Bizneset angleze i kanë zvogëluar në maksimum planet e tyre të investimeve, duke qenë se besimi i tyre në ekonominë angleze ka rënë në nivele shumë të ulëta, për të mos thënë që një pjesë e madhe e tyre e kanë humbur fare atë.
Pritshmëritë e bizneseve për një rritje të mëtejshme të investimeve mbeten shumë poshtë normave të shënuara gjatë vitit 2014 dhe 2015.
Ashtu siç u përmend edhe më sipër, rënia ka ardhur si pasojë e mungesës së lartë të besimit të këtyre bizneseve në ekonominë vendase, e cila ka rënë sërish në një territor negativ, duke lënë pas edhe fitimet e bëra gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.
Ky indeks shënoi një rënie nga 6.7 për qind në -8 për qind në tremujorin e tretë të këtij viti, nivel ky i ngjashëm me fillimin e 2017-s.
Zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme, kërcënimi i një parlamenti të paqëndrueshëm dhe ecuria e ngutshme e negociatave me BE-në, i kanë bërë bizneset që të tregojnë një qasje më të kujdesshme në fushën e investimeve në Angli, njoftoi në raportin e tij Matthew Rideout, drejtor i biznesit në ICAEW, duke shtuar edhe se kjo rënie në territor negativ nuk ishte e papritur.
“Strategjia industriale pothuajse ka humbur fare, së bashku me asnjë sinjal të qartë ndaj politikës post-Brexit”, vazhdoi ai më tej.
Ai u bëri thirrje bizneseve të investojnë në produkte të reja, në mënyrë të tillë që ta pozicionojnë veten sa më mirë dhe që të përfitojnë nga mundësitë e reja tregtare dhe tha se qeveria duhet të tregohet sa më e qartë në këtë periudhë ndaj bizneseve, në mënyrë të tillë që edhe këta të fundit të nisin planifikimet e ardhshme në fushën e investimeve, sepse në një situatë aspak të qartë, askush nuk do të tregohet aq i guximshëm sa t’i marrë përsipër të gjitha rreziqet që mund t’i kanosen.
Gjithashtu edhe të ardhurat e ekonomive familjare do të vazhdonin të ishin të shtrënguara duke qenë se bizneset po mundohen të kontrollojnë rritjen e përgjithshme të kostos duke mbajtur rritjen e pagave në një nivel nën inflacionin.