Besa nis rrugën për t’u bërë bankë

27/03/2012 4:05 PM 0 komente

Fondacioni Besa në një të ardhme të afërt do të bëhet bankë. Lajmin e mire, për ata që duan një kredi të vogla dhe të mesme me kushte më të favorshme se ato që ofrojnë bankat, e ka dhënë Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Besa Z. Bajram Muça. Këtë vit Fondacioni Besa në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Fondacionin Soros përcaktoi dhe strategjinë e tij në lidhje me statusin e ardhshëm ku nga OJF deri në fund të vitit 2005 do të transformohet në institucion financiar jobankar dhe më vonë do të transformohet në bankë, gjë e cila do t u krijojë më shumë mundësi klientëve të tij në diversifikimin e shërbimeve të ofruara.Deri tani në tregun e kredive të vogla dhe mikrokredive është e segmentuar vetëm banka ProCredit. Mungesa e konkurrencës në këtë segment ka bërë që interesat bankare të huave në lekë në shuma të vogla të mbeten shumë të larta, deri në 20%. Hyrja e një banke në këtë treg pritet të ndikojë në shtimin e konkurrencën dhe në uljen e interesave të huave të vogla.Sot në Shqipëri ushtrojnë aktivitetin e tyre 15 banka. Edhe pse në dukje mund të jetë një numër i lartë, për një vend me 3 milion banorë, ekspertët konkludojnë se krijimi i kushteve të favorshme për hyrjen dhe përfshirjen në treg të bankave që përqendrohen në klientë të vegjël përbën një domosdoshmëri.Aktualisht, Fondacioni Besa jep kredi për të gjitha llojet e bizneseve legale që realizojnë të ardhura si: bizneset tregtare, prodhuese, përpunuese, shërbime artizanati, turizëm familjar dhe zhdoganime. Deri në fund të marsit 2004 fondacioni ka dhënë rreth 17,680 kredi në një shumë prej 68.5 milion USD. Për më shumë informacion rreth aktivitetit dhe të ardhmes së Fondacionit Besa Monitor i është drejtuar Drejtorit Ekzekutiv Z. Bajram Muça. Cilat janë shërbimet e reja që ka hedhur këtë vit në treg Fondacioni Besa?Deri në vitin 2003 Fondacioni Besa ka ofruar kredi vetëm për biznesin. Gjatë këtij viti ne kemi premtuar se do të hedhim në treg dhe dy shërbime të reja. Kredinë për të rinj dhe kredi për Organizatat jofitimprurëse. Për këto lloj kredish ka pasur kërkesa dhe ne i kemi trajtuar si të tilla. Aktualisht, janë në parametra shumë normalë. Kredinë për organizatat fitimprurëse e kemi në dy drejtime: kredi lidhëse, që do të thotë kur këto organizata jofitimprurëse kanë kontrata me donatorë lokalë ose të huaj dhe kredi për biznes, në funksion të mbajtjes financiare të organizatave jofitimprurëse. Përveç kësaj, ne bëmë dhe modifikimin e produktit tonë, duke rritur shumën maksimale të kredisë dhe kohëzgjatjen e saj. Këto modifikime u bënë si rrjedhojë e kërkesës së klientelës sonë, sidomos të klientelës së përsëritur, të cilët kërkonin shuma më të mëdha dhe afate më të gjata për kthimin e tyre. Mund të them që klientela e përsëritur sot në Fondacionin Besa është rreth 50%. Kjo klientelë është dhe baza e suksesit tonë. Shuma e kredisë është rritur nga 1.5 milion lekë, që ka qenë në fillim, në 2.5 milion lekë. Afatet kanë ndryshuar nga 2 në 3 vjet.Për kredinë e destinuar për rininë, cili është tregu i synuar nga Fondacioni Besa?Ne kemi përcaktuar disa përkufizime për kredinë për rininë. Kjo është realizuar nëpërmjet një marrëveshjeje me Fondacionin Besa, me Bashkinë e Tiranës dhe Fondacionin Soros. Në këtë marrëveshje janë përcaktuar qartë detyrat e secilit institucion. Por koncepti për këtë lloj kredie është se quhen të rinj të gjithë ata që kanë moshën nga 18-30 vjeç dhe të gjithë ata të rinj që kanë dëshirë të hapin një aktivitet të tyre. Këtë ne e bëjmë nga ana sociale që të rinjtë shqiptarë mos të marrin rrugët e Europës apo të Botës për të emigruar, për të gjetur një punë. Ne përpiqemi t u krijojmë mundësi të rinjve që të mund të zhvillojnë biznesi dhe në Shqipëri. Mbështetja financiare e të rinjve ka munguar deri tani dhe Fondacioni Besa ka filluar dhe do të vazhdojë të japë kredi edhe në të ardhmen në këtë drejtim. Sa kredi keni dhënë deri tani për të rinjtë?Deri tani për të rinjtë ne kemi dhënë rreth 15 kredi me një shumë mbi 70 mijë USD. Kredia për të rinjtë është me kushte shumë lehtësuese dhe jepet pa kolateral, pasi është shumë e vështirë në këtë kohë të gjesh të rinj që të kenë të hipotekuar një pasuri të patundshme. Fondacioni Besa studion aktivitetin që kanë të rinjtë dhe i ofron këto kushte, duke e bërë kredinë shumë më fleksibël se kredia normale që ne japim për bizneset e tjera. Norma e interesit për kreditë është 50% më pak se interesi i kredisë për biznesin në përgjithësi. Si është ecuria e kredisë për biznesin?Në përgjithësi, shërbimet dhe tregtia kanë peshën kryesore të kredive që jep fondacioni Besa, pasi në zonat urbane këto janë dhe aktivitetet më të përhapura. Industria përpunuese e ndërtimi kanë nevoja për shuma shumë më të mëdha se ato që jep fondacioni Besa. Cilat janë planet për të ardhmen?Objektivat e Fondacionit Besa për vitin 2004 përfshijnë kreditimin e 4 mijë klientëve me një shumë rreth 19 milion USD. Viti 2004 do të shënojë një konsolidim të situatës financiare të Fondacionit Besa, duke përmirësuar më tej vetëmbajtjen financiare. Duke parë volumin e tregut dhe të klientëve tanë aktualë apo të klientelës në përgjithësi, ne kemi menduar që për vitin 2004 të operojmë duke bërë një përshtatje të interesit të kredive në kushtet e reja të tregut. Në lidhje me fondet për të siguruar një vazhdimësi normale të aktivitetit të Fondacionit Besa në funksion të zhvillimit të sipërmarrjeve të vogla në Shqipëri mund të themi se, Fondacioni Besa është në diskutim me Qeverinë e Shqipërisë, Agjencinë e bashkëpunimit spanjoll, si dhe Bankën e Zhvillimit të Europës. Kjo mbështetje do t i japë një shtytje aktivitetit të Fondacionit Besa në periudhën afatmesme.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of