Në 6 muaj u tregtuan 12 milionë euro, me një volum prej më shumë se 85 mijë njësi titujsh
Në korrik të vitit 2017, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare vendosi licencimin e Bursës Shqiptare të Titujve. Në shkurt të këtij viti, kjo bursë do të niste zyrtarisht tregtimin e titujve, duke shënuar një hap drejt plotësimit të një panorame mbi tregun e kapitalit, edhe pse ende modest. Por çka ndodhur me Bursën në harkun e më shumë se një viti nga licencimi dhe më shumë se gjashtë muajve nga ngritja e siparit të tregtimit. Përfaqësues të Bursës Shqiptare të Titujve shprehen të kënaqur me ecurinë e deritanishme, duke nënvizuar se duhet mbajtur parasysh që AMF ka kufizuar tregtimin në Bursën Shqiptare vetëm të titujve të borxhit të Qeverisë për vitin e parë (bono thesari dhe obligacione thesari).
Por si paraqitet ky bilanc në shifra? Në 6 muajt e parë të aktivitetit, në periudhën shkurt – gusht 2018, vlera e tregtimit në Bursën Shqiptare të Titujve arriti në nivelin e 1.5 miliardë LEK, ose rreth 12 milionë EUR, me një sasi (volum) prej më shumë se 85.000 njësi titujsh të tregtuar dhe një numër total prej 66 transaksionesh. Në një analizë të përgjithshme të karakteristikave të zhvillimit të tregtimit në Bursën Shqiptare të Titujve për periudhën shkurt – gusht 2018 vihet re se kanë dominuar: transaksionet mes Bankave, transaksionet në Oraret Zyrtare (On-Exchange), transaksionet në Bono Thesari, transaksionet në valutën LEK.
Llojet e transaksioneve në bursë
Gjatë 6 muajve të marrë në analizë vihet re se pjesa më e madhe e transaksioneve janë transaksione mes bankave (tregu ndërbankar), krahasuar me tregun me pakicë që janë transaksionet bankë-klient, apo klient-klient. Transaksionet mes bankave të realizuara në Bursë janë dominuese në vlerën e tregut (72.7% e totalit), dhe në sasinë e tregtuar të titujve (83.5% e totalit). Ndërkohë si numër transaksionesh janë pothuaj të njëjta me transaksionet që bëjnë bankat me klientët, apo klientët me klientët.
Oraret e Ekzekutimit të Transaksioneve
Pjesa më e madhe e transaksioneve janë të ekzekutuara në Oraret Zyrtare (On-Exchange), krahasuar me transaksionet Jashtë-Orareve Zyrtare në tregun me pakicë apo tregun mbi banak (Over-The-Counter). Transaksionet e ekzekutuara në oraret zyrtare dominojnë qartazi në drejtim të vlerës së tregut (65% e totalit), sasisë së tregtuar të titujve (83% e totalit) dhe numrit të transaksioneve (71.2% e totalit).
Transaksionet e realizuara në oraret zyrtare (On-Exchange) janë transaksione me një nivel shumë herë më të lartë transparence dhe informacioni mbi to është më lehtësisht i aksesueshëm nga investitorët. Ndërsa tregu me pakicë apo tregu mbi banak (jashtë orareve zyrtare të tregtimit në bursë), karakterizohet nga transaksione të ekzekutuara në kushte të mungesës së transparencës për klientët, duke krijuar një ndikim jo fort pozitiv mbi çmimet e titujve, e jo në pak raste, duke ndikuar edhe në deformimin e çmimeve, kosto që bie kryesisht mbi klientët (qytetarët).
Aktualisht, në bursën ALSE tregtohet vetëm 2 ditë në javë, çdo të martë dhe çdo të enjte, nga ora 10:00 deri në orën 14:00. Sipas qëndrimit zyrtar të Bursës Shqiptare të Titujve janë caktuar vetëm 2 ditë zyrtare tregtimi në javë, pasi niveli aktual i zhvillimit të tregut është në fazën e tij embrionike dhe volumet e tregtimit janë modeste.
Me zhvillimin e tregut dhe rritjen e numrit të bankave dhe firmave të brokerimit që do të tregtojnë në ALSE, do të shtohet edhe numri i ditëve të tregtimit deri në 5 ditë në javë siç është në të gjithë bursat në mbarë botën. Pavarësisht këtij fakti, individët apo subjektet që duan të tregtojnë bono dhe obligacione thesari, mund ta bëjnë këtë edhe në ditët e tjera, nëpërmjet bankave që janë Anëtare në Bursën Shqiptare të Titujve, por më parë duhet të kenë hapur një llogari në cash dhe në tituj, si dhe nënshkruar një kontratë për transaksionet që do të kryejnë me këto banka.
Lloji i Instrumentit (titullit) që tregtohet
Një tjetër element që mund të analizohet te Bursa Shqiptare e Titujve lidhet me instrumentet që tregtohen. Të dhënat zyrtare të vëna në dispozicion nga ky subjekt tregojnë se pjesa më e madhe e transaksioneve janë të ekzekutuara në bono thesari, krahasuar me transaksionet në obligacione thesari. Kështu dominon dukshëm sasia (volumi) i bonove të thesarit të tregtuara (91.7% e totalit) si dhe ka një dominim të lehtë në vlerën e transaksioneve në bono thesari (51.4% e totalit), ndërsa si numër transaksionesh, ai në obligacione thesari është pak më i lartë (54.5% e totalit).
Maturimi i titujve dhe valuta
Parë në këndvështrimin e maturimit nga Bonot e Thesarit, (BTH) titujt më aktivë janë ato me maturim 12-mujor të ndjekura nga BTH 6-mujorët ndërkohë që mungojnë transaksione në BTH 3-mujore, sepse afati i tyre i maturimit është shumë i shkurtër. Ndërsa nga obligacionet e thesarit titujt më aktivë në tregtim janë ato me maturim 5-vjeçar dhe 10- vjeçar, të ndjekura nga 2-vjeçarët.
Në aspektin e valutës, pjesa më e madhe e transaksioneve janë të ekzekutuara në valutën LEK. Shumë pak transaksione në tituj të dominuar janë në EUR. Kjo vjen për shkak të kostove të larta që kanë aktualisht transfertat e vlerave monetare në EUR nga një bankë në tjetrën në tregun vendas.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.