirë për kushte më të lehta monetare në rajon, që përfshin Kroacinë.
“Norma mesatare e rritjes pritet në rreth 3% në vitin 2015 dhe për vitin 2016 parashikohet konvergjencë e nivelit të të ardhurave me ato të vendeve të zhvilluara, megjithëse e ngadaltë”, referon raporti.
Ekonomitë në Europën Juglindore po përfitojnë gjithashtu nga QE në Europë, një euro më e dobët dhe çmime më të ulëta të naftës. Rritja përgjithësisht pritet të ‘rimarrë veten’ në vitin 2015 ndërsa vijon e tillë edhe për vitin 2016. Megjithatë, ekonomia e Greqisë, pritet të tkurret edhe këtë vit dhe vitin e ardhshëm.
BERZH paralajmëron se ekonomitë e disa vendeve janë prekur gjithashtu edhe nga kriza e vazhdueshme e refugjatëve, e cila është intensifikuar këtë vit.
Një fluks masiv i refugjatëve ka tensionuar shërbimet publike, financat qeveritare dhe tregjet e punës.
Vendet transit në Europën Juglindore, të cilat kanë asistuar refugjatët me kujdes mjekësor dhe social, ushqim, ujë dhe strehim, janë përballur me sfida logjistike dhe fiskale.