FOTOREPORTAZH / Në ish-Jugosllavi, ndërtimi i impianteve hidroelektrikë kërcënon lumenjtë e fundit të egër në Europë, por banorët vendas po luftojnë për t’i shpëtuar.
Në Ballkan, lumenjtë e fundit të egër të Europës janë në rrezik për shkak të industrisë hidroelektrike, përfshirë Vjosën.
Pasojat mjedisore, përfitimet ekonomike të dyshimta dhe jo në avantazh të komunitetit lokal kanë shkaktuar një fushatë ndërkombëtare denoncimi.
Në rajon parashikohen 3000 diga; 1.003 impiante janë tashmë në punë (të parat që pas Luftës së Dytë Botërore); 188 në fazë ndërtimi dhe 2.798 në fazë projektimi, nga të cilat 91% të vogla apo “mini”, që prodhojnë energji nën 10 MW dhe 1031 (37%) në zona të mbrojtura.
Mund të duket një ide e mirë për t’iu përgjigjur nevojës në rritje për energji. Por edhe diga më e vogël vepron në mënyrë të pakthyeshme në ekosistem (përveçse në potencialin e ujit) dhe në këtë rast bëhet fjalë për ekosisteme të virgjëra (ose thuajse). Në vitin 2012, organizatat joqeveritare RiverWatch (Austri) dhe EuroNatur (Gjermani) morën në mbrojtje këtë kauzë, duke krijuar një bazë të dhënash në mbështetje të fushatës.
Në Ballkan, 80% e 35 mijë kilometra lumenj të marrë në shqyrtim është ende në kushte shumë të mira apo të mira, 30% janë thuajse të paprekur. Përkundrazi, në pjesën tjetër të Europës, 80% e lumenjve janë në kushte kritike.
Po si funksionon një digë e vogël?
Në një digë të vogël, më shumë se gjysma e volumit të ujit të lumit devijohet në tubacione dhe në distancë disa kilometra prodhohet energji nëpërmjet një seri turbinash, pastaj uji rilëshohet në rrjedhën e tij, përpara se të kanalizohet sërish në impiantin tjetër hidroelektrik.
Në këtë pjesë, pasoja është reduktimi i fortë i rrjedhës së lumit, që në rastin më të mirë çon në rritjen e temperaturave apo në zhdukjen relative të specieve endemike (disa unike në botë), deri në tharjen (shpesh i tëri) gjatë periudhës së verës, duke ndryshuar faunën dhe florën dhe duke ndikuar në kushtet klimatike të zonave përqark.
Në këtë fotografi: digë në ndërtim në lumin Pliva, në Bosnjë. Pas vënies në punë, një pjesë e ujërave të lumit do të kanalizohen në digë, duke ndryshuar ekosistemin e pasur të zonës.
Për këtë arsye, popujt e Ballkanit kanë vendosur të luftojnë për të mbrojtur mjedisin.
Është një betejë që bashkon etni, fe dhe njerëz të të gjitha moshave, është një betejë kundër një vizioni politik jo të kthjellët dhe kundër interesave ekonomike të pak njerëzve përballë varfërisë së pjesës më të madhe.
Është një betejë që mbron biodiversitetin unik dhe të drejtën e patjetërsueshme të ujit. Një luftë që beson në zhvillimin e një turizmi ekologjik e të ngadaltë në mbështetje të mjedisit e komunitetit. Prej 24 gushtit, një garnizon grash ruan hyrjen e luginës së lumit me të njëjtin emër për të shmangur hyrjen e buldozerëve.
“Jemi si ushtarë” – thonë gratë. Falë një sistemi me turne 24 orë në 24, ato e ruajnë urën natë e ditë. Gjatë natës janë të paktën dy persona që e ruajnë urën.
“Ballkani është një ndër burimet më të rëndësishme të paprekur të ujit të pijshëm në sipërfaqe”, thotë Ulrich Eichelmann, themelues i RiverWatch, slogani i së cilës është “Lumenjtë bashkojnë, digat ndajnë”.
Në këtë fotografi: diga e Idbar, e ndërtuar në vitin 1959 në lumin Bašcica në Bosnjë-Hercegovinë për të ndalur mbeturinat që zbrisnin në rezervuarin e Jablanicës, është ikonë e fushatës #thedamtruth dhe vendndodhja e premierës botërore të dokufilmit Blue Heart, më 29 prill të vitit të kaluar.
“Save the blue heart of Europe” është emri i fushatës, e mbështetur edhe nga kompania amerikane e veshjeve sportive Patagonia, që me sloganin “#TheDamTruth” nënshkruan fushatën e parë mjedisore në Europë.
“Është një betejë shumë e rëndësishme për të qëndruar indiferent, – thotë Yvon Chouinard, alpinist, sipërmarrës amerikan dhe themelues i Patagonia në vitin 1973.
Fushata u kërkon bankave të mëdha ndërkombëtare që të ndërpresin financimin e këtyre projekteve. Sipas organizatës joqeveritare Bankwatch, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Banka Europiane për Investime (BEI) dhe International Finance Corporation (Ifc) e Bankës Botërore kanë investuar 700 milionë euro në projekte hidroelektrike në Ballkan.
Gjithnjë sipas Bankwatch janë përfshirë edhe banka tregtare si Erste Bank në Austri dhe grupi Unicredit në Itali
Në këtë fotografi: të rinj gjatë piknikut tradicional më 1 maj buzë lumit Narenta që përshkon qytetin e Mostarit – një ndër vendet e shumta që rrezikohen nga ndërtimi i digave të reja.
“Në Itali, është lumi Tagliamento, mbreti i lumenjve alpinë për shkallën e integritetit të ruajtur, por në degët e tij janë ndërtuar shumë diga. Në Shqipëri është Vjosa, 270 kilometra i gjatë, lumi më i madh i egër në të gjithë Europën.
Vjosa ka të njëjtën morfologji si Tagliamento, por degët e saj janë të paprekura më së shumti – shpjegon Ulrich.
Në Šipovo janë dy lumenj, Pliva dhe Janja (“Sepse në gjuhën sllave, lumi është grua” – thotë Viktor Bjeli, nga Center for Environment në Banja Luka, OJQ që koordinon shoqatat e aktivistëve në Bosnjë -Hercegovinë) dhe të paktën 6 struktura të ndryshme në një rreze prej pesë kilometrash.
Breza të tërë të popullsisë lokale kanë bashkëjetuar me lumenjtë. “Gjatë verës shkojmë në lumë për t’u larë, fëmijët tanë kanë mësuar të notojnë këtu. Nuk kemi para për të shkuar në det. Për ne, lumi është gjithçka” – thekson Nelina, e cila drejton grupin e grave të Krušcica. “Rijeka je naša” (lumi është yni) përsërit Mehmed Bilal, 73 vjeç, që prej 24 gushtit ka kaluar çdo natë në mbrojtje të urës në Krušcica.
Në vitin 2014 filloi ndërtimi i impiantit të vogël hidroelektrik në lumin Gotuša, pranë Fojnica. Ndërtimi ka përfunduar, por është pezulluar lidhja me rrjetin elektrik të impiantit me fuqi 0,9 MW.
“Ata janë mbështetur te të dhëna 40 vjet më parë, rrjedha lumit sot janë zvogëluar. Nëse diga do të vihet në përdorim, lumi do të thahet dhe uji nuk do të jetë i mjaftueshëm në verë as për të prodhuar energji. Në luginë do të zhduken shumë kafshë dhe specie bimore” – shpjegon Robert Oroz, programues informatik, 40 vjeç, president i shoqartës lokale Eko Gotuša.
Profesor Sulejman Redzi, nga Universiteti i Sarajevës, i cili po punonte për një studim të pavarur për të treguar prapambetjen e të dhënave mjedisore të paraqitura, vdiq në vitin 2013 në rrethana të paqarta.
“Ai ishte një ndër intelektualët dhe natyralistët më të shquar të Bosnjë-Hercegovinës, ka qenë mësuesi im”, – tregon Damir Ivis, botanist.
“Është një piramidë, në bazë janë mikrosistemet, dhe duke u ngjitur sistemet më të mëdha, në majë është njeriu. Mund të hiqni njeriun nga piramida dhe nuk ndodh asgjë, por nëse dobësoni sistemin në pjesët më të ulëta, piramida do të shkatërrohet. Për këtë arsye është e rëndësishme të mbrohen këto pjesë”.
Në këtë fotografi: ujëvara e Jaice, ku lumi Pliva (që do të thotë lumi i notit) derdhet në Vrnas (lumi i shelgjeve) – janë ndër atraksionet kryesore turistike në Bosnjë-Hercegovinë.
Si të përballemi me nevojën në rritje të energjisë pa shkatërruar lumenjtë? Biologia Biljana Rankovic, 43 vjeç, shpjegon: “Së pari duhet të reduktojmë konsumin e energjisë, duke mësuar të respektojmë burimet. Së dyti, duhet të investojmë në përmirësimin e sistemit të shpërndarjes që regjistron humbje të pakompensueshme.
Ne në Ballkan jemi të zhytur në mbeturina. Malet, lumenjtë, liqenet, plazhet. Duhet ta shndërrojmë problemin në mundësi dhe të prodhojmë energji nga mbeturinat. Pastaj është edhe dielli, këtu mund të shfrytëzojmë energjinë diellore”.
Nataša Crnkovic, presidente e Centre for Environment thotë: “Zgjidhja ideale është realizimi i projekteve që shfrytëzojnë energjinë e diellit në një shkallë të vogël dhe në pronësi të komuniteteve lokale.
Në këtë fotografi: rreth një vit më parë nisën punimet për ndërtimin e një dige të vogël në lumin Krušcica. Në të majtë, shtrati i lumit pas dy ditë punimesh; në të djathtë, lumi siç ishte në fillim. Banorët e zonës ndërhynë për të ndalur buldozerët dhe për t’i nxjerrë nga zona.
“Ka pasur përpjekje për ta bërë kauzën edhe fetare, qeveria lokale është myslimane dhe për të kundërshtuar, mbështeste idenë se ishim ne katolikët që e përdornim lumin. Por askush nuk e besoi”.
Gjatë ditëve të mbrojtjes së lumit, 325 në total, gratë myslimane na sillnin ushqim dhe na falënderonin për betejën që po bënim ditë pas ditë dhe se ato nuk mund ta bënin një gjë të tillë, për të mos humbur vendin e punës” – tregon Robert nga Šipovo.
“Në këtë mes janë interesat e ndërtuesve dhe prodhuesve të çimentos” thotë Haris Djelilovic Krušcica, 25 vjeç. Ai vijon: “Problemi është se gjithçka është e korruptuar. Unë mund ta mbështes fushatën, pasi jam me fat dhe punoj. Moshatarët e mi nuk po gjejnë punë dhe nëse e mbështesin këtë fushatë nuk do ta gjejnë më”.
Biljana shpjegon: “Digat ndërtohen nga Shteti, koncesioni u besohet privatëve dhe vetëm një përqindje e vogël e të ardhurave do t’i kthehet shtetit. Kjo energji do t’u shitet privatëve jashtë shtetit. Ajo shton më tej: “Është më mirë të mbrosh natyrën e jashtëzakonshme të këtyre vendeve, që mund të sjellin të ardhura ekonomike për të gjithë komunitetin për një kohë të gjatë”.
Në këtë fotografi: aktivistë të angazhuar në mbrojtjen e lumenjve në Ballkan. Motoja e tyre është “Ne damo rijeku in to je vse” (Nuk heqim dorë nga lumi, ai është gjithçka)
Në të majtë: Abaz Djelilovic (Krušcica, 31 vjeç)
Në të djathtë: Biljana Rankovic (Šipovo, 43 vjeç)
Ne kërkuam mendimin e Filippo Giorgi, një ndër ekspertët më të mëdhenj për ndryshimet klimatike.
Giorgi vëren se ndërtimi i një numri kaq të madh digash të vogla ose mini “është befasues, duke marrë në konsideratë që bëhet fjalë për një zonë ku skenarët e së ardhmes karakterizohen nga reduktimi i reshjeve në pranverë, në verë dhe në vjeshtë, dhe nga Mali i Zi e më poshtë edhe në dimër”.
Në këtë fotografi: aktivistë të angazhuar në mbrojtjen e lumenjve në Ballkan. Motoja e tyre është “Ne damo rijeku in to je vse” (Nuk heqim dorë nga lumi, ai është gjithçka)
Në të majtë: Mehmed Bilal (Krušcica, 73 vjeç
Në të djathtë: Advija Kolašinac (Krušcica, 61 vjeç)
Në këtë fotografi: Konijc, liqeni i madh në digën e Jablanicës 85 metra e lartë, prodhon 180 MW) ndërtuar në vitin 1952. Një ndër digat më të rëndësishme në Ballkan, ndërtuar nga Tito në shërbim të industrisë së zonës. Rezervuari u mbush në vitin 1954, thellësia është më shumë se 100 metra. Më shumë se 10 mijë njerëz u shpërngulën.
Në këtë fotografi: pak kilometra nga diga e Jablanicës, përgjatë rrugës për Mostar, rezervuari i digës së Gabrovica. Nga Konijc në Mostar, katër diga të mëdha bllokojnë rrjedhën e Narenta. “Diga ndal gjithçka dhe lumi bëhet liqen” thotë Mehmed Bilal.
Në këtë fotografi: Studentë. Ujëvarat e Kravice, pak kilometra larg Medjugorje, një ndër vendet më spektakolare në Ballkan.
*Manuela Schirra / Fotografitë nga Fabrizio Giraldi
Burimi: Nationalgeographic.it
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.