Marrëshëniet tregtare me rajonin e Ballkanit po ecën në kah të kundërt me tregtinë e jashtme në tërësi. Në këtë nëntëmujor, eksportet kanë rënë dhe deficiti tregtar është thelluar
Vështirësitë ekonomike kanë tkurrur rreth vetes tregje të ndryshme të botës. Por, rregulla e uljes së kostove të tregtisë në ditë të vështira nuk vlen për tregtinë ballkanike e aq më tepër për marrëdhëniet tregtare të Shqipërisë në rajon.
Gjatë këtij viti, volumi tregtar me fqinjët e Ballkanit ka shënuar rritje të lehtë, por më të ulët në raport me zhvillimin e tregtisë së jashtme në total.
Kështu, nëse eksportet në tërësi u rritën me 5% në nëntëmujorin e këtij viti, shitjet e produkteve shqiptare drejt 6 vendeve të CEFTA-s (me të cilat kemi nënshkruar marrëveshje të tregtisë së lirë) ranë 9%. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, vlera e eksporteve ra në 7.2 miliardë lekë, nga 7.9 miliardë lekë në periudhën janar-shtator 2013. Ndërkohë që importet ndoqën një rrjedhë tërësisht të kundërt, duke u rritur me gati 7%.
Ky zhvillim negativ përkeqësoi deficitin tregtar me rajonin e Ballkanit me 20% krahasuar me një vit më parë.
Krahas problemeve historike mes lobeve të tregtisë të krijuara në rajon, të theksuara veçanërisht në pjesën e Shqipëri-Kosovë, tregtarët vlerësojnë se ka pasur përkeqësim të kushteve të tregut. Rënia e eksporteve ka ardhur kryesisht nga materialet e ndërtimit. Si tregtarët e hekurit për ndërtim, edhe ata të tullave e tjegullave, raportojnë për revistën “Monitor” ulje të kërkesës në tregjet fqinje (kryesisht Kosovë e Maqedoni),
Sipas të dhënave statistikore, materialet e ndërtimit zënë peshën kryesore të eksporteve në Ballkan me mbi 35% të totalit të eksporteve. Përfaqësuesit e një prej kompanive kryesore prodhuese të tjegullave në Shqipëri thonë se krahas pengesave në pikat doganore, janë përballur këtë vit edhe me ulje të kërkesës. Kosova është tregu më dinamik aktualisht në rajon për sa u përket ndërtimeve. Por tregtarët vërejnë se në tregun e Kosovës po zotërojnë ofertat e materialeve që mbërrijnë nga tregje të tjera, me çmime më të ulëta e cilësi më të dobët.
Kundër tregtisë në tërësi
Drejtimi me kahe të kundërta i eksporteve mes tregut europian dhe atij ballkanas ka bërë që pesha e eksporteve drejt Ballkanit të bjerë me 3 pikë përqindje. Nga 13% të totalit të eksporteve të shënuara në nëntëmujorin 2013, pesha e eksporteve në tregun rajonal, me të cilin kemi prej vitesh marrëveshje të tregtisë së lirë, është ulur në 9% të totalit të eksporteve.
Në importe, pesha e Kosovës. Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës është rritur me 2 pikë përqindje. Ndikimi më i madh, sipas të dhënave të tregtisë, ka ardhur nga energjia dhe karburantet e importuara.
Ballkani, rrjeti i dobët tregtar
Për prodhuesit shqiptarë, Ballkani është një potencial që nuk po arrin të shfrytëzohet. Përpjekjet politike duken të dobëta ndaj lobingjeve të forta tregtare. Interesi për të eksportuar qëndron. Por, mes hapave politikë e tregtarë vazhdon të mbetet një hendek i madh, i cili nuk po mbushet as nga marrëveshjet e fundit mes doganave të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi.
Deri pak kohë më parë, ekspertët e tregtisë vlerësonin se pengesë për zhvillimin e tregut rajonal është infrastruktura e dobët e transportit. Por, me krijimin të disa prej arterieve kryesore, ky argument bie. Tregtia është zhvilluar, por shumë larg pritshmërive dhe qëndrimet e tregtarëve flasin për një pengesë “kulturore” e mospërputhje të interesave të përbashkët.
Heqja e barrierave, ende në plan
Në planin kombëtar për zbatimin e strategjisë rajonale 2014-2020 për Europën Juglindore, qeveria shqiptare planifikon një listë masash për të nxitur tregtinë e lirë me vendet e rajonit. Fokusi sipas këtij plani, do të jetë eliminimi i barrierave tregtare jotarifore, që po bëhen pengesë në biznesin ndërkufitar. E këtu, hartuesit e këtij programi kanë parasysh edhe problemet me të cilat janë hasur kompanitë shqiptare që duan të eksportojnë në Kosovë dhe anasjelltas.
Strategjia parashikon reduktimin e kostove administrative dhe eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ex-post. Zyrtarët synojnë ta arrijnë këtë me përditësimin e sistemit të informacionit për barrierat tregtare jotarifore të ndeshura nga eksportuesit shqiptarë në vendet e rajonit. Një masë tjetër vlerësohet të jetë reduktimi i kostove administrative dhe eliminimi i barrierave tregtare jotarifore. Kjo do të thotë rregulla më të lehta teknike për tregtinë, masat sanitare dhe fitosanitare dhe procedurat administrative. Përveç hartimit të disa planeve dhe listave për pengesat që hasen në çdo treg respektiv, strategjia parashikon edhe krijimin e Komitetit Kombëtar për Lehtësimin e Tregtisë. Ky komitet ka në fokus hartimin e platformës për lehtësimin e tregtisë për shtete të caktuara në përputhje me prioritetet; reduktimin e numrit të dokumenteve të nevojshme për importin-eksportin e mallrave si dhe vlerësimin e mundësive për krijimin e një dritareje të vetme në doganë për të lehtësuar transaksionet tregtare, për të reduktuar kohën dhe koston në kalimin e kufirit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.