Interesi i ulët që do të vazhdojnë të ofrojnë bankat dhe rritja e tatimit mbi të ardhurat nga depozitat nga 10 në 15% pritet të ulin ndjeshëm kthimin nga depozitat…
Pas një rritjeje prej katër muajsh radhazi, edhe depozitat i janë rikthyer rënies.
Sipas statstikave mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë, stoku i depozitave në fund të shtatorit arriti në 959.4 miliardë lekë, duke u tkurrur me 2.9 miliardë lekë, apo 0.3%, në raport me muajin e mëparshëm.
Kjo tendencë negative erdhi nga rënia e kursimeve, si në lekë ashtu dhe në valutë. Si për lekun ashtu dhe valutën, kjo është tkurrja e parë në që nga shkurti 2014.
Me bazë vjetore (shtator 2014/shtator 2013), depozitat në total janë shtuar vetëm me 0.35%, ritmet më të ulëta të rritjes vitet e fundit, që nga 2009-a, kur sistemi u përball me një valë tërheqjeje depozitash, si rrjedhojë e panikut të krijuar në atë kohë nga kriza financiare globale.
Interesat e ulëta të depozitave, nën 2% për ato 12 mujore, po i largojnë individët nga bankat, ndërkohë që efektin më të madh e ka dhënë banka Raiffeisen, që ofron kthim nga depozitat një vjeçare me një interes nën 1%, duke i orientuar kursimtarët kryesisht drejt fondit të investimeve.
Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se politika e saj lehtësuese monetare do të vazhdojë çka nënkupton se dhe interesat e depozitave do të vijojnë të jenë të ulëta.
Ministria e Financave, në paketën e re fiskale, planifikon që tatimi mbi të ardhurat nga depozitat të rritet nga 10% në 15%, duke filluar nga 1 janari 2015, duke e ulur akoma dhe më shumë kthimin real nga depozitat.