Analiza ekonomike e klubeve gjysmëfinaliste të Champions League, sipas të dhënave të Kpmg Football Benchmark
Kpmg Football Benchmark, platformë e cila analizon ecurinë e klubeve të futbollit, ka bërë një krahasim ekonomik të skuadrave gjysmëfinaliste të Champions League 2017/18.
Vlera e biznesit, e vlerësuar më 10 janar 2018 nga Kpmg, të klubit të Romës është 453 milionë euro, e 18-a ndër klubet europiane. Vlera e biznesit e klubit të Liverpool është 1 miliardë e 330 milionë euro (i 8-i në Europë).
Vlera e biznesit të Real Madrid arrin në 3 miliardë (2.976 milionë), dhe është klubi i dytë në Europë, kurse Bayern München vlen 2 miliardë e 445 milionë euro, i katërti në Europë. Ky tregues i parë nuk distancohet nga klasifikimi sipas qarkullimit të të ardhurave të klubeve.
Sipas bilanceve të vitit që përfundoi më 30 qershor 2017, Real Madrid është klubi i dytë në Europë me 671 milionë euro të ardhura; 588 milionë euro Bayern (4); 424 milionë Liverpool (9), ndërsa Roma, në vend të 24-t, 175 milionë euro. 60% e fitimeve të Romës vijnë nga të drejtat televizive, ndërsa 42% për Liverpool.
Një tregues tjetër i rëndësishëm është vlera në treg e skuadrës, sipas të dhënave të Transfermarkt, në mars 2018. Sipas Kpmg, skuadra e Romës vlen 345 milionë euro kundrejt 548 milionë të Liverpool. Skuadra e Real Madrid vlen 859 milionë kundrejt 643 milionë euro Bayern München.
Sa i përket kostove të personelit, duke iu referuar sezonit të kaluar, Roma është klubi që ka shpenzuar më pak ndër gjysmëfinalistët: 145 milionë kundrejt 242 milionë euro Liverpool, 265 milionë Bayern dhe 406 milionë euro Real Madrid.
Sa i përket bilancit, fitimi para tatimit i Bayern është 66 milionë euro kundrejt 26 milionë të Real Madrid.
Liverpool është më mirë se Roma, me 41 milionë të ardhura para taksave krahasuar me 36 milionë euro humbje të Romës, e vetmja gjysmëfinaliste me bilanc negativ.
Treguesi i fundit janë “follower” në rrjetet social (Facebook, Twitter, Instagram, Youtube): 215 milionë Real Madrid, 64 milionë Bayern München, 49 milionë Liverpool dhe 13 milionë euro Roma.
Sipas këtyre parametrave, Real Madrid është në avantazh ndaj Bayern 4 – 2, ndërsa Liverpool ndaj Romës 5 – 1.
Burimi: Il Sole 24 ore