Media e printuar është në rënie, gazetat po rendin të ndajnë brendinë e tyre edhe on line, për të mbijetuar
Çfarë po ndodh me tregun e printit në Shqipëri? Cilët janë “armiqtë” e vjetër dhe të rinj? Përse pothuajse çdo e përditshme ka nisur të funksionojë edhe në versionin on line, si një agjenci lajmesh?
“Republika dhe shtypi i saj do të triumfojnë ose do të bien së bashku” ka thënë Joseph Pulitzer, botues dhe themelues i çmimit të gazetarisë. Por ai dhe gjithë “baronët” e tjerë të asaj kohe në media ,
nuk mund ta imagjinonin se do të vinte një ditë kur do të flitej për një tjetër lloj shtypi, për një media të re. Kjo lloj medie kërkon një model të ri ekonomik, një model të ri menaxhimi, të cilin të gjithë po përpiqen ta zbulojnë.
Çfarë po ndodh me tregun e printit në Shqipëri? Cilët janë “armiqtë” e vjetër dhe të rinj? Përse pothuajse çdo e përditshme ka nisur të funksionojë edhe në versionin on line, si një agjenci lajmesh?
Shtypi i shkruar po kalon kohë të vështira. Të ardhurat janë në rënie dhe po kështu, edhe lexueshmëria. Në analizën e rënies së shtypit të shkruar, çështja kryesore nuk është cilësia, por aksesi.
Stili i jetës ka ndryshuar. Bankierët lexojnë. Fëmijët e tyre klikojnë dhe lundrojnë në “Facebook”. Nëse dikush dëshiron të lexojë, atëherë blen një revistë ose gazetë, kush do të informohet shkon on line.
Media e printuar e ka bazën te shkrimet investigative, me dizajne të kuruara. Web-i përqendrohet më shumë te substanca dhe stili, por pjesa më e madhe e informacionit që del në të nuk është tërësisht i verifikuar.
Kjo është fija e hollë që ndan median e vjetër nga e reja.
Njerëzit navigojnë në internet për të gjetur përgjigje të shpejta për pyetjet dhe këtë e bëjnë duke kërkuar në “Google” ose “Bing”. Ata kërkojnë informacione, si parashikimi i motit, rezultatet e ndeshjeve të futbollit etj.
Interneti i ofron të gjitha këto. Sot, ai është mik, baba, Zot dhe ekzekutor.
Pika e fortë e medias së printuar është aftësia për të kuruar informacionin. Në teori, një gazetë mbledh dhe përpunon të dhënat, kalon në atë që quhet sistemi “kontrollo dhe balanco”,
për të shoshitur thashethemet, të vërtetat, etj., për të strukturuar historinë, me tituj, nëntitujt etj.
Web-i nuk ofron hierarki informacioni, vetëm kuti. Shpaloset vetëm ajo që është e rëndësishme. Parë në këtë këndvështrim, ai është më shumë një kolektor.
Ky është informacioni në hapësirën “cyber”, marka të besueshme po zhvillohen, por ngadalë.
Sekreti i mbijetesës në botën e informacionit nuk janë përmasat, por shpejtësia.
Te gazetat, lexuesit përqendrohen në fillim në çështje që kanë të bëjnë me mëhallën, qytetin, vendin e më pas kalojnë tek ajo që ndodh më gjerë, në përmasa ndërkombëtare.
Kjo ndodh sepse lexuesi ndikohet më shumë nga ajo që ndodh afër tij. Gazetat janë platformat më të mira për informacione lokale. Përmasat nuk kanë rëndësi.
Sot, pyetja kryesore për shtypin e shkruar është që formatin on line për lexuesit ta lënë të lirë apo me pagesë. Kjo nuk ka një përgjigje të thjeshtë.
Ka ardhur koha që media tradicionale të pranojë më në fund se web-i garanton informacionin e shpejtë, ndërsa printi thellësi. Të dyja mediat janë plotësuese dhe jo konkurruese. Rruga që përshkojnë është e përbashkët.
Në rënie të lirë
Sipas monitorimeve të “MC Monitoring”, për muajt e parë të këtij viti reklamat në median e shkruar u ulën rreth 17% në krahasim me një vit më parë. Kjo tendencë parashikohet të vazhdojë.
Prej vitesh, tregu i mbipopulluar i gazetave (numërohen rreth 20 gazeta për 1,000 banorë) pritej që të riformatohej, por edhe pse pati disa mbyllje titujsh, përsëri u hapën të reja.
Tani, gjendja duket se është rënduar më shumë, pavarësisht se ka edhe përjashtime. Drejtori i gazetës më të madhe në tregun shqiptar, “Panorama”, Andi Tela, thotë se tregu në përgjithësi është në krizë,
ndërsa gazeta ka pasur rritjen normale të çdo viti. Rënien e numrit të reklamave ai e shpjegon me krizën që ka mbërthyer pothuajse çdo biznes në Shqipëri.
Pak kohë më parë, një nga gazetat e rëndësishme në treg, “Shqip”, ndërmori disa ndryshime që kryesisht kishin të bënin me reduktimin e shpenzimeve. Kryeredaktori Aleksandër Çipa thotë se
kjo ndodhi për shkak të ndryshimit të shitjes së gazetës dhe shkurtimit të faqeve. “Gjatë periudhës së fundit njëmujore, falë këtyre masave dhe ristrukturimit të redaksisë, tirazhi është rritur me mbi 45%.
Rritja erdhi edhe për shkak të krijimit të një strukture të pavarur, të redaksisë së ‘Shqip on-line’. Faqja është përmirësuar ndjeshëm dhe tashmë është si variant i gazetës on line.
Me kalimin e kohës, lexueshmëria do të shumëfishohet, në favor të variantit on line”, thotë z. Çipa. Ky ndryshim u reflektua edhe në ecurinë e reklamave.
Kryeredaktori i “Shqip” thotë se në dy muajt e fundit është shtuar ndjeshëm sipërfaqja e reklamave në variantin e printuar, ndërkohë që edhe oferta nga biznesi është rritur.
Pjesa më e madhe e reklamave vjen nga bankat dhe institucionet që ofrojnë shërbime publike. Drejtuesit e gazetës konfirmojnë se kjo tendencë po reflektohet edhe për sipërfaqen virtuale të saj.
Drejtoresha e gazetës më të re në treg, “Shqiptarja.com”, Anila Basha, shprehet e kënaqur për ecurinë disamujore. “Ne dhe gjithë gazetat e tjera e dimë shumë mirë se në shtypin e shkruar ka vështirësi,
se ekziston një krizë e përgjithshme në mbarë botën për gazetat në variantin e tyre print”, thotë ajo.
Në lidhje me rënien që ka pësuar reklamimi në print, znj. Basha thotë se ka një faktor të rëndësishëm që duhet të merret në konsideratë e që lidhet me qeverinë, e cila ndjek një model reklamues dhe favorizimi për pak biznese.
“Është kthyer në një lloj klientelizmi. Shumë nga gazetat e përditshme që dalin në Shqipëri jo vetëm janë me humbje, por printohen vetëm sa për t’u lexuar në mëngjes në ekranet e televizioneve dhe për të bërë presion.
Kjo është një formë e pandershme dhe ndaj asnjëherë nuk do të arrihet të ketë sukses. Pastaj të mos harrojmë se po rrëzohen ‘perandori’ të dikurshme mediatike, pikërisht nga mungesa e fondeve për të mbajtur gazetat”, thotë ajo.
Por, nuk është vetëm mungesa e reklamave, shkurtimi i buxheteve të marketingut nga ana e bizneseve, rënia a fuqisë blerëse, shtypi i shkruar vuan edhe nga “sëmundje” të tjera.
Në Shqipëri lexohet shumë pak. Statistikat tregojnë se në treg ekzistojnë rreth 20 tituj për 1,000 banorë, një ndër raportet më të ulëta në botë, i ngjashëm me vende si Tunizia, Algjeria e Indonezia.
Rekord për lexueshmëri mban Norvegjia dhe Hungaria, me rreth 500 gazeta për 1,000 banorë.
Në Shqipëri, raporti rritet kryesisht në fundjavë, kur gazetat e përditshme dalin me suplemente apo hidhen në treg titujt e radhës të gazetave që trajtojnë thashetheme nga bota e personazheve të njohura.
Nga viti në vit, gazetat kanë ulur edhe tirazhet. Çdo ditë, në treg, hidhen tirazhe nga 2,000 deri në 23,000 kopje. Tirazhin më të lartë vazhdon ta ketë gazeta “Panorama”,
ndërsa më të ulëtin e kanë gazetat partiake. Drejtuesit e shtypshkronjave thonë se raporti mes shitjes dhe kthimit (pas botimit) është kthyer në nivelin e mëparshëm 70% me 30%.
Problem shqetësues që vazhdon të mbartet nga viti në vit për median e printuar është edhe shpërndarja. Në zonat rurale pothuajse mungon shtypi i shkruar,
edhe në qendrat kryesore urbane ky zinxhir nuk funksionon, ose nuk është efikas. Drejtuesit e medias së shkruar thonë se është e rëndësishme që të rivlerësohet gjendja e shtypit të shkruar, të ndërhyhet në sistemin e shpërndarjes,
në rritjen e çmimit të shitjes për njësi dhe në orientimin më të madh të reklamës drejt shtypit të shkruar.
Nevojë apo tendencë
Nëse bëni një udhëtim të shpejtë në internet, do të shikoni se çdo gazetë ka portalin e saj. Disa vite më parë, ky ishte një luks që e kishin vetëm gazetat e mëdha,
që mund t’i lejonin vetes shpenzime shtesë. Sot, jo vetëm që secila prej tyre (të paktën pjesa më e madhe) ka një faqe të dedikuar, por ato janë kthyer në agjenci të vërteta lajmesh.
Drejtori i “Panorama”, Andi Tela, thotë se faqja on line ka pasur rritje gati vertikale gjatë këtyre tre muajve, pikërisht për këtë fakt.
“Web-i ka fituar terren në raport me atë që ka qenë më parë dhe më duhet të them se nuk ka pasur këtë ndikim katër apo pesë vite më parë.
Është konkurrenca ajo që ka ndikuar në krijimin apo rindërtimin e këtyre faqeve, por edhe fakti se është rritur numri i njerëzve që lundrojnë në internet”, thotë ai.
Edhe kryeredaktori i gazetës “Shqip” thotë se konkurrenca me portalet e reja është e ndjeshme dhe kjo vihet re te tendenca për të shtuar numerikisht gazetat on line në gjuhën shqipe.
“Konstatojmë se jemi në një fazë tepër të rëndësishme të dimensionimit të tregut on line. Nga një vëzhgim i dy muajve të fundit, përkundër arbitraritetit ndaj detyrimit për të drejtën autoriale,
rreth 65-75% e lëndës ditore të gazetës së printuar e konstatojmë të qarkulluar në mbi 30 portale dhe site të ndryshme. Tendenca për këtë përfitim është në rritje të vazhdueshme.
Konkurrenca ndihet mjaft dhe është një garë e cila po merr përmasa më të mëdha në të përditshmen”, thotë z. Çipa.
Edhe drejtoresha e “Shpiptarja.com”, Anila Basha, thotë se portali po njeh rritje dita– ditës dhe pritshmëritë janë pozitive.
Por përse kjo tendencë? A është nevojë e tregut apo tendencë e diktuar nga jashtë?
“Në Shqipëri nuk ka treg të mirëfilltë të portaleve të informacionit. Më tepër se sa nevojë e tregut, do ta konsideroja një tentativë rregullimi imazhi.
Besoj se ka vlerë për grupet e mëdha mediatike që kanë mbështetje financiare dhe njerëzore, ndërsa faqet e ngritura për t’u kthyer në agjenci informacioni,
do ta kenë të vështirë të mbijetojnë. Disa prej gazetave dhe televizioneve kryesore në vend kanë faqet e tyre, ku çdo ditë hedhin informacionet e ditës.
Për t’i bërë më tërheqëse, kanë kopjuar faqe të huaja nga të cilat marrin materiale, lajme-video, fotografi etj.”, thotë z. Tela.
Ai vlerëson se konkurrenca është e fortë te të dyja llojet e medias. “Fakti që ne u detyruam të bënim një rinovim të faqes sonë on line dhe të shtonim personelin,
tregon se duam të konkurrojmë edhe në sektorin on line. Ne shesim kopje të gazetës në formatin PDF,
por sigurisht që ka më tepër të ardhura nga shitja e produktit në print dhe ende tirazhi në print ka më tepër vlerë sesa numri i klikimeve on line”,
thotë drejtori i “Panorama”. Për drejtoreshën e “Shqiptarja.com”, portali ka shënuar ecje pozitive, duke u renditur pas faqeve si “Balkanweb”,
“Top Channel” e gazetës “Tema online” (duke cituar burimin e agjencisë “Alexa”).
Gjallërimin e portaleve, ajo e vlerëson si zgjim nga përgjumja.
“Nuk u është kushtuar shumë rëndësi faqeve on line informative me gazetarë. Që në fillim, sfida e ‘Shqiptarja.com’ ishte që në këtë web,
të punësonim gazetarë profesionistë. Rifreskimi i lajmit në çdo moment është kërkesë e padiskutueshme e kohës.
Lajmet rifreskohen minutë pas minute me një staf të konsoliduar gazetarësh dhe kjo realisht rezultoi diçka e suksesshme.
Një website nuk mund të mbahet vetëm me një apo dy persona, në pritje të lajmit që ai të vijë vetë në redaksi”, thotë znj. Basha.
Sipas saj, konkurrenca është e fortë, si në print, ashtu dhe në web. “Mund të them se kur doli ‘Shqiptarja.com’ kishte skepticizëm,
sidomos te klientët që donin të reklamonin në media. Duke pasur edhe vështirësitë dhe uljen e kapitalit të atyre kompanive që duan të reklamojnë në media, arritëm të thyejmë tabutë.
Por sigurisht, sikurse e thashë në fillim, kjo bëhet vetëm me profesionalizëm. Nga ana tjetër, duhet ta kemi të qartë se në tregun e print-media, ka një konkurrencë të pandershme.
Ka mungesë infrastrukture për shpërndarjen e gazetës; ka presione mbi gazetashitësit dhe padyshim, edhe mbi gazetarët. Janë thjesht modele arkaike, që nuk do t’i rezistojnë dot kohës dhe profesionalizmit në menaxhimin e një media.
Ndaj sot më shumë sesa herë tjetër, kërkohet jo vetëm staf cilësor dhe i kualifikuar, por edhe një menaxhim e strategji afatgjatë e kombinuar me një punë të palodhur e të përditshme nga të gjithë”, thotë ajo.
Interneti, a është një “armik”
“Balkanweb” është i pari portal i lajmeve në Shqipëri e më pas shumë të tjerë ndoqën këtë shembull. Drejtoresha e marketingut e “Focus Media News”, Vilma Theodhosi, thotë se në vitin 2011, portali shënoi rritje të ndjeshme. Në monitorimin që bën “alexa.com”, kjo faqe u rendit në vendin e 11 nga i 13-i që ishte.
“Klikimet ditore kanë arritur shifrën 100,000-120,000 nga 70,000-80,000 klikime në fillim të 2011-s. Lajmi vazhdon të jetë kategoria më e klikuar,
por kemi konstatuar që edhe kultura apo informacioni që ofrojnë klientët tanë me banera ka rritje të ndjeshme. Këtë e bazojmë edhe te statistikat që na vijnë nga klientët”,
thotë znj. Theodhosi. Për këtë portal, ecuria e reklamave vlerësohet e mirë. Bankat, kompanitë celulare janë sektorët që dominojnë në kohë dhe në hapësirë. Në rritje është interesi për reklamim on line edhe nga kompanitë e ndërtimit.
Megjithatë biznesi vazhdon të jetë më shumë i fokusuar te reklama në televizion, sepse në Shqipëri është ende i ulët numri i përdoruesve të internetit dhe shfrytëzimi i informacionit që ai ofron, por megjithatë nga vit në vit ka ngritje.
Konkurrenca është e ndjeshme, është në rritje kryesisht nga portale ekzistues prej vitesh në treg.
“Për këto arsye, këtë vit do të përdorim strategji të reja, do të sjellim ndryshime në portalin tonë”, thotë ajo.
Në lidhje me ecurinë e reklamave, znj. Theodhosi tregohet jo shumë optimiste, thotë se nuk të ketë rritje. Ndryshe parashikohet ecuria për klikimet.
“Frekuencën e tyre e rrit shumë edhe prezenca e ‘NEWS 24 live’. Këtë projekt e kemi nisur me kapacitet 5 GB dhe aktualisht është 100 GB”.
Kryeredaktori i seksionit on line i gazetës “Shqip”, Gjergj Erebara, thotë se penetrimi i internetit nuk është aq i madh në Shqipëri sa të rrezikojë shtypin e shkruar.
Ende as 10% e 700,000 familjeve nuk kanë internet. “Gazetat print kanë një treg më vete. Problemi është se media, në rastin e Shqipërisë, ia ka ngushtuar tregun vetes dhe punon për një rreth shumë të kufizuar njerëzish,
që kanë interes për lajme politike. Ajo çfarë është e dukshme, është që faqet e internetit të gazetave janë para së gjithash të vlefshme për popullatën e emigrantëve, e cila është shumë e madhe dhe më tepër e internetizuar se sa ajo e Shqipërisë” thotë z.Erebara.
Faqet on line në Shqipëri kanë më shumë vizita nga jashtë vendit se sa nga brenda vendit. Në tërësi nuk është shumë e vlefshme të përdoret logjika ekonomike për të shpjeguar shtypin shqiptar, qoftë atë të printuar, qoftë atë on line.
“Media në internet është shumë e lirë për ta ndërtuar, mund të kushtojë jo më shumë se 500 dollarë për një faqe. Platformat e ndërtimit të faqeve të lajmeve si “Joomla” apo “Worldpress” janë zhvilluar shumë dhe mund të përdoren nga të gjithë.
Lehtësia në ndërtimin e platformës e publikimit të lajmeve nuk është e mjaftueshme për sukses” thotë kryeredaktori i seksionit on line të “Shqip”.
Ai thotë se shumica dërrmuese e faqeve të internetit nuk kanë prodhim të vetin. Më së shumti jetojnë duke vjedhur lajmet që prodhojnë të tjerët. Në këtë kontekst, besohet se nuk e kanë jetën të gjatë, pavarësisht suksesit të imagjinuar.
“Vjedhja e informacioneve në internet është toleruar deri më sot nga media konvencionale, për shkak se nuk ka ende një volum reklamash të konsiderueshëm në web sa për të pasur interes për ndalimin e vjedhjeve.
Por në rastin që reklamuesit i rrisin fondet për reklama, atëherë shumë nga faqet që sot renditen si më të vizituarat nga shqiptarët, do të përballen me padi për numrin e pafundmë të lajmeve që kanë ripublikuar pa të drejtë autori.
Pas kësaj do të kemi një renditje krejt tjetër” thotë z.Erebara
Për lexuesit, konkurrenca në print është reale. Ajo fillon nga prodhimi i lajmeve spekulative dhe përfundon te rrjetet e shpërndarjes e te gazetashitësit.
Në internet, konkurrenca konsiston më së shumti në spekulime të vogla me motorët e kërkimit, fjalët kyçe të përdorura, apo sasia e lajmeve të vjedhura nga të tjerët.
Për tregun e reklamave, gazetat e printuara kanë rol të pazëvendësueshëm në publikimin e njoftimeve për vende pune, tenderë etj., të cilat, ndonëse mund të publikohen edhe në internet, kanë nevojë për vlerën e printit si dokument.
“Sa për reklamat në internet, vetë reklamuesit shpesh nuk kanë kapacitetet e nevojshme analizuese për të parë efektivitetin e një reklame, pra kemi më shumë reklama qorrash.
E njëjta gjë është e vlefshme edhe për printin, pasi tirazhet e gazetave janë pothuajse sekret ndërsa disa sondazhe të organizuara për llogari të reklamuesve,
masin se cila nga gazetat është e para dhe cila e dyta, por nuk masin dot sasinë, rrjedhimisht nuk masin dot kosto/përfitimin nga reklamat.
Një pjesë e mirë e reklamave janë për të fituar prani në media dhe në këtë rast, kosto/përfitimi nuk merret parasysh” thotë kryeredaktori i seksionit on line të “Shqip”.
Interneti zë ende një përqindje shumë të vogël të buxheteve të reklamave të shumë kompanive. Vetëm pak kompani reklamash kanë filluar të krijojnë kapacitetet e duhura njerëzore për të lexuar metrikat e një faqeje interneti,
pra të shohin cilësinë dhe sasinë e vizitorëve të internetit.
Kriza e medias së printuar në Shqipëri nuk lidhet aq shumë me zhvillimin e internetit se sa me rënien e sektorit të ndërtimit, nga ku varej shumica e medias.
Rrjetet sociale kanë sjellë normalisht një konkurrencë reale për median konvencionale, pasi njerëzit kanë një alternativë, nuk e kanë të domosdoshme të lexojnë një gazetë,
për të kaluar kohën apo për t’u informuar. Në total, në Shqipëri qarkullojnë jo më shumë se pesë apo shtatë lajme në ditë, të lidhura vetëm me politikën dhe me kronikën e zezë.
Janë këto lajme që qarkullojnë në të gjitha televizionet, gazetat apo faqet e internetit. Ndërkohë lexuesit kanë mundësi të zgjedhin dhe mund ta harxhojnë kohën e tyre për të vizituar profilin e një miku të vet në “Facebook”,
të shohin se si ka dalë në fotografi e se kush ka ndryshuar foton e profilit. Kjo hapje tregu do t’i detyrojë mediat konvencionale të prodhojnë lajme reale, të cilat i kemi parë shumë rrallë gjatë dekadës së fundit.
Në total, në treg ka hapësirë si për median elektronike, ashtu edhe për atë të printuar. Nuk është interneti që po vret median e printuar, por mungesa e lajmeve reale.
Çfarë do të ndodhë
Kush do ta fitojë “garën”?. A do të jetë shtypi i shkruar apo media e re?
Andi Tela: Është çështje shijesh dhe kohe. Unë dua të besoj se magjia e një lajmi në letrën e tipografisë nuk ka të krahasuar me atë të një lajmi të klikuar online.
Gazetat do të vazhdojnë të jetojnë, sigurisht koha do të largojë ato që nuk do t’i mbijetojnë një gare me rregulla e cila ende nuk ekziston në Shqipëri.
E njëjta gjë vlen edhe për faqet on line. Do të jetojnë ato që do të dinë të ruajnë dhe të zgjerojnë numrin e lexuesve.
Aleksandër Çipa: Mendoj se kohë më të vështira do të vijnë për median e printuar. Kjo pasi, ndërsa ndryshon disponimi profesional dhe vendosmëria e stafit redaksional, nuk ndryshon metodologjia e qarkullimit të shtypit,
nuk ndryshon sistemi dhe sidomos mekanizmi që e çon atë te lexuesi dhe se si i afrohet atij. Është një sistem primitiv, vrasës, diskriminues në mënyrën e shpërndarjes.
Ka raporte pabarazie mes distributorëve prodhues, pra te shtypshkronjat.
Anila Basha: Patjetër që web-i do të jetë më i preferuari. Lajmet në çdo kohë dhe në çdo moment do të na vijnë në aparatet e iPhone, iPad etj. Laptop-ët me vete në çdo moment dhe dixhitalizimi i medias,
do ta çojë shumë përpara këtë industri. Por, unë jam një dashamirëse dhe një përkrahëse e medias së printuar. Do të kuptohet shumë shpejt pas kësaj situate se printi do të vazhdojë të mbijetojë.
Njerëzit e duan gazetën. Duan të lexojnë në letër atë çka shkruhet. Kjo fazë transitore do të kalojë shumë shpejt, sepse koha do të bëjë edhe selektimin e atyre gazetave që nuk i rezistojnë dot zhvillimit të medias.
Fakte për t’u marrë në konsideratë:
– “Google”, për vitin 2011, grumbulloi 1.15 miliardë dollarë nga reklamat, lajmet që ai ofron merren nga burime të tjera dhe janë falas.
– “Craigslist”, që siguron reklama falas on line, ka rreth 1 miliard vizitorë në muaj, duke i kushtuar gazetave miliarda dollarë në vit.
– “Facebook”, rrjeti social që ofron akses të lirë, numëron rreth 600 milionë përdorues. Të ardhurat e tij nga reklamat në vitin 2011 ishin 2.2 miliardë dollarë.
Në mënyrë ironike e përditshmja amerikane “New York Times” e ka tirazhin 1.45 milionë, ndërsa ka 447,926 “friends” në “Facebook”.
Botë, rritje e lehtë e tregut të reklamave
Reklamat në shtypin e shkruar botëror, për vitin 2012, parashikohet se do të rriten me rreth 5% (-1.5% më pak se parashikimi i korrikut 2011).
Agjenci amerikane, “Magnaglobal”, në raportin e saj, shprehet se ky ritëm ka si shkak pritshmërinë jo shumë optimiste për situatën makroekonomike. Pasiguria mbetet ende e lartë, veçanërisht në Europë.
Situata pritet që të përmirësohet edhe falë ngjarjeve të rëndësishme sportive, siç janë Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Londër, Kampionati Europian i Futbollit që do të zhvillohet në Poloni e Ukrainë,
zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që parashikohet të sjellin rritje nga 1-2%. Europa do të jetë përfituesja kryesore, veçanërisht tregjet si Britania e Madhe e Italia.
Edhe vendet në zhvillim do të rrisin përqindjen e tyre në tregun botëror të reklamave. Në fund të vitit 2012, ato do të përfaqësojnë rreth 24% të totalit.
Në lidhje me përqindjen e tregut të medias, ajo on line do të rritet me 11.2%, duke shmangur ndjeshëm gazetat dhe duke u renditur e dyta.
Televizioni do të ketë rritje të përqendrimit të reklamave me 6.7%.
Reklamimi në gazeta dhe revista do të ulet përkatësisht me 1.0 dhe 1.3%, ku rënia më e lartë do të vihet re në tregjet e Europës Perëndimore, të cilat vuajnë edhe rënien e tirazheve.
Në radio, reklamat do të rriten me 1.6%.
Unioni i Gazetarëve: Të ndryshojë gjendja kritike
Vetëm pak ditë më parë, shoqata “Unioni i Gazetarëve Shqiptarë” reagoi me një Promemorie në lidhje me ankesat e shtuara të gazetarëve në shumicën e mediave të vendit.
Ajo citon se gazetarët po përballen me mosshlyerjen në kohë të pagave. Nga ankesat e mbërritura pranë
“Unionit të Gazetarëve Shqiptarë” rezulton se gjatë tre muajve të parë të vitit 2012, në 18 (nga 24) të përditshme nuk respektohen afatet mujore të ndarjes së pagave për gazetarët.
E njëjtë paraqitet situata edhe në televizione, ku në katër prej tyre punonjësit dhe gazetarët kanë hapur edhe procese gjyqësore.
“Gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti në rreth 47 ente mediatike ka pasur shkurtime vendesh pune dhe largime arbitrare gazetarësh nga puna si reporterë,
redaktorë dhe dorëheqje kryeredaktorësh etj.”, thuhet në këtë komunikim. Parashikohet që situata të përkeqësohet.
Unioni vlerëson se kjo është gjendja më e rëndë e 10 vjetëve të fundit në skenën mediatike të vendit, në të cilën aktualisht janë të punësuar mbi 5,000 punonjës,
prej të cilëve rreth 1,350 janë gazetarë me përvojë mbi 3 vjet pa ndërprerje.
Në këto kushte shoqata ka apeluar për ndaljen e shkurtimeve nga puna të gazetarëve dhe për një fushatë kombëtare për nënshkrimin e kontratave kolektive dhe individuale me gazetarët.
“Kërkojmë nga institucionet ligjore të kryejnë misionin e tyre ligjor dhe kushtetues për moslejimin e mëtejshëm jo vetëm të informalitetit,
por sidomos të arbitraritetit që i shndërron gazetarët në skllevër të bindur apo në individë që përjetojnë pasigurinë sociale e financiare për jetesë përmes këtij profesioni”, thuhet në Promemorie.
Shoqata bën të ditur se, në rast se situata nuk përmirësohet, do të zhvillojë protestë publike.
Renditja alexa.com portale lajmesh dhe gazeta
1. Balkanweb (vendi i 7 në renditjen e përgjithshme)
2. Noa.al (vendi i 10)
3. Albeu.com (vendi i 14)
4. Shqiptarja.com (vendi i 17)
5. Gazeta Tema (vendi i 18)
6. Panorama (vendi i 20)
7. Shekulli on line (vendi i 23-të)
8. Mapo.al (vendi i 40)
9. Gazeta Shqip (vendi i 52-të)
10.Agjencia Telegrafike Shqiptare (vendi i 103-të)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.