Nga 1 janari 2018, bankat nuk do të kreditojnë bizneset me dy bilance. Palët e tregut duket se e përkrahin të gjithë iniciativën por nuk e kanë të qartë si do arrihet kjo mrekulli formalizimi që ligjet në fuqi e kanë të ezauruar, të paktën në letër.
Nga Nertila Maho
Qeveria e nisi mandatin e saj në shtator me një deklaratë të fokusuar tek Antiinformaliteti. Theksi, ashtu siç pritej, u vendos te biznesi duke kërkuar formalizim. Gishti i fajit për këtë situatë u drejtua edhe mbi insitucionet e veta të kontrollit kryesisht tatime, duke kërkuar që të jenë më të angazhuar në luftën ndaj informalitetit, por dhe më komunikues me sipërmarrjen. E nga këtu gishti i Antiinformalitetit u drejtua te bankat, duke ju kërkuar në mes të nëntorit që të mos pranojnë të kreditojnë më biznese me dy bilance.
E nga mesi i nëntorit e në vijim, Kryeministri, ministri për Financat dhe Ekonominë e në fund edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, kanë nënvizuar pikërisht të njëjtën frazë. “Nga 1 janari 2018 bizneset nuk do të operojnë me dy bilance”. Por në gjithë këtë revansh antiinformaliteti ekzistojnë edhe pikëpyetjet e mëdha. Ndërsa gishti drejtohet tek njëra hallkë apo tek tjetra, qeveria nuk është se ka prezantuar ndonjë zgjidhje të re teknike për t’i dhënë fund kësaj praktike që pranohet se ekziston, por me ligj nuk lejohet. Pikërisht këtu qëndron edhe pikëpyetja, si do ta zbatojë qeveria këtë nismë të deklaruar, cilën hallkë të zinxhirit do të korrigjojë, cila është zgjidhja, po vetë qeveria a ka përgjegjësi në këtë situatë?
Si nisi faza e re e Antiinformalitetit me epiqendër bilancet
Në një konferencë vjetore me bankat, Kryeministri Edi Rama preku përciptazi çështjen e dy bilanceve. Këtë do ta zgjeronte disi më shumë në një nga “komunikimet e Javës” në faqen e tij në rrjetin social Facebook. “Në janar, tradita çerekshekullore e biznesit të madh që punon me dy bilance do të marrë një goditje të fortë, sepse qeveria do të njohë vetëm bilancet e paraqitura prej kompanive në banka. Dhe bilancet e Tatimeve do të duhet të jenë të përputhura me ato të bankave për çdo kompani”, deklaroi Rama pak kohë më parë. Javë pas jave, deklaratat erdhën në shpeshtim duke kulmuar me daljen e përbashkët të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe ministrit të Financave, Arben Ahmetaj.
“Rregullore e re në muajt e parë të 2018 për mënyrën e zbatimit”
Ministri për Financat dhe Ekonominë, Arben Ahmetaj, deklaroi gjatë konferencës së përbashkët me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë se rregullorja e posaçme për këtë iniciativë do të jetë gati në fillim të 2018-s. Thënë këtë, automatikisht merret e mirëqenë se më 1 janar 2018 nuk do të kemi asgjë të re në mënyrën sesi procedohet sot nga biznesi, kontabilistët, bankat apo çdo grup interesi i përfshirë në këtë nismë. “Ne kemi marrë angazhim, që kompanive të biznesit t’u njihet vetëm një bilanc zyrtar, që është i përputhur me deklaratën e tyre tatimore.
Edhe Banka e Shqipërisë ka vlerësuar pozitivisht iniciativën për formalizmin duke bërë që biznesi të funksionojë vetëm me një bilanc. “Plani kombëtar për reduktimin e kredive me probleme përcaktoi vendosjen e kriterit rregullativ, si një detyrë të rëndësishme për Bankën e Shqipërisë, që duke filluar nga viti 2018 veprimtaria e kredidhënies të mbështetet vetëm në deklaratat tatimore. Banka e Shqipërisë e ka trajtuar edhe më parë këtë dukuri nga pikëpamja rregullative, por duke u kufizuar vetëm tek kredimarrësit e mëdhenj të bankave. Koordinimi i veprimeve me organet qeveritare dhe veprimet e përshtatshme të ndërmarra, kanë krijuar hapësirën e nevojshme për ta thelluar këtë masë rregullative në një bazë më të gjerë kredimarrësish” u shpreh Sejko.
Të gjithë e mbështesin nismën, por askush nuk di si do kontrollohet zbatimi
Në zinxhirin ku kalon një bilanc që nis nga ekonomisti apo kontabilisti, tek Tatimet, Bankat e shumë palë të tjera të përfshira direkt dhe indirekt duket se ajo që mbizotëron është paqartësia sesi do të zbatohet ky plan. Sot ligji nuk ka ndonjë hapësirë për të lejuar përdorimin e dy bilanceve, madje krejt e kundërta ka penalizime, por ja që fenomeni ndodh. Bankat kanë rregulloret e tyre por ja që ka devijime. Kontabilistët mund të penalizohen, por sërish fenomeni nuk ndodh. Në kushtet kur të gjithë filtrat kanë herë pas here devijime, do të thotë që një rregullore më shumë nuk është problemi real i sistemit. Për kontabilistët dy janë arsyet që sot ende ka biznese me dy bilance. “Në radhë të parë, strukturat e kontrollit, monitorimit e mbikëqyrjes së bizneseve, nuk e kryejnë rolin e tyre, dhe në radhë të dytë nuk funksionon sa duhet mbikëqyrja e monitorimi mbi strukturat e kontrollit e të monitorimit.
Fakti që fenomeni është zgjatur shumë në kohë (gati 3 dekada), dhe sot paraqitet mjaft i përhapur, ka ndikuar që të zhvillohet në mënyrë galopante korrupsioni”, shprehet Hysen Çela, president i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Miratuar.
Nga ana tjetër, edhe sistemi bankar që e ka gjetur veten të përfshirë mes deklaratash nuk është shumë i qartë mbi atë se ç’po përpiqet të bëjë qeveria. “Nisma për mospërdorimin e bilanceve të dyfishta është parimisht e dobishme. Synon të vendosë rregull në treg. Nuk besoj se mund të jetë dikush që mund ta kundërshtojë këtë. Nëse mund të ketë pikëpyetje, këto kanë të bëjnë me çështje teknike se si do të bëhet ky kontroll, si do të realizohet, kush do të penalizohet apo si do të kryhet” shprehet Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm pranë Shoqatës Shqiptare të Bankave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.