Në Europë, partitë e krahut të djathtë janë duke ofruar ndihma sociale më të mëdha se ato tradicionale.. Dhe është pikërisht ky sekreti i suksesit të tyre elektoral
Brenda Qendrës që ofron Mbështetjen për Familjet në Nevojë nuk është aspak ftohtë, por Barbara Choinska nuk dëshiron ta heqë pallton e saj. Kjo është një formë për të treguar dhe për të kujtuar agresivitetin me të cilin bota i ka trajtuar pikërisht këta njerëz në nevojë, shkruan The Economist.
Kjo qendër është pika kryesore e shërbimeve sociale në Siedlce, një qytet 90 kilometra në lindje të Varshavës. Znj. Choinska duhet të rrisë pesë fëmijë. Ajo nuk ka më as mbështetjen e bashkëshortit dhe as nuk është në punë.
“Ajo përpiqet në maksimum që t’i sigurojë fëmijëve të saj veshjet e duhura si dhe që secili prej tyre të bëjë detyrat e shtëpisë”, shpjegon Adam Kowalczyk, drejtori i kësaj Qendre. Çdo javë, ne dërgojmë dikë që t’i ofrojë asaj ndihmë, në mënyrë që ajo të arrijë të përmbushë kërkesat bazike për fëmijët e saj, që ata të mos merren nga shteti. Dhe kjo është një ndihmesë e madhe, sepse të paktën znj. Choinska nuk ka pse të shqetësohet më për të siguruar paratë për të paguar qiranë apo për ushqim.
Në vitin 2016, qeveria e re e Polonisë, e udhëhequr nga Partia Nacionaliste për Ligj dhe Drejtësi, e njohur si PiS, vuri në zbatim programin “Family 500Plus”, i cili paguan një pagë mujore prej 500 zlotësh (148 dollarë amerikanë) për çdo fëmijë. Për prindërit e varfër si znj. Choinska, kjo është një ndihmë shumë e madhe, sepse ajo merr në muaj një total të ardhurash prej rreth 2,500 zlotësh.
Dhe për standardin e Polonisë, një shumë e tillë të ardhurash nuk është larg nivelit të të ardhurave të një familje mesatare, dhe ajo që është një avantazh edhe më i madh, është se këta përfitues nuk janë të detyruar të punojnë. Ky program ka ndikuar shumë në mirëqenien e shtetit polak, duke e ndryshuar atë.
Qendra e z. Kowalczyk, e cila shpërndan këto ndihma sociale, ka shënuar rritje të buxhetit të saj vjetor nga rreth 35 milionë në 94 milionë zlotë. Banka Botërore vlerëson se programi ka ulur shkallën e varfërisë ekstreme të fëmijëve (të përcaktuar në më pak se 1.500 zlotç në muaj për një familje që ka katër fëmijë) nga 11.9% në 2.8%.
Programi “500 Plus” është mjaft i njohur, veçanërisht në vende si Siedlce. Shumë prej qyteteve dhe fshatrave të vogla të Polonisë mendonin se qeveria e mëparshme, e udhëhequr nga Partia Liberale e Platformës Qytetare, i nënvlerësonte ata. Në dy dekadat e fundit, ekonomia u rrit me shpejtësi, e shoqëruar edhe me një rritje të pabarazisë dhe me varfërinë më të pranishme në zonat rurale.
Dhe është pikërisht si pasojë e vënies në zbatim të këtij programi, se pse polakët provincialë ia dhanë votën Partisë Nacionaliste për Ligj dhe Drejtësi.
Programi “500Plus” përshtatet edhe me ideologjinë katolike dhe pro-familjare të kësaj force politike. Votuesit të PiS i jepet në këtë mënyrë edhe mundësia për të rritur pa vështirësi mbi dy fëmijë, sepse dhënia e një page fikse në zonat rurale e blen më lehtë votën në krahasim me Varshavën e kushtueshme.
Në fillim, politikanët liberalë e quajtën programin si një ndër faktorët kryesorë shkatërrues të buxhetit. Por tani, duke parë popullaritetin e tij, ata kanë filluar ta mbështesin atë. Jacek Rostowski, i cili ishte ministër i Financave i Partisë Liberale për Platformën Qytetare, thotë se nisma është e përballueshme dhe kushton rreth 1.3% të PBB-së, ndërsa Banka Botërore pret që ekonomia e Polonisë të shënojë rritje me 4% gjatë këtij viti. Partia Liberale e Platformës Qytetare po lobon fuqishëm për zgjerimin dhe forcimin e këtij programi.
Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, mburret me faktin që PiS ka sfiduar mençurinë konvencionale, duke favorizuar “qytetarin e thjeshtë” mbi “elitën”. Në fakt, ndihmat sociale të fëmijëve janë të zakonshme në vendet e pasura europiane si Suedia, Gjermania, Holanda, Franca dhe Britania. Programi “500Plus” i Polonisë ofron të ardhura bujare nëse do t’i krahasojmë ato me nivelin mesatar të të ardhurave, por shpenzimet e përgjithshme të vendit për mbrojtjen sociale janë ende vetëm 20% e PBB-së, pra nën mesataren e BE-së prej rreth 28%.
Historikisht, programet e mirëqenies sociale janë vënë në zbatim nga partitë e qendrave të majta (si Partitë e Punës në vendet nordike dhe Britani) ose qendra e djathtë (Gaullistët në Francë, Kristiandemokratët në Gjermani dhe Itali). Shpeshherë ato janë vënë në zbatim, me qëllim që të mbanin ekstremistët larg nga fitorja e pushtetit.
E megjithatë, në Poloni, ka qenë pikërisht e djathta populiste ajo që ka vënë në zbatim këto ndihma të mirëqenies sociale.
Dhe jo vetëm në Poloni. Në Hungari, Partia Nacionaliste, Fidesz, e Kryeministrit Viktor Orban, ka nisur programet e ndihmës sociale të njohura si “New Deal”.
Në Francë, Fronti Kombëtar i Marine Le Pen mbron të drejtat që gëzojnë punonjësit e përhershëm kundër “neoliberalizmit” të Presidentit Emmanuel Macron. Në Holandë, Partia e Lirisë së Geert Wilders e ka kritikuar ashpër qeverinë mbi shkurtimet e kujdesit shëndetësor.
Partia e krahut të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, po kritikon ashpër dhe po shfrytëzon pakënaqësinë dhe zemërimin e pensionistëve mbi pensionet e pabarabarta në lindje dhe në perëndim të vendit. Ndërkohë, partitë e qendrës së majtë që u ndien të detyruar të shkurtonin programet e mirëqenies sociale gjatë krizës së Eurozonës, si Partia Laburiste e holandezëve, Partia e Socialistëve francezë, e Socialdemokratëve gjermanë, gati sa nuk u kryqëzuan në zgjedhjet e fundit.
Që nga viti 1990, në të gjithë Europën është besuar fakti si shteti i mirëqenies e ka tejkaluar kulmin e tij. Por tashmë votuesit duan që ajo të jetë edhe më shumë bujare në krahasim me të kaluarën. Në sondazhet e vitit 2014 dhe 2016, qytetarët në tre të katërtat e shteteve anëtarëve të BE-së e cilësuan “barazinë sociale dhe solidaritetin” ndër prioritetet kryesore të shoqërisë.
Europianët perëndimorë, të shqetësuar nga kriza financiare globale donin mbrojtje ndaj një të ardhmeje të pasigurt. Europianët lindorë me shërbime publike të ulëta donin po të njëjtën lloj sigurie që kishin edhe fqinjët e tyre perëndimorë.
Në momentin kur partitë e qendrës ndaluan programet e shtetit të mirëqenies, partitë populiste u rritën edhe më shumë. Sipas një sondazhi të kryer në fillim të këtij viti, Partia Nacionaliste për Ligj dhe Drejtësi mori mbështetje me rreth 44%, e ndjekur nga rivalët e saj më të afërt, Platforma Qytetare dhe Partia Moderne, me 15% dhe 6% secila.
Nuk i jepet lehtë lamtumira mirëqenies
Në vitet 1980, kur papunësia në disa vende europiane u rrit në nivele dyshifrore, shtetet bujare të mirëqenies u konsideruan si një nga shkaktarët kryesorë. Përfitimet bujare të papunësisë dhe të invaliditetit i dekurajojnë njerëzit nga puna, ndërkohë që shpenzimet publike grumbullojnë investime private.
Edhe ligjet që i pengojnë punëdhënësit nga heqja nga puna e punëtorëve, gjithashtu i dekurajojnë ata nga punësimi i një stafi të përhershëm. Dhe përgjigjja ndaj një situate të tillë ishte një valë shkurtimesh, nga liberalizimi i Margaret Thatcher në Britani deri në Suedi, ku shpenzimet sociale ranë nga një nivel i lartë prej 34% në 1993 në 27% deri në fund të dekadës.
Por nga fundi i viteve 1990, u zhvillua një qasje e re, e drejtuar nga Danimarka dhe Holanda. Modeli i tyre i njohur me termin “flexicurity” ishte një kombinim i mbrojtjes sociale të siguruar nga shteti, me rritjen e lirive ndaj punëdhënësve që të punësojnë, të pushojnë dhe të rregullojnë kontratat e punësimit.
Shteti gjithashtu zgjeroi “politikat aktive të tregut të punës”, si përputhja e vendeve të punës me trajnimet përkatëse, kujdesi ditor i subvencionuar për të ndihmuar gratë që të punonin me orar të plotë, si dhe u kërkoi të papunëve që të kërkonin punë.
Vendet skandinave, të cilat u përdorën për të siguruar përfitime sociale drejtpërsëdrejti përmes qeverisë, shpejt u zhvendosën drejt zbatimit të modelit “flexicurity”.
Megjithatë, Gjermania dhe Franca, të cilat e mbështetën shumë më shumë në krahasim me disa vende të tjera punën e punëtorëve, nuk panë rezultatet e pritshme.
Në Gjermani, papunësia qëndroi e lartë derisa qeveria socialdemokrate e Gerhard Schröder e shtyu reformën Hartz, duke filluar nga 2003.
Këto ulën pensionet e hershme dhe përfitimet e papunësisë, krijuan kategori të punës me paga më të ulëta, si dhe kërkonin që të papunët të merrnin pjesë në programet e kërkimit të vendeve të reja të punës. Por në Francë, goditjet ndaj liberalizimit që filluan në mesin e viteve 1990, u mundën nga e majta. Vendi mbajti një treg të dyfishtë të punës, në të cilin të brendshmit kanë kontrata të përhershme dhe përfitime të plota dhe është e vështirë që të shkarkohen, ndërsa të jashtmit kanë kontratat e përkohshme nuk përfitojnë thuajse asgjë.
Vendet e Europës Jugore si Spanja, Portugalia, Italia dhe Greqia kanë vuajtur pikërisht nga tregje të ngjashme pune.
Në dhjetor të vitit 2007, Komisioni Europian miratoi “flexicurity” si një parim udhëzues të rekomandimeve të saj ekonomike. Por një vit më pas trokiti kriza financiare globale, e ndjekur në 2010 nga kriza e euros. Vendet që kishin adoptuar politikat e njohura si “flexicurity”, shpeshherë u përballën me një rritje të nivelit të papunësisë.
Megjithatë, kriza gjithashtu nxiti vende si Spanja dhe Portugalia, që t’i ndryshonin ligjet e tyre të punës dhe t’i bënin ato më fleksibël. Normat e tyre të papunësisë tani po bien më shpejt se ato të Italisë, ku Matteo Renzi, Kryeministri i vendit nga viti 2014 në 2016, arriti të realizonte vetëm disa reforma modeste në tregun e punës, përpara se edhe t’i përfundonte mandati.
Kjo e ka zhvendosur fokusin në Francë. Misioni i madh i z. Macron është të ringjallë ekonominë franceze, duke zhvendosur tregun e saj të punës drejt një modeli më nordik. Reformat e tij të para tashmë janë miratuar nga Asambleja Kombëtare, por të shumtë janë njerëzit në Francë që kanë shprehur skepticizmin në këtë drejtim. “Sistemi ynë vazhdon të fokusohet në gjetjen e një pune të përhershme, në mënyrë që më pas të përfitohet nga marrja e një pensioni të mirë”, – shprehet Bruno Palier, nga Sciences-Po, një shkollë franceze për Shkenca Politike. Modeli i “flexicurity” është larg pikëpamjeve franceze”.
Kritikët e modelit të “flexicurity” kanë disa argumente të forta. Disa ekonomistë ngrenë pyetje mbi faktin sesa kanë ndikuar dhe kontribuar politikat aktive të tregut të punës në rimëkëmbjen e Gjermanisë.
Sipas një studimi, reformat e Hartzit përfaqësonin vetëm 1.5 pikë përqindjeje të rënies prej katër pikësh në normën e papunësisë në Gjermani nga viti 2005 deri në vitin 2009. Një faktor edhe më i madh ishte rritja e kërkesës globale për produktet gjermane, veçanërisht në Kinë.
Një tjetër kërcënim për reformat e mirëqenies së shtetit është emigrimi. Në Gjermani, Francë, Suedi, Britani dhe Holandë, pjesa e banorëve të lindur në shtete të tjera tani varion nga 11% në 17%, krahasuar me ato në vendet tradicionale të emigrantëve, të tilla si Amerika.
Që nga kriza e emigracionit e vitit 2015, pakënaqësia etnike ndaj myslimanëve është kthyer në një lajtmotiv në debatet rreth politikave të mirëqenies së shtetit. Partitë populiste në Suedi, Holandë dhe Gjermani po angazhohen në atë që njihet si “mirëqenia shoviniste”, një luftë kundër refugjatëve, të cilët po marrin përfitime më të larta se vendasit.
Megjithatë, pakënaqësi të tilla, duket se nuk kanë ndikuar në mbështetjen europiane për shtetin e mirëqenies. Në të vërtetë, Partia e Frontit Nacionalist të Francës, Partia AfD e Gjermanisë, Partia PiS e Polonisë dhe parti të ngjashme si këto, janë të gjitha mbështetësit e vendosur të përfitimeve sociale. Ata përdorin argumente të “mirëqenies-shoviniste” për të sulmuar emigracionin, por jo shtetin e mirëqenies.
Sipas një studimi të kohëve të fundit të kryer nga Bo Rothstein dhe Nicholas Charron, shkencëtarët politikë në Universitetin e Göteborgut, u arrit në përfundimin se rreth 85,000 e njerëzve në rajonet e Europës ranë dakord me faktin se diversiteti etnik nuk kërcënonte marrjen e përfitimeve të shumta, por ishte një qeverisje e dobët ajo që e kërcënonte një gjë të tillë.
Në vendet ku qytetarët i besonin qeverisë së tyre, prania e emigrantëve nuk kishte as më të voglin ndikim negativ dhe nuk përbënte asnjë ndryshim, ndoshta sepse ata kishin besim se sistemi do t’i mbronte ata.
Që nga fillimi i fushatës presidenciale në vitin 2016, z. Macron ka ngulur këmbë se ai do të balancojë përpjekjen e tij për efikasitet ekonomik me një mbrojtje më të mirë ekonomike. Nëse ai nuk do të ketë sukses, ai mund të përfundojë si një reformator i dështuar si z. Renzi.
Sipas versioneve të tyre të reformës së mirëqenies së shtetit, tregu i punës do të bëhet edhe më i ngurtë dhe të shpenzohen para të cilat Franca as nuk i ka. Ajo tashmë shpenzon 31.5% të PBB-së për mbrojtjen sociale, pothuajse nivelin më të lartë të vendeve të OBZHE-së, dhe pothuajse po aq të lartë sa edhe Suedia.
Një fitore elektorale në mars, nga Partia “Lëvizja 5 Yje” e Italisë mund të ketë efekt të ngjashëm. Ndërsa për sa i përket Partisë Nacionaliste për Ligj dhe Drejtësi (PiS) të Polonisë, ajo tregon një shqetësim të vogël për përballimin afatgjatë të politikave të saj të mirëqenies. Partia polake PiS është duke e shkurtuar moshën e daljes në pension nga 67 në 65 vjeç për burrat dhe në 60 vjeç për gratë. Kjo do të ulë më tej raportin e punëtorëve me pensionistët në një vend që tashmë vuan nga emigrimi masiv dhe një shkallë e ulët e lindshmërisë.
Nëse partitë liberale nuk mund të krijojnë alternativa që të fitojnë besimin e popullit, populistët mund të përfundojnë duke fituar dhe duke mbajtur pushtetin në shumë vende europiane vetëm duke premtuar mirëqenie për të gjithë.