Gjatë vitit 2003, importet e Shqipërisë nga Greqia kanë rënë në 389 milion euro, nga 410 milion euro që ishin në vitin 2002 dhe 429.1 milion euro në vitin 2001, kur importet nga Greqia ishin në nivelin më të lartë historik.Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi: Bashkë me ndryshimin e qeverive, vihet re edhe një ndryshim tendence në tregtiNë mars të këtij viti, në Greqi ndodhi një ndryshim historik: E djathta greke, e cila kishte 20 vjet që qëndronte në opozitë me përjashtim të periudhës 1990-93, fitoi bindshëm shumicën kuvendore dhe krijoi qeverinë. Kryeministri i ri, Costas Caramanlis deklaroi para se të fitonte zgjedhjet se numri aktual i emigrantëve, prej 1 milion vetësh, ishte shumë i madh për Greqinë dhe se mendonte se numri maksimal i emigrantëve që jetojnë në Greqi, nuk duhet të jetë më shumë se 400 mijë. Kjo rezultoi vetëm një propagandë elektorale. Qeveria e re ishte më shumë e angazhuar për Lojrat Olimpike sesa për çështjet e emigrantëve dhe në këtë kuadër, procedoi me njohjen dhe regjistrimin e një numri të madh emigrantësh si masë kontrolli. Por që nga ajo kohë, Shqipëria dhe Greqia, përveç problemit të emigrantëve kanë diskutuar edhe problemin e pronave të çamëve. Pas një kërkese për të miratuar një rezolutë kuvendore në lidhje me këtë çështje, diplomacia greke e përdori pikërisht problemin e emigrantëve si mekanizëm presioni për maxhorancën socialiste, e cila abstenoi në votimin për rezolutën, ndërkohë që përfitoi një angazhim të lehtë grek për ta zgjidhur problemin çam jashtë kuadrit politik. Gjithsesi, zëdhënësi i qeverisë së re greke Russopoulos tha se qeveria e djathtë nuk do të ndryshojë qëndrim për momentin nga ajo paraardhëse në lidhje me problemin Çam.Mes politikës dhe ekonomisë Kur kryeministri shqiptar, z. Fatos Nano mori për herë katërt këtë post, në shtator të vitit 2002, theu një rregull të vjetër: Ai vizioi më parë Italinë sesa Greqinë, ndryshe nga paraardhësit e tij të qeverive socialiste. Herën e fundit që Nano vizitoi Greqinë, në maj të këtij viti, ai ishte kryeministri i parë i huaj në kohën e qeverisë së djathtë greke, por vetëm dy javë më parë, kishte kryer një vizitë tjetër në Itali. Gjatë kësaj kohe, Shqipëria i ka ofruar më shumë biznes italianëve dhe amerikanëve, sesa grekëve. Ajo i dha një leje koncesionare për rezerva nafte shoqërisë italiane La petrolifera, ndërsa dihet se tregu i naftës në Shqipëri kontrollohet kryesisht nga shoqëritë greke. Përfitimet greke në tregun e telefonisë në Shqipëri kanë rënë paksa, pas një administrimi më serioz të Albtelecom, gjatë vitit të kaluar dhe pjesës së parë të këtij viti. Gjatë këtyre dy viteve të fundit, Shqipëria është angazhuar direkt apo indirekt për të ndaluar pushtimin e Greqisë fillimisht, duke refuzuar diplomatikisht interesin për blerjen e Bankës së Kursimeve nga ana e Bankës Kombëtare të Greqisë dhe të Bankës së Pireut, si dhe më pas blerjen po nga Banka Kombëtare Greke të Bankës Kombëtare Tregtare, kur Autoriteti Turk i Sigurimit të Depozitave e hodhi në shitje. Gjatë dy viteve të fundit, politika greke ka shfaqur disa herë bashkëpunim me opozitën e djathtë shqiptare. Lideri Demokrat Sali Berisha ka folur njëherë për mikun e vet Costas Caramanlis. Në tetor të vitit të kaluar, kur u zhvilluan zgjedhjet për pushtetin vendor, opozita arriti të fitojë në Sarandë kundrejt një kompromisi për Himarën me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Saranda është një qytet ku biznesmenët e majtë kanë investuar miliona dollarë në turizmin elitar dhe marrja e bashkisë nga opozita përbën një ndryshim të konsiderueshëm. Importet në rënie Të dhënat më befasuese vijnë nga tregtia. Gjatë vitit 2003, importet e Shqipërisë nga Greqia kanë rënë në 389 milion euro, nga 410 milion euro që ishin në vitin 2002 dhe 429.1 milion euro në vitin 2001, kur importet nga Greqia ishin në nivelin më të lartë historik. Eksportet e Shqipërisë drejt Greqisë janë rritur lehtë nga 47.7 milion euro në 2002 në 50.8 m në 2003. Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, Greqia zuri vetëm 18% të importeve shqiptare kundrejt 23%, që kishte në vitin 2003. Edhe në bazë tremujore, importet nga Greqia kanë rënë sipas të dhënave të Institutit të Statistikave. Por a është e mundur që të dhënat mbi bilancin tregtar të ndryshojnë së bashku me qeverinë?Në fillim të vitit 2003, një gazetë opozitare me kryeministrin Fatos Nano publikoi një shkrim që kritikonte faktin se një njeri i kryeministrit ishte vendosur drejtor i pikës doganore të Kakavijës, pika kryesore hyrëse e importeve nga Greqia. Në vitin 1998, kur ish-drejtorja e zyrës së Bashkimit Europian për Asistencën Doganore në Shqipëri, Natalina Cea u largua nga Shqipëria, ajo foli për problemin që kishte lindur me sistemin e referencave doganore, të cilat disfavorizonin importet nga Italia. Akoma më herët, duhet të kujtojmë trazirat në fshatin e Lazaratit, të njohur për biznesmenë që importojnë nga Greqia, si dhe fjalët e një kryeministri shqiptar në Gjirokastër: E kemi zbritur biznesin nga Lazarati në Vrisera. Këto detaje mjaftojnë për të shpjeguar rënien e importeve nga Greqia me ndryshimin e qeverive. Shqipëria importon nga Greqia ushqime të gatshme, pije dhe duhan me vlerë të përgjithshme prej rreth 60 milion eurosh, produkte minerale 60 milion, pajisje elektrike dhe mekanike 50 milion etj. Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, si Maqedonia dhe Bullgaria, që kanë mbrojtur me çdo çmim prodhuesit vendas të duhanit (monopole shtetërore) duke lënë të huajt jashtë, Shqipëria nuk e ka bërë një gjë të tillë. Ajo importon pjesën dërrmuese të cigareve nga Greqia. Dashuri dhe xheloziHistorikisht, marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë kanë qenë një përzierje e dashurisë dhe urrejtjes. Në vitin 1987, qeveria greke deklaroi se abrogoi ligjin, që i shpallte luftë Shqipërisë si aleate e fashizmit, për t i hapur rrugën rilidhjes së marrëdhënieve diplomatike. Ligji kishte qëndruar në fuqi në Greqi nga viti 1940 me një nen të fundit që cilëson si tradhëtar çdo qeveri greke që e hedh poshtë atë. Ligji mbetet në fuqi për shkak se Kuvendi grek nuk e ka ratifikuar vendimin e qeverisë Papandreu. Por kjo nuk i ndaloi të dy vendet të lidhin një traktat miqësie dhe bashkëpunimi në vitin 1996, ku përfshihej angazhimi për të zgjidhur të gjitha problemet e debatueshme. Pas kësaj, një garnizon trupash ushtarake greke qëndroi për shumë kohë në territorin e Shqipërisë falë disa marrëveshjeve dypalëshe. Një vit më parë, Greqia njoftoi, gjithashtu, se do të tërheqë një pjesë të garnizoneve ushtarake nga kufiri me Shqipërinë e Maqedoninë, falë uljes së rrezikut të agresionit. Ajo njoftoi se do t i përdorte fondet e shkurtuara për zhvillim ekonomik të vendeve të Ballkanit. Tulatja e planit për rindërtimin e BallkanitMegjithatë, vala e madhe ekspansioniste greke e viteve ˜98- 01, duket se është zbehur, ose për momentin është ndalur. Bankat greke kanë hyrë në konkurrencë me gjigantët e Perëndimit në Bullgari (ku bankat konsiderohen si sektor i mbiinvestuar), apo të vendeve të tjera. Shoqëria numër dy e telefonisë celulare, Panafon, tashmë është tërësisht në duart e anglezëve. Biznesi i Helenic Petroleum me rafinerinë e Shkupit mori fund. Përpjekja për të bashkuar shoqëritë greke me gjigantin rus LukOil dështoi. Plani Grek për Rindërtimin e Ballkanit, që synonte të shpenzonte 500 milion euro për Ballkanin, nuk po dëgjohet më askund. Grekët shitën për Philip Morris, shoqërinë e tyre historike të prodhimit të cigareve, Papastratos.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.