Vijojnë të rriten shpenzimet në merkato për kampionatet më të mëdha në Europë.
Sipas një raporti të FIFA-s, në merkaton e verës së këtij viti, pesë kampionatet kryesore të Europës (Francë, Gjermani, Angli, Itali dhe Spanjë) kanë kryer 1629 transferime (blerje lojtarësh), 0,6% më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
Shpenzimet totale në pesë kampionatet kryesore janë rritur sërish nga 3,95 miliardë dollarë në vitin 2017 në 4,21 miliardë dollarë në vitin 2018 (+6,6%).
Për pasojë, komisioni mesatar për transferim u rrit me 14,2% dhe klubet kanë shpenzuar mesatarisht 24,9 milionë dollarë këtë verë, 9,8% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Premier League është kampionati më aktiv ndër BIG 5, klubet e së cilës kanë kryer 459 blerje dhe 522 shitje futbollistësh. Edhe një herë, klubet angleze kanë shpenzuar më shumë gjatë kësaj periudhe, për një total prej 1.440,1 milionë dollarësh (në rënie të lehtë krahasuar me 1.465,7 milionë dollarë në 2017-n). Kjo është e pesta merkato verore radhazi ku shpenzimet ishin më të larta se 1 miliard dollarë, diçka që deri më tani nuk kishte ndodhur në asnjë federatë.
Pas Premier League gjejmë Serie A, kampionati i dytë që kalon pragun prej 1 miliard dollarësh në shpenzime në një sezon merkatoje. Sipas FIFA, në Itali, shpenzimet kanë qenë 1.003,9 milionë dollarë, me rritje me 74,7% krahasuar me 2017. Në rritje edhe numri i transferimeve (+9,8%).
Merkato rekord edhe në Spanjë, që ka prekur një rekord të ri prej 960,9 milionë dollarësh, 42,2% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të 2017-s. La Liga dhe Serie A janë kampionatet e vetme që kanë shpenzuar më shumë krahasuar me verën e kaluar. Në rënie Ligue 1 (418,8 milionë, -37,4% duke mos llogaritur efektin Neymar e Mbappè). Në fund, kampionati gjerman, Bundesliga (391,3 milionë dollarë, 31,1% më pak krahasuar me vitin 2017).
Shifra më e lartë e shpenzuar nga një kampionat në botë, pas BIG 5, është në Arabinë Saudite. Klubet saudite kanë shpenzuar në total 152,1 milionë dollarë këtë verë, në rritje + 485,4% nga 2017-a. Ndiqet nga klubet belge (128,2 milionë USD, + 54,0%), Portugalia (85,4 milionë USD, -1,1%), Vendet e Ulëta (84,9 milionë USD, + 11,6%) dhe Kina (81,8 milionë USD, + 105,2%).
Në total, transferimet e realizuara nga pesë kampionatet kryesore në Europë përbëjnë më pak se një të dhjetën e transferimeve ndërkombëtare. Megjithatë këto transferime përfaqësojnë 77,5% të të gjithë shpenzimeve botërore, një tendencë e cila është rritur në vitet e fundit.